Në praktikë, krijimi një grupi pune (i një skuadre) është një proces shumë i ndërlikuar, i cili zanafillën e ka që në punësimin e anëtarëve të saj dhe është pikërisht kjo fazë tek e cila duhet të bëhet më shumë kujdes.
Përzgjedhja e personave të duhur do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vijueshmërinë pozitive të procesit të punës dhe njëkohësisht në pasqyrimin e rezultateve pozitive në përfundim të një procesi të caktuar.
Më poshtë do të lexoni disa këshilla sesi të keni pjesë të skuadrës suaj të punës punonjësit më të mirë:
Mos u nxitoni
Një prej gabimeve më të shpeshta në këtë drejtim është se shpeshherë, sipërmarrësit e rinj marrin vetë pjesë në procesin e rekrutimit të punonjësve. Këshillohet që ky proces të lihet në dorë të burimeve njerëzore dhe më pas sipërmarrësit mund të konsultohen me to për kandidatët që i duken më të përshtatshëm.
Tregohuni sa më specifik
Përpara sesa ju të shpallni pozicionin vakant në kompaninë tuaj, ju duhet të tregoheni sa më specifik në përshkrimin e tij.
Kjo është një prej këshillave që do t’ju vijë shumë në ndihmë, sepse nëse ju shpallni një pozicion vakant pune me një përshkrim të përgjithshëm, atëherë do të përfundoni duke lexuar shumë CV apo letra motivimi, ku pjesa më e madhe nuk janë fare të përshtatshme për këtë pozicion pune. Prandaj sa më specifikë të tregoheni, aq më të lehtë do ta keni edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatit të duhur.
Vendosni programe referimi
Programet e referimit nënkuptojnë se punonjësit tuaj aktualë do të jenë ata që do t’ju ndihmojnë në procesin e përzgjedhjes së punonjësve të rinj dhe kolegëve të tyre të ardhshëm. Kandidaturat e vetë punonjësve mund të jenë një ndihmesë shumë e madhe sepse ata mund t’i njohin personat që po rekomandojnë dhe e dinë mjaft mirë sesi do të përshtateshin ata në kulturën e kompanisë. Nga ana tjetër, edhe të kandiduarit kanë një pasqyrë më të qartë si të kompanisë ashtu edhe të punës në të cilën po aplikojnë, sepse kush në mënyrë më të sinqertë sesa një mik i tyre do t’ia përshkruante si kompaninë ashtu edhe pozicionin e punës.
Jepini prioritet inteligjencës ndaj eksperiencës
Shpeshherë për mos thënë në shumicën e rasteve, një ndër faktorët më pozitivë në kurrikulumin e një punonjësi është përvoja e tij në një fushë të caktuar, dhe kjo është më se e drejtë sepse për shumë pozicione pune, eksperienca është shumë e rëndësishme dhe faktor kyç në mbarëvajtjen e saj.
Por ka edhe raste kur eksperienca disavjeçare shikohet nga vetë kandidati si një pikë mbi të cilën nuk mund të bëhen negociata, prandaj në raste të tilla i duhet dhënë prioritet inteligjencës së një kandidati ndaj viteve të tij të eksperiencës.
Objektiva sa më të qartë
Procesi i rekrutimit nuk përfundon në përzgjedhjen e kandidatit më të përshtatshëm sepse edhe punonjësit më të kualifikuar kanë nevojë për udhëzime sidomos në periudhën fillestare të punës, por një gabim i tillë duket se bëhet nga një numër i madh sipërmarrësish të rinj.
Pasojat e një gabimi të tillë reflektohen edhe në të dhënat se afërsisht një e treta e punonjësve të rinj japin dorëheqjen nga puna në krye të gjashtë muajve të parë.
Prandaj skuadrat e punës më të suksesshme janë ato të cilat funksionojnë në bazë të një plani pune të mirëmenduar dhe mbi të gjitha që u ofron mbështetjen e duhur punonjësve të tyre.