Të gjithë ne kemi disa njerëz në jetën tonë që kanë role dhe përgjegjësi të ndryshme. Por, kur bëhet fjalë për suksesin, gjetja e mentorëve dhe e suportuesve për disa pozicione të caktuara ka një ndikim shumë të rëndësishëm në karrierën tuaj. Për të arritur qëllimet dhe aspiratat që keni vendosur, “ekipi juaj i ëndrrave” duhet të përputhet me misionin tuaj.
Lisa Skeete-Tatum, themeluesja dhe CEO e Landit, një kompani teknologjike e dedikuar për trajnimet e karrierës për bizneset dhe individët, e quan ekipin e vet si “bordi personal i drejtorëve” dhe thotë se pa ta, suksesi i saj nuk do të ishte i mundur.
“Nuk do të isha këtu ku jam sot, nëse nuk do të kisha këta njerëz që besuan tek unë… që panë diçka tek unë dhe vendosën të më japin një mundësi, të cilët më ndihmuan të shihja gjëra që as nuk e dija se mund t’i arrinim”, thotë ajo për CNBC.
Këtu janë pesë njerëzit që Tatum thotë se duhet të përfshini në ekipin tuaj të ëndrrave.
Mentori
Shumica e njerëzve e kanë të qartë se ҫ’do të thotë të kesh një mentor, qoftë një mentor personal apo profesional. Mentori është ai që ju trajnon dhe ju ndihmon të arrini një version më të mirë të vetes tuaj. Sipas Guider, një qendër për mentorimin në vendin e punës, mentorët janë përgjegjës për “t’ju prezantuar me mënyra të reja të të menduarit, për të sfiduar supozimet tuaja kufizuese, për të ndarë mësime të vlefshme të jetës dhe për shumë aspekte të tjera”.
Megjithatë, kur afroheni me një mentor të mundshëm, është e rëndësishme që t’i jepni mundësi marrëdhënies që të krijohet në mënyrë organike.
“Shumë organizata dhe njerëz mendojnë se duhet të keni me patjetër një mentor, dhe sigurisht, mentorët janë të mrekullueshëm. Por, askush nuk dëshiron që ju thjesht të shkoni tek ata dhe t’i thoni, “a do të bëhesh mentori im”, sepse kjo është pak e rëndë,” thotë Tatum.
Sponsori
Të kesh një person që mund të flasë për ty është po aq e rëndësishme sa të kesh dikë që të flasë me ty. Një sponsor është dikush që mund të flasë për pikat tuaja të forta dhe për aftësitë tuaja kur ju nuk ndodheni aty. Sponsorët janë ata që e kanë një vend në tryezë dhe luftojnë që të keni edhe ju vendin tuaj në këtë tryezë.
Tatum foli më shumë për “Efektin Sponsor” gjatë një TED Talk në vitin 2018, duke theksuar përfitimet në karrierë që kanë pasur njerëzit me një sponsor.
“Ata që kanë një sponsor marrin një përfitim prej 22-30% më të lartë për sa i përket kompensimit dhe përparimit në karrierë”, tha ajo.
Ndërlidhësi
Sipas Tatum, ndërlidhësi është dikush që “i njeh të gjithë dhe është në gjendje të marrë këdo në telefon për ju”.
Ndërlidhësit përdorin rrjetin e tyre të marrëdhënieve, të burimeve dhe të fuqisë së krijuar gjatë viteve që punojnë në një fushë të caktuar, për t’ju vënë në kontakt me njerëzit e duhur.
Kur mendoni për ndërlidhësin, identifikoni dikë që di gjithmonë kë të kontaktojë për të mbaruar një punë. Këta janë persona që dinë të ruajnë marrëdhënie në fusha të ndryshme dhe janë të zotë për të prezantuar njerëzit me njëri-tjetrin.
Eksperti
Mendoni për ekspertin si motori juaj personal i kërkimit. Ky person i ka të gjitha përgjigjet dhe është gjithmonë i gatshëm t’ju japë informacionet që mund t’ju duhen për t’u rritur personalisht ose profesionalisht.
“Ne nuk kemi kohë për të mësuar gjithçka që duhet të dimë, kështu që kush është ai person që mund të shkojë 5, 10, apo 15 pyetje më në detaje për fushën e tij të ekspertizës dhe që mund t’i ndajë njohuritë e tij me ju,” thotë Tatum.
Ky ekspert nuk është thjesht i ditur, por edhe i aftë. Ai ka përvojën e duhur nga jeta reale për të mbështetur informacionet e tij.
Miku i ngushtë
Sipas Tatum, rruga drejt arritjes së qëllimeve tuaja, atyre personale apo profesionale, është plot me “ngritje dhe ulje ekstreme”. Prandaj, është e rëndësishme të kesh dikë me të cilin mund të flasësh për baticat dhe zbaticat në rrjedhën tuaj për t’u bërë personi që doni të jeni.
Miku juaj i ngushtë duhet të jetë dikush me të cilin ndiheni komod për të ndarë ndjenjat tuaja, pa pasur frikë nga paragjykimet. Ju keni ndërtuar një marrëdhënie me ta përgjatë një harku të madh kohor dhe besoni se ata do t’ju mbështesin në kohët tuaja të vështira, si dhe do të festojnë bashkë me ju fitoret tuaja.
Nëse siguroheni që po krijoni marrëdhëniet e duhura me njerëzit e duhur, atëherë do të gjeni çelësin për ta futur veten tuaj në rrugën drejt suksesit.
“Nëse doni të përparoni, duhet ta rrethoni veten me njerëz që kanë pritshmëri më të larta për ju nga ҫ’keni ju për veten tuaj”, thotë Tatum. “Mësoni që të krijoni rrjetin tuaj dhe sigurohuni që të gjithë të kenë rolin e tyre.” / CNBC