Sistemi bankar dha rreth 25.2 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit qershor.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e kredisë së re u rrit me pothuajse 29% krahasuar me majin, por ishte në një nivel më të ulët krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, me rreth 2.8% kredi të disbursuar më pak.
Qershori i vitit 2020 pati shifra të larta të kredisë, sepse ishte muaji i parë pas rihapjes së ekonomisë nga mbyllja tremujore dhe në atë periudhë u çlirua një pjesë e mirë e kërkesës së akumuluar gjatë mujave të kufizimeve.
Një rol gjithashtu pati luajtur edhe skema e garancisë sovrane për kredi me qëllim pagesën e pagave të punonjësve. Ndikimi i këtij faktori mund të kuptohet tërthorazi edhe nga ndryshimi i kredisë së re sipas segmenteve të tregut. Për qershorin, kredia e re për bizneset ra me 22%, ndërsa për individët ajo shënoi një rritje me 83% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pavarësisht rënies së lehtë të muajit qershor, kreditimi i ekonomisë deri tani është në nivele më të larta krahasuar me një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjashtë muaj bankat kanë disbursuar rreth 109.6 miliardë lekë kredi, 10.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe për 6-mujorin, kontributi në rritje ka ardhur i gjithi nga individët, ku kredia e re është rritur me 62%, ndërsa për bizneset kredia e re paraqitet në rënie me pothuajse 9%.
Megjithë rritjen gjatë këtij 6-mujori, kredia ende nuk ka arritur nivelet e periudhës së pandemisë. Statistikat tregojnë se kredia e re është më e ulët me mesataren e 6-mujorit të parë për periudhën 2016-2019.
Pavarësisht se ekonomia është në përmirësim dhe i është kthyer rritjes pozitive që prej tremujorit të fundit 2020, ndikimi i pandemisë është ende i prekshëm në treguesit e prodhimit dhe sidomos të punësimit.
Rritja e kreditimit është më e ndjeshme, e matur si tepricë (vlerë aktive) e portofolit. Në fund të muajit qershor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 624.4 miliardë lekë. Vetëm gjatë muajit qershor, portofoli i kredisë u rrit me 0.9%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 5.9%.
Pavarësisht se kredia e re ende nuk ka arritur nivelet e para pandemisë, rritja e portofolit duket më e qëndrueshme për disa arsye. Së pari, bankat kanë ulur ndjeshëm vlerën e kredive të humbura të nxjerra jashtë portofolit.
Ky faktor luajti një rol të rëndësishëm ën uljen e raportit të kredive me probleme, sidomos deri ën fund të vitit 2019. Por, nga ana tjetër, fshirja e tyre luajti një rol gërryes edhe në vlerën totale të portofolit, duke bërë aq ajo të qëndronte shumë vite në stanjacion, pavarësisht se disbursimet e reja ishin në nivele të konsiderueshme.
Një element tjetër që duhet konsideruar është edhe struktura e kredisë sipas produkteve. Deri para pak vitesh kredia, sidomos ajo për biznesin, mbështetej tek overdraftet dhe financimet për kapital qarkullues. Këto kredi përgjithësisht janë afatshkurtra dhe kanë një cikël të shpeshtë rifinancimesh.
Ajo që statistikisht raportohej si kredi e re, në fakt konsistonte, në një pjesë të madhe, në rinovimin e linjave të maturuara të kredisë për biznesin. Rrjedhimisht, edhe efekti në rritjen e portofolit total ishte më i vogël.
Në dy vitet e fundit, kredia e re po shkon sidomos për qëllime afatgjata investimi, kryesisht në pasuri të paluajtshme, por edhe për investime të tjera të biznesit në mallra kapitale. Kjo e ka ndryshuar strukturën e portofolit në favor të kredisë më afatgjatë dhe që siguron rritje më të qëndrueshme.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.