Delegacioni i Bashkimit Europian, përmes rrjetit të informimit të BE-së në bashkëpunimi me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Ministrinë e Inovacionit dhe Administratën Publike, Inovation Hub, EU Policy Hub dhe Projekti Ofiçina shpallën pesë fituesit për startup-in dhe sipërmarrësit e rinj.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ambasadorja Romana Vlahutin, shefe e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, theksoi se iniciativa të tilla inkurajojnë sipërmarrësit e rinj dhe u ofrojnë atyre aftësi të konkurrojnë në tregjet europiane. Ajo nxiti pjesëmarrjen e më shumë grave dhe vajzave në mjedisin e biznesit të teknologjisë dhe inovacionit.
Zonja Vlahutin shtoi se në Shqipëri është ende e vështirë që të nisësh një startup, kryesisht prej fondeve.
Për periudhën 2014-2020 janë parashikuar 50 milionë euro në mbështetje të biznesit, nga të cilat 7 milionë për inovacionin.
Idetë që fituan
Sipërmarrjet kanë lindur nga idetë, por për t’u vënë në jetë ato kanë nevojë për mbështetje.
Ervin Zhaka dhe Lorenc Bajrami, djemtë nga Përmeti, ishin fituesit e çmimit nga Rrjeti i Informimit të BE-së për idenë e tyre të krijimit të një agjencie, që do të mundësojë ndërmjetësimin e turistëve kryesisht të huaj me guidat në vend.
Të rinjtë kërkonin mbështetje në krijimin e një website dhe për blerjen e bazës materiale.
Ata kërkonin që me anë të faqes web të viheshin në kontakt direkt me turistët e huaj. Ideja e këtij biznesi vinte si pasojë e mungesës së këtij shërbimi në qytetin e Përmetit dhe për shkak të potencialit në rritje që ka turizmi në atë zonë.
Çmimi i AIDA-s shkoi për tri ide biznesi nga tri vajza të reja, dy prej të cilave, Natalie dhe Pitupi, ishin në sektorin e prodhimit të veshjeve të orientuar si biznese sociale. Ndërsa biznesi i tretë, i cili prej disa muajsh operonte në treg, AGOG Marketing ofronte marketing në rrjetet sociale për bizneset, kryesisht për bizneset e mëdha dhe të mesme.
Çmimi i Inovation Hub shkoi për Platformën e Inxhinierëve, një portal i cili synonte që të lidhte profesionistët nga fusha të ndryshme të inxhinierisë me punëdhënësit. Gjithashtu, ky startup do të ofronte trajnime dhe kurse të ndryshme për profesionistët që të bëheshin pjesë, duke krijuar një profil në këtë platformë.
Çmimi i EU Policy Hub shkoi për krijimin e Qendrës së Degustimit, një startup që do të ndihmonte me degustimin dhe promovimin e produkteve bio. Kjo qendër, e përbërë nga teknologë ushqimorë do të ishte asistonte fermerët në prodhimin e produkteve bio, dhe do të ndihmonte në promovimin e vlerave ushqimore. Ky startup do të bazohej tek agroturizmi dhe do të shërbente si një pikë one-stop për ushqimet bio.
Ndërsa çmimi nga Projekti Ofiçina shkoi për E-Print, ide biznesi për krijimin e një aplikacioni që do të mundësojë printimin e fotove, duke i ngarkuar ato nga smartphone.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.