Si lider, të dini të komunikoni me punonjësit është e rëndësishme për suksesin e kompanisë.
Aftësia për të thënë fjalën e duhur në momentin e duhur mund të jetë një burim frymëzimi për punonjësit dhe ndonjëherë, mund të sjellë stimulin e domosdoshëm moral për të cilin ekipi ka nevojë për t’u bërë më produktiv dhe për t’u angazhuar më shumë në punën e tij. Por të dini se çfarë të thoni për të nxitur këtë lloj përgjigje nuk është gjithnjë e lehtë.
6 sipërmarrës japin këshillat e tyre për këtë çështje…
Nuk e di
Të pranosh tek punonjësit se nuk e dini diçka apo se nuk i keni të gjitha përgjigjet nuk është shenjë dobësie. Përkundrazi, është një nga gjërat më të mira që mund të bëni për kompaninë tuaj dhe për rolin tuaj si lider, thotë bashkëthemeluesja e eMerchantBroker, Blair Thomas.
“Promovimi i bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje, u jep mundësi punonjësve të ndërveprojnë e të jenë të pavarur dhe ju bën të kualifikuar. Transparenca krijon një kulturë të fortë” – shpjegon Thomas, duke paralajmëruar se të përpiqeni të dukeni gjithnjë kompetentë dhe të kualifikuar mund të ketë në të vërtetë një efekt negativ.
Çfarë mendon?
“Drejtuesit flasin shumë dhe nuk dëgjojnë mjaftueshëm” – thotë David Boehl, bashkëthemelues dhe CEO i GoLastMinute, duke shpjeguar se kjo lloj sjellje nxit kulturën e të thënët “po” që mund të jetë e dëmshme në afat të gjatë për kompaninë.
Drejtuesit duhet të krijojnë një hapësirë të sigurt dhe të nxisin punonjësit të ndajnë mendimet dhe sugjerimet, si një mënyrë për të garantuar mendimin ndryshe brenda kompanisë. “Drejtuesit duhet të pyesin vazhdimisht punonjësit mbi mendimin dhe idetë që mund të japin” – thekson Boehl.
Çfarë do të bënit nëse nuk do të isha këtu?
T’u kërkosh punonjësve se çfarë mendojnë mund të mos jetë e mjaftueshme – drejtuesit duhet të bëjnë më të mirën për t’u dhënë atyre mundësinë për të marrë vendime në vend të tyre, thotë Kelsey Raymond, bashkëthemelues dhe president i Influence & Co.
“Në vend që të ndiheni sikur të kishit gjithnjë përgjigjen e duhur, kërkojuni punonjësve se si do ta menaxhonin një situatë, sikur ju të mos ishit aty, dhe kur kanë një ide të madhe, nxitini të veprojnë herën tjetër” – këshillon Raymond.
Shfaqni vlerësim
“Të shfaqni vlerësim është shumë e rëndësishme” – thotë themeluesi dhe CEO i Fortress Consulting, Joel Mathew, i cili shton se nëse çdo sipërmarrës sheh me sinqeritet në rrugëtimin e tij do të kuptojë se ka marrë shumë ndihmë nga njerëz të cilët e kanë vlerësuar.
“Ua them shpesh punonjësve të mi, ndikimi është i prekshëm. Duke shfaqur vlerësimin për ndihmën e marrë, tregoni se jeni në këtë gjë së bashku, dhe se ai person nuk punon thjesht për ju, por me ju” – thekson Mathew.
Keni bërë një punë të mirë. Ja si mund ta përmirësoni
Përveç shfaqjes së vlerësimit për punonjësit kur bëjnë punë të mirë, është po aq e rëndësishme të komunikoni kur ka hapësirë për përmirësim – sipas Piyush Jain, CEO i SIMpalm.
“Është e rëndësishme të njohësh dhe të vlerësosh gjërat e duhura që janë duke bërë, në mënyrë që të ndihen mirë, por për të mos fryrë egon e tyre, duhen komunikuar edhe disa gjëra të cilat mund të përmirësohen” shpjegon Jain, i cili pohon se e zbaton të njëjtën teknikë edhe për veten.
Çfarë mund t’jua bëjë jetën më të lehtë?
Është e lehtë të thuash faleminderit apo t’u kërkosh punonjësve se si t’ua bësh punën më produktive. Por një gjë që shumë drejtues e shmangin është të pyesin se si mund t’i bëjnë gjërat më të thjeshta për personelin e tyre – thotë presidenti i PaperStreet Web Design, Peter Boyd.
“Kur pyesni dikë se çfarë mund ta bëjë jetën e tij më të thjeshtë, do të thotë se çfarë nuk funksionon (më së shumti profesionalisht, por ndonjëherë edhe personalisht)” – shpjegon Boyd. “Në mjedisin e punës, këto janë gjëra që mund të zgjidhen”. Nga pikëpamja personale, është më e vështirë, por ndonjëherë mund të ofroni ndihmë edhe në këtë drejtim”.
Burimi: INC
*Mendimet e shprehura nga sipërmarrësit janë personale, nuk përfaqësojnë ato të INC