Investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 634 milionë Eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Veçmas edhe tremujori i dytë i vitit ka shënuar një fluks rekord të investimeve të huaja direkte, me 337 milionë euro. Kjo shifër është 43% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe njëkohësisht vlera më e lartë e investimeve të huaja e regjistruar ndonjëherë në një tremujor të vetëm.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë 2022, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e hidrokarbureve, në masën 18%, energjetikës, në masën 13%, ndërmjetësimit financiar, në masën 5%, si edhe komunikacionit, në masën 2%.
Rritja e investimeve të huaja direkte është mbështetur njëkohësisht nga shtimi i flukseve të reja dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. Megjithatë, fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë një peshë dominuese në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 337 milionë Euro, pothuajse 42% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2022.
Investimet e huaja direkte po rezistojnë në nivele të larta edhe pas përfundimit të disa investimeve madhore në sektorin energjetik, kryesisht gazsjellësit TAP dhe disa projekteve të rëndësishme koncesionare në energjinë hidrike.
Një rol të rëndësishëm po luajnë investimet e vazhdueshme të ndërmarrjeve ekzistuese. Në sektorin e hidrokarbureve, rritja e çmimeve të naftës duke filluar nga pjesë e dytë e vitit të kaluar i ka bërë më tërheqëse investimet e reja, me qëllim rritjen e prodhimit. Kjo dëshmohet qartë nga fakti se sektori i hidrokarbureve ka dominuar fluksin e investimeve të reja edhe në tremujorin e dytë të vitit. Ndërkohë, edhe energjetika po shënon vlera të larta të investimeve, por tashmë me një zhvendosje të fokusit drejt investimeve në impiantet e energjisë diellore.
Sektori financiar dhe veçanërisht ai bankar ngelen gjithashtu një kontribuues në vijimësi, edhe për shkak të rritjes graduale të kërkesave për kapital ndaj bankave tregtare.
Investimet e huaja direkte janë një kontribuues i rëndësishëm në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe në rritjen ekonomike, por njëkohësisht edhe në ekuilibrimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Në dy tremujorët e parë të këtij viti, investimet e huaja direkte kanë tejkaluar vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Ky faktor mund të ketë pasur një ndikim të rëndësishëm në mbiçmimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron. Këtë vit, kursi mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelet më të ulëta historike, me një vlerë rekord prej 116.61 Lekësh, të shënuar në fund të muajit korrik.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.