5G dhe zhvillimi i infrastrukturës fikse, fokusi i investimeve në vitet e ardhshme
Intervistë me drejtorin e përgjithshëm të Vodafone Albania, Achilleas Kanaris
Z. Kanaris, pak ditë më parë sollët një risi për tregun shqiptar duke testuar, për herë të parë në Shqipëri, teknologjinë 5G. Sa është vlera e investimit për futjen e teknologjisë 5G?
5G është një teknologji krejtësisht e ndryshme nga 4G dhe 3G. Ky është një hap revolucionar drejt Shoqërisë Digjitale dhe për këtë arsye, investimet do të jenë të konsiderueshme. Investime tona nuk përfshijnë vetëm 5G, por edhe investime në fibra.
Nuk mund të tregoj një shumë specifike të investimit, sepse ky është një informacion konfidencial. Sidoqoftë, unë mendoj se ajo çka është interesante për konsumatorët, është të shohin çfarë do të sjellë e ardhmja jo shumë e largët. Angazhimi ynë është që në pesë vitet e ardhshme, cilësia e rrjetit 5G të jetë e barabartë me atë të rrjetit Vodafone 4G sot, dhe siç e dini, rrjeti ynë 4G është i shtrirë pothuajse në të gjithë vendin dhe Shqipëria renditet e 15-a globalisht, për shpejtësinë e internetit.
Cilat do të jenë avantazhet e kësaj teknologjie për bizneset dhe konsumatorët?
Teknologjia 5G është transformuese. Nga këndvështrimi i konsumatorit, jeta jonë do të bëhet shumë më e lehtë. 5G do të na japë mundësinë e lidhjes së miliona pajisjeve në rrjet, duke automatizuar procese që aktualisht na marrin shumë kohë nga e përditshmja, duke lidhur në rrjet makinat, rrobat, pajisjet shtëpiake, sistemet e sigurisë etj.
Përmes 5G ne do të ofrojmë shpejtësi shumë herë më të lartë me vonesë shumë herë më të ulët. Ndërkohë që ne flasim, në SHBA po zhvillohen makinat pa shofer, të cilat shumë shpejt do të mbërrijnë edhe në Europë, e që ne vetëm pak ditë më parë e sollëm si demonstrim këtu në Tiranë.
Ajo që dimë me siguri është se sektori i biznesit do të përfitojë më së shumti nga zhvillimi i teknologjisë 5G, me risitë e mundësitë e krijimit të produkteve të reja.
Vodafone, në të gjithë botën, ka realizuar tashmë eksperimente dhe projekte pilot për disa sektorë të ekonomisë. Bujqësia është një prej sektorëve që do të përfitojë konsiderueshëm nga automatizimi i proceseve me 5G. Aktualisht janë aplikuar projekte të fermave të lidhura në rrjet, falë të cilave fermerët janë në gjendje të kontrollojnë me eficencë dhe në kohë reale prodhimin dhe çdo njësi toke të punuar. Rezultatet e kësaj janë: 20% më shumë prodhim, ulje e konsiderueshme e kostove në bujqësi, që shkojnë deri në 40 – 50 %.
Për turizmin, do të zhvillohet përvojë digjitale, pra kushdo që viziton Shqipërinë, do të shoqërohet nga një operator virtual në formën e një aplikacioni, i cili do të japë informacione për restorantet, hotelet, pikat turistike etj.
Shëndetësia është një sektor tjetër që do të përfitojë nga 5G. Sot janë testuar ndërhyrje kirurgjikale në distancë. Në të ardhmen do të bëhet e mundur që pacienti të jetë në Shqipëri dhe ndërhyrja t’i bëhet nga mjekë që ndodhen në SHBA. Ky nuk është trillim shkencor. Është testuar me të vërtetë vetëm disa muaj më parë në Spanjë.
Të gjitha këto janë shembuj të gjërave që aktualisht janë duke u zhvilluar dhe që do të kenë ndikim të madh në vend. Dhe ky është vetëm fillimi. Analogjia që përpiqem të përdor në këta shembuj është rasti kur iPhone u hodh për herë të parë në treg. Askush nuk e kuptoi fillimisht se çfarë revolucioni po ndodhte. 5G është ekuivalent i platformës iPhone.
Ju folët për përfitimet që do të ketë bujqësia? A do të jetë e mundur kjo risi për Shqipërinë, duke pasur parasysh se toka nuk është e ndarë në copa të vogla, për fermerë të ndryshëm?
Çdo ditë që flasim, kostot e një ferme plotësisht të automatizuar vazhdojnë të bien falë teknologjisë 5G. Këtu lind nevoja për një bashkëpunim të ngushtë me sektorin e bujqësisë dhe qeverinë, për të ndërtuar një strategji zhvillimi. Teknologjia ndihmon si në të kuptuarit të tendencave, ashtu edhe për atë që do të jenë produktet më të shitura. Ajo gjithashtu do të ndihmojë operatorët të maksimizojnë prodhimin e të kontrollojnë cilësinë në bujqësi.
Ambasada Amerikane paralajmëroi së fundmi rreziqet e 5G në mbrojtjen e të dhënave personale. Sa të sigurta do të jetë të dhënat pas futjes së kësaj teknologjie në Shqipëri?
Së pari, kjo temë nuk është e re dhe nuk lidhet vetëm me 5G. Siguria e të Dhënave ka qenë një shqetësim i vendeve dhe operatorëve që prej dhjetë vjetësh. Vodafone, ka politika strikte për sa i përket mbrojtjes së të Dhënave. Ne jemi nga operatorët e parë që vendosëm të plotësojmë standardin e GDPR, standard europian ky i ruajtjes së të Dhënave. Ne jemi të parët që po e aplikojmë këtë standard edhe në Shqipëri. Kemi ekspertë të industrisë për të administruar sistemet dhe infrastrukturën e rrjetit. Më konkretisht, në Shqipëri, partnerët tanë kryesorë të teknologjisë janë Ericsson dhe Nokia.
Sa do të investoni për brezin 800 mhz dhe çfarë do të sjellë për konsumatorin?
800 Mhz është frekuenca që kemi blerë kohët e fundit, me një vlerë prej 7,4 milionë eurosh. 5G kërkon frekuenca të ndryshme, 700 MHz dhe 3.5GHz. Ajo që mund t’ju them është se plani ynë i investimeve përfshin angazhimin në blerjen e një spektri të ri. Një mesazh i rëndësishëm që do të doja të dërgoja përmes intervistës sonë është që ne si industri, duhet të punojmë ngushtë me qeverinë, në mënyrë që të përcaktojmë kriteret për tenderin e frekuencave.
Ka këndvështrime të ndryshme që ndiqen në secilin treg. Po përmend Italinë si shembull, ku objektivi i qeverisë ishte të fitonte para në një periudhë afatshkurtër. Pra, ata donin të maksimizonin vlerën e ankandit, për të rritur fitimet në buxhetin e shtetit. Por, për një kohë të gjatë, kjo strategji penalizon industrinë, sepse operatorët harxhojnë shumë para për marrjen e frekuencave dhe limitojnë investimet për shtrirjen e 5G në vend. Ekzistojnë shembuj të tjerë siç është Austria, ku qeveria austriake aplikoi politika lehtësuese, duke vendosur një çmim minimal për frekuencat, u ofroi operatorëve ambiente falas për ndërtimin e stacioneve 5G, me kushtin e vetëm që brenda 2-3 viteve, rrjeti 5G të mbulojë gjithë territorin. Unë do të nxisja qeverinë të mendojë në mënyrë strategjike për kushtet e tenderit 5G.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të telekomunikacioneve në vend? Si po rikonfigurohet ai në përputhje me zhvillimet teknologjike?
Mendoj se tregu i telekomunikacionit në Shqipëri po përballet me dy situata të ndryshme. Tregu celular është shumë i zhvilluar, duke u renditur në vendin e 15-të në rang botëror, për sa i përket cilësisë së rrjetit. Çmimet e telefonisë celulare në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Evropë. Ndërsa, tregu fiks nuk e njeh këtë zhvillim. Ende flitet për epokën e teknologjisë DSL, ndërsa vendet e tjera kanë investuar në fibra për të ofruar shpejtësi më të larta. Objektivi ynë është që të barazojmë standardin e Pay-TV dhe telefonisë fikse me standardin e telefonisë celulare. Ky është qëllimi ynë dhe shpresojmë ta arrijmë atë në vitet e ardhshme me blerjen e Abcom.
Ky nuk është një angazhim i lehtë. Do të duhen shumë investime. Vodafone, sot, është ofruesi më i madh i internetit me shpejtësi të lartë dhe platforma më e madhe pay-TV në Evropë. Ky është një avantazh, pasi kemi ekspertizën e duhur për ta zhvilluar infrastrukturën fikse edhe në Shqipëri.
Si e vlerësoni performancën e Vodafone Albania në treg?
Unë do të thosha se performanca jonë po shkon shumë mirë. Në dy vitet e fundit, Grupi Vodafone ka vlerësuar rritjen e performancës së Vodafone Albania, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi. Kjo është dhe një prej arsyeve pse morëm vendimin për të investuar në telefoninë fikse nëpërmjet blerjes së Abcom.
Si një nga kompanitë më të mëdha të huaja në Shqipëri, a keni edhe ju një rol në çështjet e përgjegjësisë sociale?
Ne kemi qenë shumë aktiv në evidentimin e nevojave të shoqërisë shqiptare, si dhe në hartimin e projekteve për të ndihmuar në lehtësimin e tyre. Kjo nuk është vetëm një strategji e Vodafone Albania, por e Vodafone Group në tërësi. Aktualisht, fokusi ynë është edukimi i të rinjve, pasi mendojmë se aksesi në arsim është thelbësor për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në Shqipëri, cilësia dhe kostoja e arsimit ka nevojë për mbështetje, ndaj lidhur me këtë, ne po hartojmë dy nisma: Një nismë që lidhet me vetë komunitetin e të rinjve, për të cilën nuk mund të zbuloj shumë detaje dhe e dyta, është Akademia e Inovacionit Vodafone, të cilën duam ta shndërrojmë në qendrën kryesore të edukimit, mbi teknologjinë dhe inovacionin në vend. Kjo është një nga shumë fushat, ku ne si Vodafone do të përqendrohemi. Planet tona përfshijnë edhe projekte mbi Mbrojtjen e Planetit, si pjesë e strategjisë së Vodafone Group. Jemi angazhuar të ndikojmë në uljen e ndotjes së mjedisit, riciklimin e pajisjeve, uljen e konsumit të plastikës etj. Vodafone Albania dhe fondacioni i saj kanë një histori të gjatë kontributi shoqëror në vend. Gjatë viteve, përveç investimeve në sektorin e telekomunikacionit, Vodafone ka ofruar mbështetje financiare për projektet me impakt social, në fushën e edukimit, shëndetësisë, mjedisit dhe mirëqenies sociale të njerëzve në nevojë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.