Punonjësit tuaj janë të stresuar.
Mund të mos e keni vënë re këtë, por ata janë të stresuar.
Gjatë viteve të fundit, atyre u është dashur të përballen me gjithçka, që nga një pandemi globale e deri te trazirat e shumta sociale.
Duke shtuar këtu edhe ndryshimet klimatike dhe mosmarrëveshjet politike, shumica e njerëzve po bëjnë gjithçka që munden vetëm për të shtyrë përpara ditën. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, stresi në vendin e punës mbetet i lartë.
Sipas Institutit Amerikan të Stresit, 83% e punonjësve amerikanë përjetojnë stres që lidhet me punën. Kjo jo vetëm që mund të ulë produktivitetin, por gjithashtu krijon një mjedis negativ në vendin e punës, i cili mund të ndikojë në biznesin tuaj. Më e rëndësishmja, kjo situatë mund të sjellë shumë shqetësime për punonjësit dhe në jetën e tyre personale.
Pra, çfarë mund të bëni për të përmirësuar shëndetin mendor të punonjësve? Si mund të ofroni disa mënyra të vogla për t’ia lehtësuar atyre barrën? Ja disa ide që do t’ju ndihmonin për ta arritur këtë.
- Ofroni fleksibilitet
Ne jemi bërë zyrtarisht një shoqëri e punës në distancë. Jo, jo të gjithë punojnë nga shtëpia. Megjithatë, puna në distancë ka qenë në rritje prej vitesh dhe pandemia bëri që ajo të arrinte nivele shumë të larta.
Në kohën e pandemisë, puna në distancë erdhi nga nevoja. Megjithatë, punëdhënësit dhe punonjësit kanë filluar të shohin disa nga përfitimet e kësaj pune.
Nëse nuk jeni në gjendje t’i lini të gjithë punonjësit tuaj që të punojnë nga shtëpia, atëherë ofroni më shumë fleksibilitet. Balanca punë-jetë është thelbësore për mirëqenien mendore të gjithsecilit. Jepuni atyre mundësinë e orarit elastik, pushime kur kanë nevojë dhe inkurajoni një ekuilibër më të mirë në jetën e tyre.
- Kontrolloni rregullisht nëse ҫdo gjë është në rregull
Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për të përmirësuar shëndetin mendor të punonjësve tuaj është të kontrolloni rregullisht nëse ҫdo gjë po shkon siҫ duhet.
Edhe nëse ata nuk po shfaqin shenja të jashtme për stresin, thjesht pyetja nëse ҫdo gjë po shkon mirë, mund t’i bëjë ata të marrin frymë të lehtësuar.
Ndonjëherë, gjithçka për të cilën dikush ka nevojë është një person me të cilin të flasë. Nëse tregoni se kujdeseni dhe keni interes për mirëqenien e tyre mendore, do të krijoni një mjedis më të hapur ku njerëzit nuk kanë frikë të flasin për nevojat e tyre të shëndetit mendor.
- Adresoni stresin në vendin e punës
Nëse jeni të shqetësuar se punonjësit tuaj janë të stresuar, përpiquni të arrini te shkaku kryesor. Stresi në vendin e punës shpesh shkaktohet nga gjëra të tilla si:
- Oraret e zgjatura të punës
- Ngarkesa e madhe në punë
- Konflikte me shefat ose me kolegët e punës
- Pasiguria në punë
Zbulimi i faktorëve që po shkaktojnë stresin e tyre do ta bëjë më të lehtë marrjen e hapave aktivë drejt eliminimit të tij.
Gjithashtu, do ta keni më të qartë faktin nëse edhe ju po kontribuoni në këtë stres. Nuk është gjithmonë e lehtë të shohësh se si veprimet e tua po bëjnë më shumë dëm sesa mirë. Megjithatë, kjo ju jep mundësinë për të bërë ndryshime pozitive.
- Bëni biseda të hapura rreth shëndetit mendor
Më parë u përmend rëndësia e të folurit për shëndetin mendor në vendin e punës. Megjithatë, jo të gjithë do të ishin të kënaqur duke qenë kaq të hapur.
Njerëzit mund të kenë pasur përvoja negative në të kaluarën. Ose, ata mund të jenë të shqetësuar për të shprehur problemet, pasi mendojnë se kjo mund të ndikojë në punën e tyre.
Si një lider, është thelbësore të jepni një shembull për punonjësit tuaj. Nxitini ata të flasin duke ndarë me ta emocionet dhe ndjenjat tuaja. Bëhuni një dëgjues aktiv dhe empatik. Duke dhënë këtë shembull, ju do të krijoni një mjedis pozitiv ku të gjithë mund të flasin lirshëm për mënyën se si ndihen.
- Kthejeni mirëqenien mendore dhe fizike në pjesë të kulturës së kompanisë
Këto ide janë mënyra të shkëlqyera për t’u treguar punonjësve tuaj se ju po kujdeseni për ta, si dhe për të inkurajuar mirëqenien mendore në vendin e punës.
Megjithatë, gjëja më e mirë që mund të bëni për veten, për biznesin dhe për punonjësit tuaj është që t’i kombinoni këto metoda. Krijoni një kulturë kompanie të përqendruar te mirëqenia mendore dhe fizike.
Kjo mund të përfshijë ofrimin e ushqimeve të shëndetshme dhe të ujit për punonjësit tuaj gjatë gjithë ditës, në mënyrë që ata të jenë të hidratuar siç duhet dhe të përqendruar.
Ose, konsideroni që të investoni në një palestër zyre. Ndryshoni dizajnin e vendit tuaj të punës duke e kthyer atë në një mjedis më të hapur, në mënyrë që njerëzit të mund të ndërlidhen me njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë.
Mundësitë janë të pafundme, ndaj mos kini frikë të bëheni kreativ dhe të pyesni punonjësit tuaj se çfarë duan vërtet. Duke bërë një përpjekje për të përmirësuar shëndetin mendor të punonjësve, të gjithë do të fitojnë.
Biznesi juaj do të marrë një reputacion më të mirë, dhe kjo do t’i bëjë njerëzit më të kualifikuar që të duan punojnë për ju. / The Boss Magazine