Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po çon drejt shuarjes borxhin e TVSH-së së parimbursuar.
Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet stoku i TVSH së parimbursuar arriti në fund të qershorit 2021 në 1.7 miliardë lekë nga 11.8 miliardë lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020.
Vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, janë rimbursuar gjithsej 7,80 miliard lekë. Gjatë këtij tremujori, rreth 4,20 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave të zakonshme të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qene në total 375 me vlerë rreth 3,60 miliard lekë
Gjatë tremujorit të dytë të 2021, pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së janë regjistruar 473 kërkesa për rimbursim (nga 420 që ishin ne tremujorin e dytë 2020) me vlerë rreth 6,243 miliard lekë, nga të cilat janë pranuar 353 kërkesa me vlerë rreth 4,776 miliard lekë dhe 120 kërkesa me vlerë rreth 1,467 miliard lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore
Në fund të tremujorit të dytë të 2021, stoku i rimbursimit të TVSH-së kapi vlerën rreth 1,72 miliard lekë, duke shënuar një rënie me 85 % krahasuar me stokun në fund të tremujorit të dytë 2020 dhe një renie me 71 % krahasuar me stokun ne fund të tremujorit paraardhës.
Në fund të tremujorit të dytë u bë likujdimi total për tatimpaguesin Trans Adriatic Pipeline AG Albania i cili ka patur pjesën më të madhe të stokut të rimbursimit të TVSH-ë gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, kërkesat FIFO u rimbursuan të gjitha duke mos krijuar stok në fund të këtij tremujori.
Detyrimet e larta në rimbursimin e TVSH-se u krijuan nga investimet në projektet e mëdha, kryesisht në gazsjellësin TAP dhe investimet në HEC-et mbi lumin Devoll. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nënshkruar një marrëveshje me kompanitë e mëdha të investimeve për të paguar me këste, borxhin e akumuluar ndaj tyre.
Pas aplikimit online të vetmit që do të kenë ende vonesa do të jetë për tatimpaguesit e mëdhenj që kanë nënshkruar marrëveshjen e rimbursimit me këste për shumat mbi 150 mln lekë. Brenda 2021 do të shlyhet detyrimet për këta tatimpagues të mëdhenj, kanë sqaruar tatimet.
Automatizimi i procesit të rimburësimit të TVSh-së, gjithashtu do saktësojë menjëherë nëse TVSH-ja e rimbursuar do të paguhet apo do të llogaritet si detyrime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.