Regjistri i Ndërmarrjeve në fund të vitit 2018 numëron 162.835 ndërmarrje aktive, numër pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, raportoi INSTAT në publikimin për Regjistrin e Ndërmarrjeve Ekonomike 2018.
Në raport me një vit më parë, rezulton që personat fizikë, kryesisht bizneset e vogla, janë ulur me 5,216 subjekte, duke zbritur në 93 mijë. Mbyllja e bizneseve të vogla është një dukuri që ka nisur prej disa vitesh, si rrjedhojë nga konkurrenca nga qendrat e mëdha dhe zinxhirët e supermarketeve, por që në 2018-n u përshpejtua dhe më tej, për shkak të uljes së kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në raport me dy vjet më parë, numri i bizneseve të vogla të mbyllura arrin në 7,9000.
Ndërkohë janë rritur subjektet e regjistruara si fermerë, me 4,400 më shumë, duke arritur në 40.9 mijë fermerë, si rrjedhojë e masave për formalizimin e bujqësisë dhe orientimin e fermerëve për t’u pajisur me NIPT në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionet.
Subjektet juridike janë shtuar me 1,166 njësi, duke u rritur në 28.8 mijë.
Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar, dukuri e cila vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018. Ndërmarrjet tregtare zënë 23,2% të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2017, krahasuar me 25% të regjistruara gjatë vitit 2017.
Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë 1,2% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,1% në vitin 2018, nga 47,8% në vitin 2017.
Në Bashkinë e Tiranës janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në Bashkinë e Fushë-Arrëzit shënohet numri më i ulët.
Gratë menaxhojnë 25,7% të ndërmarrjeve aktive gjithsej krahasuar me 29,7% gjatë vitit 2017. Sa u përket ndërmarrjeve aktive që operojnë në Bashkinë e Tiranës, gratë menaxhojnë 33,2% të tyre. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1 – 4 të punësuar, të cilat zënë 91,2% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 19,6% të ndërmarrjeve.
Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,8% të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,9% në vitin 2017 dhe punësojnë 9,6% të të punësuarve gjithsej.
Ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë 64,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 52,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 81,7%.
Në fund të vitit 2018 regjistrohen 172.554 njësi lokale nga të cilat 161.227 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1.608, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,0% të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Numri i të punësuarve në to është 26,6% e të punësuarve gjithsej. Aktivitetet financiare kanë numrin më lartë të të punësuarve për ndërmarrjet që kanë më shumë se një vendndodhje.
Njësitë lokale janë përqendruar në Bashkitë e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit me 54,1% të numrit të përgjithshëm të njësive lokale aktive.
Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 41,3% e ndërmarrjeve aktive. Pothuajse e njëjta situatë është edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018, me 48,7%. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,3% të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 31,6%. Kjo dukuri është e njëjtë si në nivel qarku, ashtu edhe në nivel bashkie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.