Deficiti i llogarisë korrente ka shënuar nivelin më të ulët historik për 6-mujorin e parë të vitit.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2023 deficiti kishte vlerën e 323 milionë eurove, në rënie me 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson balancën mes flukseve korrente hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi. Për gjysmën e parë të këtij viti ky deficit ka shënuar vlerën më të ulët historike, të paktën që nga viti 2008 e në vazhdim, periudhë që mbulohet nga seria kohore e statistikave të bilancit të pagesave nga Banka e Shqipërisë.
Shqipëria ka pasur gjithmonë një pozicion deficitar të llogarisë korrente, sepse është një ekonomi e varur në një masë të madhe nga importet e mallrave. Deficiti tregtar në mallra vazhdoi të thellohet edhe këtë vit, me pothuajse 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e deficitit në mallra ka ardhur sidomos gjatë tremujorit të dytë, kur, rritja e turizmit ka shtuar kërkesën për mallra konsumi.
Por, bilanci tregtar në shërbime prej vitesh është pozitiv dhe luan një rol të rëndësishëm në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente. Suficiti në shërbime u zgjerua me 26% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke dhënë kontributin kryesor në përmirësimin e bilancit të pagesave
Rritja e suficitit të llogarisë së shërbimeve erdhi sidomos nga zgjerimi i ndjeshëm i të ardhurave nga turizmi dhe nga fasoneria.
Të ardhurat neto nga turizmi për 6-mujorin e parë të vitit arritën vlerën rekord të 577 milionë eurove, në rritje vjetore me 71%.
Ndërsa të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneria) arritën në 394 milionë euro, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në këtë zë, të ardhurat neto prekën vlerën më të lartë historike.
Kontribut pozitiv në uljen e deficitit të llogarisë korrente dhanë edhe të ardhurat dytësore të kësaj llogarie, që konsistojnë në pjesën dërrmuese në të dërgesat të emigrantëve.
Lëvizjet në bilancin e pagesave janë në teori faktori kryesor që ndikon edhe ecurinë e kursit të këmbimit të lekut, sidomos kundrejt Euros, që është edhe monedha kryesore e këmbimeve tregtare të vendit. Në fakt, këtë vit Euro ka prekur nivelet më të ulëta historike në kursin e këmbimit me lekun.
Në tremujorin e dytë, niveli më i ulët i kursit ishte 105.62 lekë, por rënia do të thellohej më shumë në tremujorin e tretë, kur Euro zbriti deri në nivelin e 100.49 lekëve. Përmirësimi në bilancin e pagesave, duket se e shpjegon në një masë të madhe mbiçmimin e ndjeshëm të monedhës vendase.
Gjithashtu, edhe rritja e të investimeve të huaja direkte ka ndikuar pozitivisht në shtimin e flukseve valutore hyrëse në ekonomi. Për 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 686 milionë euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte paraqitet në rritje me afërsisht 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë mënyrë, investimet e huaja direkte kanë tejkaluar ndjeshëm, me më shumë se dy herë deficitin e llogarisë korrente të vendit./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.