570 milionë euro kursime gjatë pandemisë, depozitat arrijnë nivele rekord në 2020

05/02/2021 11:22 AM 0 komente

Depozitat shënuan rritje të ndjeshme në vitin 2020, që është përshpejtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Stoku i kursimeve në vend arriti në 1.11 trilionë lekë, ose gati 9 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90. Në raport me vitin e mëparshëm, depozitat u zgjeruan me 8.2%. Kjo është rritja më e lartë që prej vitit 2011.

Tendenca e rritjes së depozitave është vërejtur në gjithë Europën, ku pasiguria për të ardhmen dhe pamundësia për të shpenzuar pas kufizimit të udhëtimeve ka nxitur konsumatorët që të kursejnë më shumë.

Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemisë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 570 milionë euro.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rritja e depozitave u udhëhoq nga valuta, ndërsa kursimet në lekë ishin të vakëta (si rrjedhojë e rënies së normave të interesit nga viti 2012), në periudhën e pandemisë kursimet janë orientuar nga leku. Depozitat në monedhën vendase u rritën me 11% në 2020-n, duke ndikuar në rreth 60% të rritjes. Ky është një tregues indirekt se depozitat janë nxitur më së shumti nga kursimet e brendshme. Në vlerë absolute, shtimi i depozitave në lekë (me rreth 51 miliardë lekë) shënoi nivelin më të lartë rekord që prej vitit 2007, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Në monedhën vendase janë rritur si kursimet e individëve, ashtu dhe ato të korporatave financiare, por mbi 90% e parave janë vendosur në llogari rrjedhëse, kryesisht për shkak të interesave të ulëta që ofrohen për kursimet afatgjata.

Edhe depozitat në valutë kishin ecuri të mirë, duke u rritur me 6% në 2020-n me bazë vjetore. Rritja e tyre ka ndjekur tendenca sezonale, në gusht dhe në dhjetor, në linjë me prurjet e emigrantëve.

Për valutën, rritja ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të vendosjes së parave në llogaritë rrjedhëse, si nga bizneset ashtu dhe individët.

Rritja më e shpejtë e depozitave në lekë, ka bërë që kursimet në monedhën vendase në fund të 2020-s të zënë 46.5% të totalit, nga 45.5% që ishte kjo peshë në fund të vitit 2019.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of