Frekuencat mbi të cilat “udhëton” 5G rrezikojnë të komprometojnë cilësinë e të dhënave që mblidhen nga satelitët e motit që orbitojnë në pole. Për këtë është arritur një marrëveshje për të kufizuar interferencat
Ndoshta në Sharm-el-Sheik, moti është i mirë, por tek ne, në këtë periudhë të vitit me reshje, kontrollimi i aplikacioneve të parashikimeve në pritje të ditëve me diell mund të bëhet i pashmangshëm. Edhe pse nuk është e thjeshtë të parashikosh motin, sot, saktësia është shumë më e lartë se ajo e parashikimeve që do të kishit lexuar në një gazetë të viteve ‘80.
Por ne rrezikojmë të bëjmë hapa pas e të kthehemi aty. 5G kërcënon të ndërhyjë tek instrumentet e parashikimit të motit, duke përkeqësuar cilësinë deri në 30%. Ky është alarmi që jep Organizata Botërore e Meteorologjisë (WMO). Për këtë çështje u diskutua në Konferencën Botërore të Radiokomunikimeve (WRC), që u zhvillua më 22 nëntor pikërisht në Sharm-el-Sheik, ku është arritur një marrëveshje për të kufizuar këtë shqetësim.
Pse 5G kërcënon parashikimet e motit
Problemi që vjen nga rrjeti 5G dhe nga përhapja e tij e ardhshme nëpër botë është brezi i frekuencës. Frekuencat me të cilat vepron 5G janë afër me ato që kapen nga disa satelitë të ndjeshëm të motit, duke rrezikuar në njëfarë mënyre të ngatërrojnë të dhënat – shkruan WMO. Teknologjia vepron në një brez mes 24,25 dhe 27,5 giga-hertz, thuajse i njëjti me atë të satelitëve të motit që orbitojnë rreth poleve 23,6-24 giga-hertz. Këta satelitë janë shumë të rëndësishëm, pasi japin informacione mbi gjendjen e sistemit Terra, duke mbledhur matje “pasive” mbi atmosferën. Matjet pasive kryhen nga instrumente mjaft të ndjeshme, të cilat kapin mikrovalë mjaft të dobëta, që lëshohen natyrshëm nga atmosfera dhe nga sipërfaqja e Tokës. Këto matje shërbejnë në veçanti për të krijuar modele indirekte të motit në zona, si oqeanet, ku nuk ka stacione moti.
Pasojat
Shqetësimi i instituteve të meteorologjisë u dëgjua. Për entin amerikan NOAA – National Oceanic and Atmospheric Administration – rrezikohet të humbasin 77% të të dhënave që japin sensorët e mikrovalëve të satelitëve polarë. Parashikimet tona të motit do të bënin, me pak fjalë, një hap pas në kohë në lidhje me saktësinë. Neil Jakobs, drejtues i entit, tha për Washington Post, se ne do të kthehemi te parashikimet e motit në vitet ‘80. Kjo frikë pohohet edhe nga Eric Allaix, president i Komitetit të Entit Botëror të Motit, i cili merret me radiokomunikime. Megjithatë, 5G dihet që premton rrjete të reja komunikimi, të afta të transmetojnë një volum më të madh të dhënash që do të përdoren në smart city, në trafik, mjekësi dhe natyrisht në tregti. Administrata Trump ka propozuar një kufi shumë të ulët, -20 decibel watt të interferencës së 5G në satelitët e motit, duke përhapur ankthin mes NOAA-s dhe NASA-s. Nga ana tjetër, europianët dhe World Meteorological Organization, synonin që ta ngrinin më shumë këtë kufi në -55 decibel watt. Këto ditë, më së fundi, u arrit një marrëveshje: -33 decibel watt, i cili do të vihet në funksion vetëm në vitin 2027.
Brenda 2025, gjysma e trafikut të të dhënave do të “udhëtojnë” me 5G
Brenda vitit 2025, thuajse gjysma e trafikut të të dhënave nga pajisjet mobile në botë do të “udhëtojë” në 5G, dhe teknologjia do të mbulojë rreth 65% të popullsisë në botë. Parashikimi vjen nga Mobility Report i Ericsson, sipas të cilit që në fund të 2019 do të ketë 13 milionë të abonuar, pjesa më e madhe e të cilëve në Kinë. Raporti parashikon 2,6 miliardë të abonuar brenda vitit 2025, që do të përbëjnë 30% të totalit në botë, ndërkohë që teknologjia LTE, e ashtuquajtura 4G, do të mbizotërojë edhe për shumë vite.
“4G do të jetë teknologjia me mbulimin më të madh për shumë kohë, shpjegon në faqen TechRepublic, Peter Linder, një ndër autorët e raportit. Kalimi te 5G do të ndodhë në zona ku është vërtet i nevojshëm. Nga sot e deri në vitin 2025, shton raporti – në përgjithësi trafiku i të dhënave mobile do të rritet me 27% në vit, me videot që përfaqësojnë 76% të konsumit”.