Verën e kaluar, Shannon Harrell la pozicionin e saj në fushën e marketingut në Nestlé për të punuar në industrinë e atëhershme të teleshëndetit në Teladoc Health.
Disa muaj më vonë, teksa stoku i punëdhënësit të saj të ri po binte pas rezultateve zhgënjyese, Harrell e ndryshoi statusin në LinkedIn në “e hapur për punë”. Në prill, ajo ishte rekrutuar për të drejtuar komunikimet strategjike dhe marketingun e kanaleve në kompaninë e sigurimit të kafshëve shtëpiake, PetPartners.
“Rritja e kësaj kategorie dukej paksa e pasigurt, kështu që isha e shqetësuar – si çdokush tjetër,” thotë Harrell.
Harrell është shembulli i asaj që McKinsey do ta quante një tradicionalist, një nga pesë llojet e talenteve që kanë nxitur fenomenin e Dorëheqjes së Madhe.
Në një studim të ri të publikuar të mërkurën e kaluar, firma e konsulencës analizoi të dhënat dhe anketoi më shumë se 13,000 punonjës në mbarë botën për të përcaktuar se çfarë i motivoi njerëzit në industri të ndryshme që të largoheshin nga puna gjatë dy viteve të fundit, në mënyrë që të kuptonin se çfarë mund t’i shtyjë ata që të qëndrojnë në punët e tyre.
Një prej të përbashkëtave të të gjitha llojeve të ndryshme të punonjësve është ndjenja e vazhdueshme e optimizmit. Tre të katërtat e të anketuarve mendonin se nuk do të ishte e vështirë të gjenin një punë që është e krahasueshme ose madje edhe më e mirë se puna aktuale.
“Njerëzit janë mjaft të bindur se ata nuk kanë nevojë për punën tjetër kur lëvizin nga puna aktuale,” thotë Aaron De Smet.
Trendi i lënies së punës që duket se nuk po mbaron
Me papunësinë në nivele rekord të ulëta në SHBA dhe me 11.3 milionë vende pune të hapura, është e lehtë të kuptosh arsyet e optimizmit. Kërkesa e lartë ka bërë që më shumë se gjysma e atyre që kanë dhënë dorëheqjen, të kalojnë jo vetëm në punë të reja, por edhe në industri të reja.
Vetëm 6% bënë atë që mund të konsiderohet si një lëvizje horizontale brenda industrisë së tyre. Sektori publik dhe social kanë pasur shkallën më të madhe të largimit të punonjësve nga të anketuarit, me 57% që janë larguar nga sektori, ndërsa shëndetësia dhe sektori farmaceutik kishin shifrat më të ulëta.
Ajo që ka rëndësi është se shumë prej punonjësve që largohen nuk do të kthehen së shpejti në industritë e tyre të mëparshme apo edhe në botën e punës. Nga ata që u larguan pa pasur një ofertë tjetër pune, vetëm 47% janë rikthyer në fuqinë punëtore, me 29% që u rikthyen në punësimin tradicional me kohë të plotë.
“Disa kompani po presin që këta njerëz të rikthehen,” thotë De Smet. “Dhe mund t’i duhet të presin për një kohë të gjatë.”
Pesë llojet e talenteve që po japin dorëheqjen
Kjo do të thotë që punëdhënësit duhet të kuptojnë se cilat kategori të punëmarrësve janë të hapura për punë të reja – si dhe të kuptojë se çfarë do t’i duhet për t’i punësuar dhe për t’i mbajtur këta njerëz. Në studim, McKinsey identifikoi pesë lloje personash:
1. Tradicionalistët – Ashtu si Harrell nga PetPartners, këta janë punonjësit e orientuar drejt karrierës, të cilët janë të gatshëm të bëjnë disa lëvizje për të marrë pagën e duhur.
Ata kanë më pak gjasa që të largohen nga një vend pune pa pasur një ofertë tjetër, si dhe kanë shumë gjasa të qëndrojnë në një punë nëse kompensohen në përmasa të mjaftueshme.
2. Të pavarurit – Këta u shfaqën si grupi më i madh në studim. Ky grup priret të vlerësojë fleksibilitetin, punën kuptimplotë dhe kompensimin.
Duke qenë zakonisht nga 25 deri në 45 vjeç, këta njerëz mund të jenë të vetëpunësuar ose duke punuar me kohë të pjesshme. Ata duan fleksibilitet dhe një mjedis pune miqësor.
3. Kujdestarët dhe të tjerët – Këta janë njerëzit në shtëpi, të cilët kërkojnë më shumë.
Zakonisht nga 18 deri në 44 vjeç, me më shumë gra se burra, njerëzit që bëjnë pjesë në këtë kategori vendosën të ulen në shtëpi dhe të kërkojnë role me fleksibilitet që i lejojnë ata të vazhdojnë ende detyrat dhe përgjegjësitë që kanë jashtë punës.
4. Idealistët – Zakonisht në këtë grup përfshihen studentë dhe persona më të rinj që punojnë me kohë të pjesshme, kryesisht nga mosha 18 deri në 24 vjeç.
Ata kërkojnë fleksibilitet, kulturë të fortë të organizatës, si dhe trajektore të qarta për përparim në karrierë. Ata e renditën “përkatësinë në një komunitet gjithëpërfshirës dhe mikpritës” me më shumë pikë se ҫdo kategori tjetër.
5. Të relaksuarit – Këta janë një përzierje e pensionistëve, e atyre që nuk kërkojnë punë dhe e të tjerëve që mund të kthehen në punën tradicionale nëse puna u duket e pranueshme.
Ata duan punë domethënëse dhe ekuilibër punë-jetë. Shumë punonjës në pension po kthehen gjithnjë e më shumë në punë, pas rritjes së numrit të atyre që dilnin në pension gjatë fillimit të pandemisë.
Për të tërhequr këto grupe dhe për të zgjidhur çështjen e tërheqjes së punonjësve të rinj, kompanitë duhet të dyfishojnë propozimet e tyre të vlerës – si ato tradicionale, që përfshijnë pagën, titullin, përfitimet dhe mundësitë e rritjes në karrierë, ashtu edhe ato jotradicionale, që përfshijnë fleksibilitetin, kulturën dhe personalizimin e kompanisë, këshillon McKinsey.
“Ka disa njerëz super të talentuar atje që rrinë ulur në stol duke pritur, sepse oferta vazhdon të jetë si ajo tradicionalja,” thotë De Smet./Forbes