Çdo biznes ka ekipet e tij, disa që funksionojnë, duke bashkëpunuar dhe duke përfituar shumë nga frytet e këtij bashkëpunimi, ndërsa të tjerë fatkeqësisht operojnë si grupime individësh që punojnë vetëm, shpeshherë madje në konkurrencë me njëri-tjetrin.
Por, çfarë mund të bëhet për të përmirësuar marrëdhëniet në ekip dhe për të maksimizuar ndikimin e së gjithë organizatës? Shumica e sukseseve në biznes kërkojnë bashkëpunim.
Pjesa më e madhe e drejtuesve të bizneseve pajtohen me idenë se bashkëpunimi i shkëlqyer në ekip sjell më shumë inovacion, vendime më të mira dhe punonjës më produktive e më të kënaqur. Por, ata thjesht nuk kanë një strategji për ta arritur këtë gjë.
Më poshtë mund të gjeni disa rekomandime praktike për këtë sfidë të rëndësishme nga një libër i ri, “Collabor(h)ate”, i cili është shkruar nga një konsulente me përvojë biznesi, drejtuese biznesi dhe studiuese e marrëdhënieve, Dr. Deb Mashek.
- Përcaktoni pritshmëri të qarta për bashkëpunimin.
Llogarisni kohën e nevojshme në fillim të një bashkëpunimi për t’i bërë të qarta pritshmëritë dhe për të kuptuar bashkërisht normat që do të rregullojnë punën e përbashkët. Më pas rishikojeni këtë marrëveshje rregullisht, si pjesë të një kontrolli periodik të planifikuar për ruajtjen e marrëdhënieve.
- Silluni mirë në mënyrë të vazhdueshme, me pritshmëri të përbashkëta.
Jini të sinqertë me veten. Ndoshta ju kundërshtoni pritshmëritë dhe nuk keni asnjë qëllim për t’iu përmbajtur atyre, ose mund të mos e kuptoni arsyen pse vlerësohet një sjellje e veçantë, mund të mos keni aftësitë ose burimet e nevojshme për ta zbatuar atë, ose thjesht nuk ndiheni të motivuar. Sjelljet tuaja të mira do të rrisin gjasat për sjellje të mira nga të tjerët.
- Shmangni daljen në konkluzione për të tjerët.
Kur dikush nuk sillet sipas pritshmërive ose kur diçka shkon keq, truri ynë është mjaft i aftë për të krijuar histori të pasura, bazuar te provat e pakta dhe emocionet tona. Mos lejoni që kjo gjë të fillojë një rreth vicioz që mund ta bëjë të vështirë angazhimin në mënyrë konstruktive kur një koleg i juaji shkel pritshmëritë.
- Jini të hapur ndaj reagimeve për llogaridhënien.
Nëse reagoni në mënyrë mbrojtëse ose nëse ia ngarkoni të tjerëve fajin për ecurinë e dobët, ju humbisni mundësinë për t’u bërë më të mirë në punën tuaj, dëmtoni cilësinë e punës së përbashkët dhe shkatërroni strukturën e besimit në marrëdhëniet me të tjerët. Pranoni gabimet tuaja, falni të tjerët dhe vazhdoni përpara.
- Jini të përgjegjshëm ndaj nevojave të bashkëpunëtorëve të tjerë.
Me kalimin e kohës, personi tjetër do të kuptojë se mund të mbështetet te ju dhe, duke supozuar se edhe ai po bën një përpjekje për t’iu përgjigjur nevojave tuaja, ju do të kuptoni se edhe ju mund të mbështeteni tek ai. Ky reagim i ndërsjellë ndërton një raport besimi, i cili do të nevojitet në situata sfiduese. / INC