Nëse kjo është periudha që po vendosni objektivat e vitit me ekipin tuaj, ka të ngjarë të jeni duke menduar për atë që dëshironi të arrini. Por, të mendoni për mënyrën se si do t’i arrini këto synime dhe të vendosni objektiva duke pasur parasysh këto mënyra, është po aq e rëndësishme, në mos më shumë, për të arritur me sukses synimet tuaja.
Charlie Gilkey, CEO dhe themelues i kompanisë së produktivitetit Productive Flourishing, thotë se ekipeve dhe organizatave u shërbehet më mirë nëse mendoni dhe përmirësoni zakonet e ekipit, të cilat ai i quan “mënyra pune”.
“Synimet janë objektivat, por është mënyra se si ekipi punon së bashku ajo që rrit shanset tona për t’i përmbushur këto objektiva, ose për t’i sabotuar ato.”
Sipas tij, ka disa kategori të zakoneve të ekipit ku duhet të bazoheni për të vendosur objektivat për vitin 2022: përkatësia dhe kuptimi, vendimmarrja, planifikimi, prioritizimi, komunikimi, bashkëpunimi dhe efektiviteti personal. “Përparimi në secilën prej këtyre fushave do t’i ndihmojë ekipet të arrijnë objektivat e tyre më të rëndësishme për vitin,” shton ai.
Jeni gati për të vendosur objektiva që do të kenë një efekt domino pozitiv në të gjitha ambiciet tuaja të tjera të punës për këtë vit? Atëherë konsideroni 6 sugjerimet e mëposhtme.
- Ndërthurni fleksibilitetin te planet tuaja
Një plan i ngurtë nuk ekziston. Mundohuni të përfshini fleksibilitetin në planet tuaja për vitin 2022, në mënyrë që të jeni në gjendje për të përballuar me sukses çdo situatë në të cilën do të gjendeni.
“Bëni plane që mund të ndryshohen. Nëse ka diçka që e kemi mësuar nga viti 2020 dhe 2021, është se nuk mund të bazohemi te supozimi që gjërat do të qëndrojnë ose do të kthehen në status quo. Ne duhet të jemi fleksibël dhe ta ndërthurim këtë fleksibilitet në planet tona,” shpjegon Gilkey.
- Jepini prioritet asaj që ka më shumë rëndësi
Pavarësisht nga industria ku bëni pjesë, ka shumë mundësi që të mos jeni duke i dhënë përparësi aq sa duhet faktorëve ku ju investoni burimet tuaja. Kjo është thjesht një tendencë e natyrshme e ekipeve dhe organizatave. Por, ju keni mundësinë ta ndryshoni këtë duke vendosur me zgjuarsi objektivat tuaj.
“Fokusohuni te 10 përqindëshi që mban biznesin tuaj gjallë. Vetëm 10%, apo ndoshta edhe më pak, e njerëzve që ndërveprojnë me biznesin tuaj do të bëhen realisht klientët tuaj. Ne priremi t’i përqendrojmë përpjekjet tona drejt 90 përqindëshit, por rritja brenda segmentit tuaj aktual vlen më shumë nga sa mund të mendoni”, thotë Gilkey.
Kjo mund të lidhet me marrjen e vendimeve për të hequr dorë nga idetë për produkte që nuk përputhen me pikat tuaja të forta, ose për të vazhduar me një strategji marketingu që po jep tashmë rezultate pozitive.
- Më shumë përkatësi dhe kuptim
“Në një kohë kur shumë organizata po kalojnë te puna në distancë, ndjenja e përkatësisë dhe e lidhjes me punonjësit bëhet akoma më e rëndësishme kur ekipi është i shpërndarë,” thotë Gilkey.
“Përdorni metoda sinkrone dhe asinkrone të komunikimit dhe të bashkëpunimit. Festojini fitoret së bashku me ekipin tuaj. Jepuni kohë anëtarëve të ekipit tuaj që të jenë qenie njerëzore dhe të ndajnë pjesë apo histori nga vetja e tyre me njëri-tjetrin.”
Nëse ky duket si një objektiv i kotë, mendohuni mirë – Dorëheqja e Madhe vazhdon të jetë në proces dhe përmirësimi i ndjenjës së përkatësisë dhe të kuptimit në ekipin tuaj do të rrisë gjithashtu besnikërinë e punonjësve, produktivitetin e tyre dhe fitimet e kompanisë suaj.
- Komunikimi i jashtëzakonshëm
Gilkey rekomandon gjithashtu se objektivat duhet të përcaktohen duke marrë në konsideratë komunikimin: komunikoni sa më shumë, sqaroni ҫdo paqartësi dhe bëhuni një dëgjues aktiv, thotë ai. Disa nga hapësirat për përmirësim mund të përfshijnë proceset e vendimmarrjes dhe kanalet e komunikimit.
Kush duhet të dijë çfarë, kur bëhet fjalë për një vendim që do të ndikojë edhe pjesën tjetër të ekipit? Si duhet t’i komunikoni vendimet dhe zhvillimet e reja? Vendosni objektiva që ndihmojnë ekipin tuaj të arrijë qartësi. Kjo do t’ju ndihmojë të lëvizni më shpejt dhe më fuqishëm si grup.
- Arritja e bashkëpunimit të qëndrueshëm
Bashkëpunimi është diçka që të gjitha ekipet e duan, por shumë pak prej tyre vendosin qëllime duke u fokusuar te procesi i bashkëpunimit.
Nëse përpjekjet e bashkëpunimit të ekipit tuaj funksionojnë siç duhet, atëherë gjasat janë që shumë punë të tjera mahnitëse do të realizohen, thotë Gilkey. E kundërta është gjithashtu e vërtetë. “Festoni sukseset dhe përpiquni të matni suksesin tuaj nëpërmjet nivelit të bashkëpunimit,” shton ai.
“Bashkëpunimi mund të dallohet edhe gjatë një mbledhjeje, nëse shpenzoni pak kohë për të kuptuar se ku kanë ngecur projektet dhe nëse ndonjë anëtar i ekipit ka nevojë për ndihmë.”
- Braktisni ҫdo përpjekje që nuk përputhet me integritetin
Së fundi, cilatdo qofshin objektivat specifike ku do të zgjidhni të përqendroheni gjatë vitit 2022, sigurohuni që të qëndroni larg përpjekjeve që nuk përputhen me integritetin. Këto janë ato përpjekje që vendosin fitimet përpara njerëzve ose planetit, siç thotë Gilkey.
“Si liderë, ne jemi kujdestarë të planetit dhe të njerëzve që banojnë në të. Roli ynë si liderë është të krijojmë mjedise (brenda biznesit ose jashtë tij) ku njerëzit mund të rriten, të arrijnë sukses dhe të mund të bëjnë punën e tyre më të mirë.” / Hive