Cilësimi i Londrës si një qendër kulturore globale është i padiskutueshëm dhe ky qytet është një ndër tre më të vizituarit në botë.
Kryeqyteti tepër i gjallë i Mbretërisë së Bashkuar ka qindra muze, galeri dhe katër vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s: Kullën e Londrës, Maritime Greenwich, Pallatin Westminster dhe Kopshtin Botanik Mbretëror të Kew.
Megjithëse vizitorët janë përgjithësisht më të tërhequr nga atraksionet kryesore, si Big Ben, Pallati i Buckingham dhe Muzeu Britanik, ja cilat janë pesë përvojat më pak të njohura që mund të shijoni në Londër.
- Ecni përgjatë lumit Tiamiz ose lundroni në të
Lumi i Tiamizit, gati 350 km. i gjatë, është një nga atraksionet më të mira të Londrës dhe mënyra më e mirë për të shijuar pamjet e qytetit, qoftë duke ecur përmes shtegut të Tamizit, qoftë me varkë.
Uberboat nga Thames Clippers ofron ture ditore për vetëm 18,90 £. Udhëtimi me 24 ndalesa përfshin pikat kryesore, si Stacioni i Energjisë Battersea, Syri i Londrës, Argjinatura, Kulla e Londrës, galeritë Tate, Canary Wharf dhe Greenwich.
Gjithashtu, ju mund të bëni një lundrim miqësor me mjedisin, në varkën tuaj elektrike, me një udhëtim piktoresk në një GoBoat, në një nga tre vendet në Londër (pellgu Paddington, Canary Wharf, Kingston upon Thames). GoBoat ofron një përvojë të thjeshtë të lundrimit me varkë, me vetë-drejtim, pa qenë nevoja për të pasur njohuri paraprake për lundrimin me varkë.
Shpejtësia maksimale është 4 km/orë, kështu që kjo do të ishte një shëtitje e qetë.
- Shkoni brenda Urës së Kullave
Të gjithë e njohin ose e kanë parë një nga monumentet më të rëndësishme të Londrës, Kullën e Urave, por a e dinit se ju mund të futeni brenda saj? Përvoja e Urës së Kullave ju mundëson që të mësoni historinë magjepsëse të urës dhe ju çon në pjesën e sipërme të saj, nëpër dy vendkalime transparente ku ju do të mund të shihni lumin që rrjedh poshtë.
E ndërtuar ndërmjet viteve 1886 dhe 1894, Ura zgjidhi sfidën e madhe me të cilën po përballej qyteti i Londrës: si të ndërtohej një urë në rrjedhën e poshtme nga Ura e Londrës, pa ndërprerë aktivitetin e trafikut të lumit. Për të arritur këtë, u paraqitën mbi 50 dizajne të çuditshme dhe të mrekullueshme, disa prej të cilave janë të ekspozuara brenda Urës së Kullave. Projekti i Sir Horace Jones fitoi dhe, pasi u ndërtua, Ura e Kullave ishte ura më e madhe dhe më e sofistikuar në botë.
- Shijoni çajin e pasdites në ish-selinë qendrore të Policisë Metropolitane
Shijoni çajin e pasdites në një vend të pazakontë, siç është ish-stacioni i policisë Scotland Yard, që tani është kthyer në një hotel luksoz Hyatt. I vendosur në një ndërtesë të viteve 1820, të renditur në Klasën II, Great Scotland Yard Hotel ekspozon shumë objekjte historike të policisë, në formën e kujtimeve. Ky objekt ishte, në fund të fundit, ish Shtabi i Policisë Metropolitane, ku detektivët hetuan rastin e vrasësit serial të njohur si “Jack the Ripper”, në epokën viktoriane.
Pasi të shikoni këto objekte historike, shijoni çajin e pasdites të krijuar në bashkëpunim me Floris London, parfumeria e vetme e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës.
Përvoja e çajit të pasdites përkujton Jubileun e Platinit të Mbretëreshës dhe është frymëzuar nga notat e aromës luksoze të parfumit historik britanik, “Platinum 22”, të krijuar posaçërisht për këtë rast. Aroma ka nota nga kopshtet e Madhërisë së Saj, duke përfshirë tërshërën, mjaltin dhe kapelën e aguliçes me kajsi, Violet Battenberg dhe biskotën me linon të Kurorës Perandorake.
- Rezervoni një koncert në klubin e natës historik Koko
Prince dha shfaqjen e tij të fundit në Londër në shkurt të vitit 2015, një koncert sekret, vetëm me ftesa, në Camden’s Koko, një vend historik për muzikën, që daton që nga viti 1900.
Në fakt, lista e koncerteve përfshin emra të famshëm si The Rolling Stones, The Sex Pistols, The Clash, Madonna, Amy Winehouse dhe Kanye West. Pas një zjarri në vitin 2020, që shkriu kupolën ikonë të bakrit të kësaj ndërtese dhe shkaktoi dëme me vlerë miliona paund, Koko u rihap së fundi me një koncert nga Arcade Fire.
Ndërtesa e restauruar rishtazi është e mrekullueshme dhe programi i koncerteve që do të jepen aty është aq emocionues sa kurrë më parë.
- Vizitoni shtëpinë e Vincent van Gogh në jug të Londrës
Shtëpia e Van Gogh në rrugën 87 Hackford në Stockwell, në jug të Londrës, është vendi ku artisti kaloi rininë e tij, përpara se të bëhej piktor. Shtëpia modeste me tarracë gjeorgjiane, ku Vincent van Gogh jetoi midis viteve 1873 dhe 1874, është e hapur për t’u vizituar nga turistët, por paraprakisht duhet të rezervoni. Aty do t’ju ofrohet një tur nëpër dhomat ku jetoi Van Gogh gjatë kohës së tij në Londër, si tregtar i fotografive artistike dhe i printimeve të artit.
Shtëpia nuk shërben thjesht si një kapsulë kohore e vitit në të cilin Van Gogh jetoi në Londër, por ajo është një trashëgimi e jashtëzakonshme e cila ekspozon vepra të famshme artistike. “We Came Here” është një instalacion gjithëpërfshirës nga artisti Harold Offeh, e cila bazohet tek ideja e emigrimit, vendit dhe historisë së jetuar.
Duke eksploruar jetën e të riut Vincent Van Gogh gjatë qëndrimit të tij në rrugën Hackford, Offeh u intrigua nga ideja e artistit si një “emigrant” në Londër, dhe më pas në Francë dhe në Belgjikë. “We Came Here” bazohet te historia e Van Gogh për të treguar perspektivat e emigrantëve të rinj që mbërrijnë në Londrën e ditëve të sotme. /Forbes