Nëse ka një frazë që e kemi dëgjuar vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit, është se puna nuk do të jetë më kurrë e njëjta. Në prag të vitit 2022, kush do ta kishte imagjinuar ndonjëherë se do të ishim ende duke u munduar të gjenim kuptimin e kësaj shprehjeje?
Edhe pse gjendja e punës dhe bota në tërësi vazhdojnë të evoluojnë, ne kemi përzgjedhur disa elemente – kryesisht, temat që përshkruajnë më së miri punën gjatë gjithë vitit 2021 dhe që do të përcaktojnë vitin e ardhshëm e ndoshta edhe ato në vijim.
Xhindi me punë fleksibël doli jashtë shishes
Nuk u desh shumë kohë që një numër i madh punonjësish të kuptonin se sa shumë u pëlqente puna në distancë dhe të gjithë elementet që shoqërojnë atë. Por në vitin 2020, ndryshimet në strukturat e punës ishin reaguese ndaj pandemisë dhe ishte e vështirë për punonjësit të dinin se cilat ndryshime do të vazhdonin të mbeteshin ashtu.
Një vit më pas, nuk ka më rëndësi se çfarë mendohej se do të ishte e përkohshme. Punonjësit tani po jetojnë në një botë me struktura të ndryshme të javës së punës, komunikim asinkron dhe punë të përhershme në distancë – dhe tani që ata kanë provuar të kenë më shumë fleksibilitet në punën e tyre, ka shumë pak gjasa që punëdhënësit të mund të revokojnë ndryshimet që ka sjellë pandemia (pavarësisht planeve të tyre të dikurshme).
Një numër gjithmonë e më i madh kompanish tani po i japin stafit shumë më tepër liri për të zgjedhur se ku punojnë. Kompani të tjera, si Unilever në Zelandën e Re, madje edhe vende të tëra si Islanda, kanë filluar të eksperimentojnë javën me katër ditë pune. Një numër më i lartë biznesesh private dhe vendesh po provojnë programe të reja; Spanja pritet të nisë programin e saj pilot të javës me 32 orë punë në vitin 2022.
Ky ndryshim dhe këto eksperimente janë tepër pozitive për të punësuarit. Shumë prej tyre raportojnë një ekuilibër më të mirë të punës dhe jetës, për shkak të punës fleksibël (megjithëse dita mesatare e punës në rang global është zgjatur gjatë pandemisë) dhe një mori punonjësish kanë thënë se do të japin dorëheqjen nëse punëdhënësit i thërrasin përsëri për të punuar përgjithmonë nga zyra.
Për më tepër, për shkak të numrit më të madh të vendeve të lira të punës krahasuar me numrin e punëkërkuesve që do t’i plotësojnë ato, punonjësit aktualisht kanë më shumë mundësi në dorë që t’i detyrojnë kompanitë të vazhdojnë të zbatojnë këto marrëveshje.
Punëdhënësit po ndryshojnë duke përmbushur më shumë dëshirat e punonjësve
Ndoshta dy fjalët më të përsëritura të vitit 2021 ishin ‘Dorëheqja e madhe’.
Eksodi masiv i punonjësve dhe riorganizimi i punës është dokumentuar më gjerësisht në SHBA, ku punonjësit amerikanë vazhdojnë të lënë punët e tyre në numra rekord çdo muaj. Por, një trend i ngjashëm po fillon të shfaqet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku punonjësit po raportojnë gjithnjë e më shumë një dëshirë për të ndryshuar vendet e punës, ose po marrin vendimin për të dhënë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës. (Të dhënat për këtë fenomen në vendet e tjera variojnë; për shembull, në Australi, punonjësit më tepër po ndryshojnë vendet e punës sesa po largohen masivisht nga punët e tyre aktuale.)
Në të gjithë botën, këta punonjës që japin dorëheqjen, që mendojnë të largohen nga vendi i punës ose që ndryshojnë vendin e punës duke kaluar në pozicione të tjera, kanë ushtruar presion mbi punëdhënësit për të ofruar më shumë benefite për të tërhequr dhe mbajtur talentet në kompanitë e tyre. Edhe ajo çfarë duan punonjësit ka ndryshuar: ata raportojnë se kërkojnë përfitime më të personalizuara, akses në shërbimet e shëndetit mendor, asistencë për kujdesin e fëmijëve, pagë për punën në shtëpi dhe fleksibilitet të përgjithshëm në organizimin e aranzhimeve të tyre të punës.
Shumë kompani kanë bërë një hap përpara duke i përmbushur këto dëshira, ndërsa një numër më i madh kompanish kanë njoftuar se po përgatisin plane për t’i përmbushur ato. Gjatë verës, kompanitë e mëdha, duke përfshirë LinkedIn dhe Nike, u mbyllën tërësisht për ditët dhe javët e shëndetit mendor – një lëvizje e paprecedentë për një shoqëri kapitaliste të drejtuar nga produktiviteti.
Zgjerimi i hendekut të pabarazisë midis punonjësve
Pavarësisht përfitimeve që shumë punonjës morën në vitin 2021 dhe rritjes së ndikimit të tyre në tregun e punës, jo të gjithë kanë dalë të fituar. Pandemia ka ekspozuar – dhe ka krijuar – më shumë pabarazi.
Për punonjësit e linjës së parë dhe të sektorit të shërbimit, kthimi në punë në një botë ende kaotike dhe plot pasiguri nuk ka qenë një zgjedhje dhe shumë prej tyre u është dashur të përballen edhe me pakënaqësitë dhe ankesat e klientëve të stresuar nga situata e përgjithshme. Shumë prej këtyre punonjësve ndodhen në gjendje të vështirë, ndërsa bizneset kanë mungesa të stafit sidomos në industritë e tilla si turizmi dhe transporti, që ende nuk janë rikuperuar plotësisht për shkak të pandemisë.
Gjithashtu, jemi bërë të vetëdijshëm se mundësitë për punë efikase dhe komode në distancë nuk janë të barabarta për punonjësit e të gjitha fushave, pasi jo të gjithë kanë disa shërbime bazë si interneti i qëndrueshëm me shpejtësi të lartë apo një hapësirë për të punuar në mënyrë të qetë. Punëtorët e niveleve fillestare dhe ata më të rinj në përgjithësi nuk kanë hapësirat e tyre ku të mund të punojnë dhe kjo është një nga arsyet pse ata kërkojnë të kthehen në zyrë, të paktën disa ditë në javë.
Ekziston gjithashtu frika se gratë që janë në gjendje të kthehen në punë dhe të rifillojnë karrierën e tyre, mund të mbeten prapa kolegëve meshkuj që punojnë vazhdimisht në zyrë, për shkak të paragjykimit që lidhet me prezencën në zyrë – duke përkeqësuar hendekun gjinor.
Eleminimi i pabarazive është hapi i parë drejt ndryshimit, por mbetet e paqartë se çfarë mund të trajtohet dhe çfarë do të trajtohet, si individualisht ashtu edhe në të gjithë sistemin, veçanërisht kur rrethanat janë ende në ndryshim.
Pesha e rëndë e dobësimit të ekuilibrit punë-jetë
Disa punonjës kanë raportuar një ekuilibër më të mirë punë-jetë gjatë vitit të kaluar – kryesisht, për shkak të punës në distancë dhe fleksibël. Por kjo nuk ka ndodhur për të gjitha rastet.
Në mungesë të udhëtimit për në punë dhe të dyerve të zyrave prej të cilave largohesh nga puna, shumë punonjës e kanë më të vështirë të vendosin vija ndarëse midis jetës personale dhe asaj profesionale. Ata u përgjigjen telefonatave në çdo orë të ditës, u përgjigjen mesazheve në telefonin e tyre sapo zgjohen nga gjumi dhe dërgojnë email-e pasi kanë vënë fëmijët e tyre në shtrat.
Problemi i hasur para pandemisë, ai që lidhje me rëndësinë më të madhe të prezencës në punë sesa me produktivitetin e punonjësit, vazhdon të ekzistojë edhe në botën dixhitale. Në shumë raste, është e paqartë nëse shefat me të vërtetë presin që drita e statusit “online” të jetë jeshile gjatë gjithë kohës, ose nëse presioni vjen nga vetë punonjësit – por ajo që dihet ështe se ditët e punës janë zgjatur dhe shkëputja nga puna në kushtet e shtëpisë duket e pamundur, pavarësisht faktorit që e sjell këtë.
Nuk është për t’u habitur fakti që “burnout”-i dhe puna e papaguar jashtë orarit janë rritur me ritme të shfrenuara, veçanërisht në grupe të caktuara si menaxherët e nivelit të mesëm dhe gratë. Shumë biznese po punojnë me stafe të reduktuara për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, e cila po ushtron një presion të jashtëzakonshëm ndaj atyre që e përballuan valën e Dorëheqjes së Madhe.
Jemi larg përsosjes së punës hibride
Në vitin 2021, supozohej që ne duhet të fillonim aplikimin e plotë të punës hibride.
Si punonjësit, ashtu edhe punëdhënësit, prisnin të mblidheshin përsëri së bashku dhe të ndërmerrnin një hap të ri. Shumë kompani madje investuan para për të ridizenjuar zyrat e tyre, në shumë raste duke eliminuar grumbujt e tavolinave dhe duke shtuar më shumë hapësira bashkëpunimi dhe ndarje izoluese mes punonjësve për të përmbushur kërkesat e tyre, në një kohë kur qëllimi i zyrës ka ndryshuar.
Por, ne ende nuk kemi arritur në një model të qëndrueshëm të punës hibride. Rikthimi në zyrë ka qenë i copëtuar; disa biznese i kanë rikthyer punonjësit në zyrë me kohë të pjesshme, por këto politika ndryshojnë shumë në varësi të vendeve, industrive dhe punëdhënësve dhe nuk kanë qenë të qëndrueshme për shkak të natyrës gjithmonë në ndryshim të situatës së pandemisë.
Pavarësisht se sa shumë vazhdojmë të spekulojmë se ҫfarë do të funksionojë dhe çfarë nuk do të funksionojë për sa i përket punës hibride, ҫdo gjë mbetet në kuadrin e spekulimeve. As punonjësit dhe as bizneset nuk e kanë ende përvojën reale që u nevojitet për punën hibride, ҫka do të thotë se struktura hibride që po reklamohet si e ardhmja e vendeve të punës mbetet një proces në vazhdim.
Fluturim i verbër drejt së ardhmes të parashikueshme
Ne e dimë tashmë se ka shumë mundësi që, për ca kohë, të mos gjejmë dot stabilitetin e duhur si në punë, ashtu edhe në jetën tonë. Në një periudhë kur vazhdojnë të shfaqen variante të reja të Covid-19, bërja e planeve solide për të ardhmen është e pamundur – për të mos thënë që është pothuajse për të qeshur.
Për shembull, ndryshimi i rrethanave ka detyruar shumë kompani, përfshirë Google, të cilat më parë kishin plane konkrete për të rikthyer punonjësit e tyre në zyra, të ndryshojnë kursin dhe të shpallin direktiva tërësisht të reja. Për më tepër, edhe nëse jeta stabilizohet pak më shumë, ne vazhdojmë të jemi në grahmat e zbatimit të politikave krejtësisht të reja, të tilla si puna në distancë dhe ajo hibride, të cilat në thelb janë eksperimente, efektet dhe rezultati përfundimtar i të cilave nuk dihen ende.
Duke pritur me padurim për vitin 2022, duket se e vetmja konstante do të jetë ndryshimi, qoftë ky i lidhur me politikat e kompanive të mëdha, qoftë me imtësitë e përditshme. Jemi ende shumë larg “normales” – por shpresojmë se së shpejti do të kemi më shumë përgjigje sesa pyetje. / BBC