Gjatë gjithë karrierës sime, kam pasur fatin të mbaj dy fjalime për të sapodiplomuarit: një në Harvard – nga i cili nuk u diplomova kurrë – në vitin 2007, dhe një tjetër në Stanford në 2014.
Sot, mbajta fjalimin e tretë për të diplomuarit e pylltarisë dhe inxhinierisë së Universitetin e Arizonës Veriore.
Klasa e vitit 2023 nuk është një grup i zakonshëm i të diplomuarve. Përpara se shumica prej tyre të përfundonin vitin e parë të universitetit, erdhi një pandemi, që ndodh një herë në jetën e një brezi dhe u ndryshoi jetën – dhe mësimin.
U desh elasticitet, guxim dhe shumë zgjuarsi, që ata të kalonin këtë vijë përfundimi.
Kështu që, isha i emocionuar t’i përgëzoja, para se të fillonin fazat e ardhshme të jetës së tyre dhe të ndaja disa urtësi, që kam marrë në dekadat, që kur u largova nga kampusi i universitetit.
Kjo është ajo që u thashë atyre:
13 maj 2023
Ceremonia e fillimit të Universitetit të Arizonës Veriore (North Arizona University, NAU) për Universitetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Shkencave të Zbatuara dhe Universitetin e Mjedisit, Pylltarisë dhe Shkencave të Natyrës
Mirëmbrëma! Faleminderit, President Cruz Rivera dhe Bordin e Regents të Arizonës, për këtë nder të jashtëzakonshëm. Jam i emocionuar, që jam këtu me fakultetin dhe stafin e nderuar të NAU.
Të diplomuar, ju ia dolët. Ju i mbijetuat klasave të shkrimit dhe të shumë “Tequila Sunrises”.
Jam i nderuar, që kam mundësinë t’ju drejtohem sot, sepse besoj se më shumë njerëz duhet të dinë për vlerën e jashtëzakonshme të një edukimi NAU.
Ju po diplomoheni nga një institucion, që krijon mundësi, nxit inovacionin dhe ndërton komunitetin, dhe ju ka përgatitur për të gjetur zgjidhje për disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballemi sot.
NAU po ju jep gjithashtu diçka, që nuk e kam marrë kurrë: Një diplomë të vërtetë universiteti.
Disa prej jush mund ta dinë se unë kurrë nuk arrita të diplomohesha. Unë u largova pas tre semestrash për të hapur Microsoft. Pra, çfarë di një i padiplomuar, që ka braktisur universitetin, rreth diplomimit? Jo shumë personalisht, për të qenë i sinqertë.
Ndërsa përgatitesha për sot, mendova se si ju, si të sapodiplomuar, mund të keni ndikimin më të madh në botë me arsimin, që keni marrë këtu.
Kjo më shtyu të mendoja për diplomimin që nuk e pata kurrë, fjalimin e fundit, që nuk e dëgjova kurrë dhe këshillat, që nuk më dhanë në një ditë si kjo.
Kjo është ajo, që dua të ndaj me ju këtë pasdite: Pesë gjërat, që do të doja të më kishin thënë në diplomim, që nuk mora pjesë kurrë.
Këshilla e parë: Jeta juaj nuk është një lojë me një akt
Ju ndoshta ndjeni shumë presion tani, për të marrë vendimet e duhura për karrierën tuaj.
Mund të duket sikur ato vendime janë të përhershme. Por, nuk është kështu. Ajo që bëni nesër – ose për dhjetë vitet e ardhshme – nuk duhet të jetë ajo që do të bëni përgjithmonë.
Kur lashë shkollën, mendova se do të punoja në Microsoft për pjesën tjetër të jetës sime. Sot, unë ende e dua punën time, por filantropia është puna ime me kohë të plotë.
I kaloj ditët e mia duke punuar për të krijuar inovacione, që luftojnë ndryshimet klimatike dhe zvogëlojnë pabarazitë në mbarë botën, duke përfshirë shëndetin dhe arsimin.
Ndihem me fat, që fondacioni ynë mbështet institucione të mahnitshme si NAU—edhe nëse nuk është ajo, që imagjinoja se do të bëja kur isha 22 vjeç.
Jo vetëm, që është në rregull të ndryshosh mendje, ose të kesh një karrierë të dytë, por mund të jetë një gjë shumë e mirë.
Këshilla e dytë: Mos kini frikë të pyesni të tjerët
Mendova se dija gjithçka që duhej të dija, kur u largova nga universiteti. Por hapi i parë për të mësuar diçka të re, është përqafimi i asaj që nuk e dini, në vend që të përqendroheni në atë që dini.
Në një çast në karrierën tuaj, do ta gjeni veten përballë një problemi, që nuk mund ta zgjidhni vetë. Kur kjo të ndodhë, mos u frikësoni. Merr frymë. Mendojini gjërat mirë. Dhe pastaj gjeni njerëz të zgjuar për të mësuar.
Mund të jetë një koleg me më shumë përvojë. Mund të jetë një nga kolegët tuaj të diplomuar, i cili ka një perspektivë të mirë dhe do t’ju shtyjë të mendoni ndryshe.
Mund të jetë një ekspert në këtë fushë, që është i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve tuaja.
Pothuajse gjithçka, që kam arritur, erdhi sepse kërkova të tjerë që dinin më shumë. Njerëzit duan t’ju ndihmojnë. Gjëja kryesore është të mos keni frikë të pyesni.
Ju mund të keni mbaruar me shkollën. Por, mund – dhe duhet – ta shihni pjesën tjetër të jetës tuaj si edukim.
Këshilla ime e tretë: Synoni punët, që zgjidhin probleme të rëndësishme
Lajmi i mirë është se po diplomoheni në një kohë, kur ka shumë probleme të rëndësishme për të zgjidhur. Industritë dhe kompanitë e reja po shfaqen çdo ditë, kështu do të keni mundësi të bëni një ndryshim.
Për shembull, shumë prej jush do të bëhen pylltarë. Profesorët tuaj ju mësuan për mjetet më të fundit, si dronët për të krijuar harta të sakta të dyshemesë së pyllit.
Ju mund të gjeni mënyra të reja për ta përdorur atë teknologji, për të ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike.
Disa prej jush po nisen për të filluar karrierën si programues. Ju mund të përdorni talentet tuaja për t’u siguruar, që të gjithë njerëzit mund të përfitojnë nga inteligjenca artificiale (IA) – ose për të ndihmuar në eliminimin e paragjykimeve ndaj IA.
Kur kaloni ditët tuaja duke bërë diçka, që zgjidh një problem të madh, kjo ju jep energji për të bërë punën tuaj më të mirë. Ju detyron të jeni më kreativ dhe i jep jetës suaj një qëllim.
Këshilla ime e katërt është e thjeshtë: Mos e nënvlerësoni fuqinë e miqësisë
Kur isha në shkollë, u miqësova me një student tjetër, që ndante shumë nga interesat e mia, si romanet fantastiko-shkencore dhe revistat kompjuterike.
Nuk e dija se sa e rëndësishme do të ishte ajo miqësi. Emri i mikut tim ishte Paul Allen – dhe ne filluam Microsoft së bashku. Mos harroni se njerëzit me të cilët jeni ulur pranë në leksione, me të cilët keni bërë aktivitete të tjera, nuk janë vetëm shokët tuaj të klasës.
Ata janë rrjeti jua i njohjeve, bashkëthemeluesit dhe kolegët tuaj të ardhshëm, një burim i mrekullueshëm për të siguruar mbështetje, informacion dhe këshilla në të ardhmen.
Këshilla ime e fundit është ajo që unë vetë mund ta kisha përdorur më shumë. M’u desh shumë kohë për të mësuar: Nuk je dembel nëse zgjedh të pushosh pak.
Kur isha në moshën tuaj, nuk besoja në pushime. Nuk besoja në fundjavë. I shtyja të gjithë rreth meje të punonin me orë të gjata.
Në ditët e para të Microsoft-it, zyra ime shikonte nga parkimi—dhe unë mbaja shënim se kush largohej herët dhe kush qëndronte vonë. Por, ndërsa u rrita – dhe veçanërisht pasi u bëra baba – kuptova se jeta ka më shumë sesa puna.
Mos prisni aq gjatë sa unë, për të përvetësuar këtë mësim. Merrni kohë për të ushqyer marrëdhëniet tuaja, për të festuar sukseset dhe për të marrë veten nga humbjet.
Bëni pushim kur ju nevojitet. Tregohuni tolerantë edhe me njerëzit përreth, kur ata kanë nevojë për të. Dhe përpara se të filloni fazën tjetër të jetës suaj, ndaloni dhe argëtohuni. Sonte, këtë fundjavë, këtë verë, kurdoherë. Kushdo e meriton.
Klasa e vitit 2023, e ardhmja ju përket juve. Besoj se do të jeni ju ata, që do të zgjidhni krizën klimatike dhe do të zvogëloni hendekun midis të pasurve dhe të varfërve.
Ju keni bërë tashmë histori, duke ndjekur mësimin në universitet, gjatë disa kohëve vërtet të pashembullta. Nuk kam dyshim se do të vazhdoni të bëni histori gjatë gjithë jetës suaj. Mezi pres të shoh, se si do të nxisni përparimin në mbarë botën.
Urime për arritjen e këtij çasti historik. / World Economic Forum