Nëpër botë, punonjësit janë nën një trysni të madhe, për të arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Duhet të përmendet gjithasut stresi i shtuar i inflacionit të lartë dhe pasojave mendore të një pandemie globale.
Edhe përpara se ngjarjet e trazuara të lidhura me Covid-19 të fillonin në vitin 2020, një studim nga Deloitte zbuloi se 77% e të gjithë punonjësve me kohë të plotë në SHBA, përjetuan një formë të burnout në punët e tyre aktuale.
I njëjti studim zbuloi se 70% e të anketuarve, mendonin se punëdhënësit e tyre nuk po bënin mjaftueshëm për ta lehtësuar atë.
Ndikimet e burnout përfshijnë energji të ulët, ankth, mungesë motivimi, mosangazhim, norma më të larta të largimit të punonjësve, dhe madje edhe kriza të plota të shëndetit mendor.
Prandaj, është thelbësore të gjenden mënyrat se si pronarët dhe drejtuesit, mund t’i ndihmojnë ekipet të shmangin llojet e stresit kronik në punë, që pengojnë produktivitetin.
1. Nxisni ekuilibrin punë – jetë
Një nga mënyrat më të sigurta për të shmangur burnout, është duke nxitur një ekuilibër të shëndetshëm punë-jetë midis anëtarëve të ekipit.
Meqenëse kjo është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me kulturën e kompanisë, drejtuesit kanë shumë kontroll mbi të.
Filloni duke dhënë shembullin e duhur: Ndryshime të thjeshta, të tilla si mosdërgimi i email-eve gjatë fundjavave ose vonë në mbrëmje, mund të ndihmojnë.
Shpesh, burnout mund të rrjedhë nga stresi, që shkaktohet nga pamundësia për t’u marrë me çështje personale ose familjare. Pra, mund të përqafoni marrëveshje të veçanta, si puna në distancë dhe/ose me orë fleksibël.
Edhe shmangia e takimeve të panevojshme, mund ta mbajë stafin më produktiv dhe t’i lejojë anëtarët e tij të largohen nga zyra në një kohë të arsyeshme.
2. Barazoni ngarkesat e punës
Shpeshherë burnout është rezultat i të paturit shumë detyra njëkohësisht. Është përgjegjësia juaj si drejtues, që të siguroheni që ngarkesa e punës, të shpërndahet në mënyrë të barabartë dhe të identifikoni kur nevojiten burime shtesë.
Jeta e ekipit do të bëhet më e lehtë, nëse i ofrohen mjetet dhe teknologjia, që u nevojiten, për të përmirësuar përpjekjet e tyre.
Investimi në gjëra të tilla si automatizimi ose Inteligjenca Artificiale, mund të ndihmojë në uljen e ndikimit të detyrave të përsëritura dhe/ose që kërkojnë kohë.
3. Mbështetni vendosjen e kufijve në punë
Ka shumë mundësi që të keni disa njerëz në ekip, që punojnë si makina. Ata thonë “po!”, sa herë që dikush ka nevojë për ndihmë.
Por, burnout do të ndikojë edhe tek ata. Nxitini punonjësit që të flasin kur bëhet fjalë ngarkesën e punës dhe të thonë “jo”.
4. Krijoni sfida të reja dhe emocionuese
Burnout nuk është gjithmonë rezultat i të qenët i mbingarkuar. Në shumë raste, vjen thjesht nga mospëlqimi i asaj që po bëni.
Një studim në një artikull të Harvard Business Review i vitit 2019, zbuloi se 90% e njerëzve ishin të gatshëm të fitonin më pak para, nëse kjo do të thoshte se mund të merrnin një rol ose punë, që prodhon punë më kuptimplotë.
Ofrimi i mundësive për të mësuar aftësi të reja dhe për të marrë përsipër sfida të reja, mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e burnout.
Rilidhja e punës së një ekipi me objektivin e përgjithshëm të kompanisë dhe dhënia e rëndësisë së roleve të tyre specifike, mund t’i ndihmojë ata të ripërqendrohen dhe motivohen.
5. Kontaktoni drejtpërdrejt ekipet
Shumica e drejtuesve kanë kontrolle të rregullta ose pika kontakti me anëtarët e ekipit. Këto janë mundësi të mira për të parë, se si ata po përparojnë në objektivat e tyre dhe për të përcaktuar se si mund t’i mbështesni më mirë.
Thënë kështu, diskutimi rreth burnout, nuk është gjithmonë i lehtë për njerëzit, prandaj pyesni drejtpërdrejt për nivelet e stresit dhe shkaqet e tjera të mundshme të burnout.
Duke i inkurajuar ata të jenë të hapur, mund të zbuloni çështje, që mund të zgjidhen përpara se të bëhen probleme të mëdha.
6. Ofroni mbështetje për problemet e shkaktuara nga stresi
Menaxhim i stresit të tepërt përpara se të bëhet problem, është ideale, por si e trajtojnë drejtuesit burnout, që mund të jetë i rrënjosur në ekip?
Një fillim i mirë është ofrimi i programeve të ndihmës së punonjësve, që ofrojnë shërbime konfidenciale këshillimi dhe mbështetjeje, për të ndihmuar në përballimin e çështjeve personale dhe të lidhura me punën.
Pavarësisht nëse është stres, ankth apo sfida të tjera, programe të tilla mund të sigurojnë mjetet e nevojshme për të menaxhuar shëndetin mendor dhe mirëqenien e përgjithshme.
Përveç kësaj, organizatat mund të organizojnë seminare mbi teknikat e menaxhimit të stresit, si menaxhimi i kohës, ushtrimet e relaksimit dhe praktikat e ndërgjegjësimit. / Entrepreneur