Graceland, rezidenca-muze ku Elvis Presley jetoi për 20 vjet, po përballet me probleme financiare për shkak të pandemisë.
Kjo rezidencë ka mirëpritur mbi 20 milionë fansa që kur filloi aktivitetin e saj për herë të dytë si muze, duke ofruar disa detaje të vogla për jetën e legjendës së muzikës.
Megjithatë, pas COVID-19, të ardhurat janë ulur dhe rezidenca-muze nuk ka arritur të paguajë detyrimet e saj. Por, gjithsesi, ky mund të mos jetë fundi për këtë atraksionin të famshëm turistik. Numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm këtë vit dhe filmi i ri Elvis po rrit interesin për mbretin e muzikës rock and roll.
Shumë pika të tjera turistike dhe biznese të famshme nuk kanë qenë kaq me fat. Pas pezullimit të udhëtimeve për shkak të pandemisë, bizneset e varura nga turizmi ranë si në efekt domino dhe, për shumë prej tyre, nuk pati asnjë përmirësim.
1. Jumbo Kingdom, Hong Kong
Jumbo Kingdom ishte një restorant i famshëm lundrues që shërbente specialitete të Provincës së Kantonës që kur u hap në vitin 1976. Anija me tre nivele ishte projektuar si një pallat perandorak dhe ka mirëpritur Mbretëreshën Elizabeth II, Princin Philip, si dhe shumë personalitete të famshme, duke përfshirë Tom Cruise.
Ishte një sakrificë e madhe financiare për të mirëmbajtur këtë restorant pas pandemisë dhe, në kushtet e mungesës së investimeve private apo të një pakete ndihme nga qeveria, ai nuk mund të shpëtonte.
Në qershor, pasi kishte qenë i mbyllur që nga viti 2020, ai u hoq përfundimisht nga porti, pasi vendasit i dhanë lamtumirën restorantit në ujërat e qytetit. Fatkeqësisht, disa ditë më vonë, anija u mbyt në Detin e Kinës Jugore, rrugës për në një kantier detar.
2. Gibert Jeune, Paris
I ndodhur në lagjen Latin të Parisit, dyqani kryesor i rrjetit të librarive Gibert Jeune u mbyll që në muajin mars të vitit të kaluar. Dyqani historik kishte pasur studentë, adhurues të librave dhe plot turistë që kalonin pragun e tij gjatë pesë dekadave, përpara se pandemia të rezultonte në mbylljen e librarisë.
Vendasit mund të vazhdojnë t’i gjejnë librat në dyqanin tjetër përballë Notre Dame dhe në vende të tjera në të gjithë Francën, edhe pse dyqani historik me tenda të verdha në Place Saint Michel nuk ekziston më.
3. Restoranti Rrotullues “Prima Tower”, Singapor
Restoranti i njohur rrotullues i Singaporit u mbyll pas 43 vitesh që u shërbente klientëve kuzhinën karakteristike të Pekinit. Ai ofronte pamje të mrekullueshme të Sentosa-s, të teleferikut të Singaporit dhe të malit Faber për klientët e tij, nëpërmjet rrotullimit të plotë të platformës ku ndodhej restoranti, i cili zgjaste një orë.
Restoranti ndaloi së rrotulluari pas goditjes së COVID-19 dhe, me problemet në sektorin e shërbimeve, ai nuk mund të rihapej më.
4. Restoranti “City Tavern”, Filadelfia
Si një restorant me stil kolonial, City Tavern ndodhej në qytetin e vjetër të Filadelfias, ku dikur ka qenë një tavernë e vitit 1773. Kjo ndërtesë ishte një kopje e ndërtesës origjinale, e cila u dogj në vitin 1834, dhe, përgjatë 26 viteve të fundit, ajo drejtohej nga shefi Walter Staib.
Të veshur me kostume të shekullit të 18-të, kamerierët servirnin pjata të tilla si supën e famshme me piper të West Indies dhe byrekun kolonial me gjel deti, për ata turistë që dëshironin të shijonin stilin e të ngrënit të shekullit të 18-të. Por, për shkak të pandemisë, restoranti u mbyll përkohësisht dhe më pas përgjithmonë në vitin 2020.
5. Shtëpia në shkëmb, San Francisko
Kjo shtëpi në shkëmb u ndërtua për herë të parë në vitin 1863, pas zbulimeve të mëdha të rezervave të arit. Gjatë historisë së saj 157-vjeçare, ajo u shkatërrua nga zjarret dy herë – në vitin 1894 dhe në vitin 1907, megjithëse i mbijetoi tërmetit të vitit 1906.
Me pamje të jashtëzakonshme nga bregu i Paqësorit, ky restorant mbi shkëmb pësoi ndryshime me kalimin e viteve dhe u bë shumë i dashur për vendasit. Nga një vend ekskluziv për të pasurit, e derisa u bë një perlë që shërbente si atraksion turistik, kjo ndërtesë ka kaluar disa faza, dhe ndoshta pas pak vitesh mund të hapet një kapitull i ri për të.
Por, pse u mbyll ajo? Pronarët Dan dhe Mary Hountalas thanë në një deklaratë në faqen e internetit të restorantit se ata kanë ushtruar aktivitetin për plot 47 vite e gjysmë, por megjithatë nuk mundën të negocionin një kontratë me Shërbimin e Parqeve Kombëtare që nga viti 2018. Pandemia ishte goditja e fundit dhe ata duhej t’i thonin lamtumirë shtëpisë në shkëmb.
6. Hoteli “Roosevelt”, Nju Jork
18 dhjetor, viti 2020, ishte data e fundit e aktivitetit për hotelin tërheqës “Roosevelt” të Manhatanit. Pas gati një shekulli, ky hotel, në pronësi të Pakistan International Airlines, njoftoi se pandemia kishte dhënë një goditje të madhe për këtë biznes dhe, si rrjedhojë, do të mbyllej për shkak të kërkesës së ulët.
Ky ishte një vend historik dedikuar Presidentit Teodor Ruzvelt. Hoteli ishte funksional gjatë Luftës së Dytë Botërore. Guy Lombardo dhe orkestra e tij kanë dhënë shfaqje në këtë hotel për 30 vite. Ata krijuan traditën e këndimit të Auld Lang Syne çdo Vit të Ri pas shfajes së tyre.
Këtu është gjithashtu vendi ku Thomas Dewey pranoi humbjen në zgjedhjet presidenciale ndaj Harry Truman në vitin 1948 (megjithëse gazetat kishin shpallur se Dewey e kishte mundur Trumanin).
Hoteli është shfaqur në shumë filma, si Maid in Manhattan, The Irishman dhe Wall Street. /Fodors