60% e kredisë së re vitin e kaluar u dha në lekë

08/02/2021 11:30 AM 0 komente

60% e kredisë së re të dhënë nga sektori financiar vitin e kaluar ishte në monedhën vendase.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pesha e kredisë në monedhën vendase vitin e kaluar në kreditimin e ekonomisë u rrit më tej, nga niveli prej 58% që kishte qenë në vitin 2019. Për 11-muajt e vitit 2020, kredia e re në lekë arriti vlerën e 122 miliardë lekëve, me një rënie të lehtë me 1.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa kredia në valutë të huaj kishte vlerën ekuivalente të 81 miliardë lekëve, në rënie prej gati 10.5% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Shifrat konfirmojnë një tendencë në rritje gjatë viteve të fundit për ta orientuar kreditimin drejt lekut. Faktori me ndikimin më kryesor duket se ka qenë ulja e normave të interesit në monedhën vendase, që e ka ngushtuar hendekun e interesave me euron. Ngushtimi ka ulur stimujt e familjeve dhe bizneseve për të marrë hua në një monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tyre dhe duke shmangur ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në muajin nëntor 2020 interesi mesatar i kredisë në lekë për bizneset ishte 5.28%, ndërsa në euro 4.34%. Për individët, interesi mesatar në lekë ishte 6.43%, ndërsa euro 3.43%. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar në uljen e diferencave në interesa mes lekut dhe euros në dekadën e fundit.

Vetë bankat vitet e fundit nuk e promovojnë shumë kreditimin në një monedhë të ndryshme nga ajo që huamarrësi ka të ardhurat e tij. Veç të tjerash, kjo ndodh edhe për shkak të kuadrit rregullator që aplikon Banka e Shqipërisë dhe që kërkon mbulim më të larta me kapital për kreditë e dhëna te huamarrësit e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Kriza e pandemisë rriti gjithashtu perceptimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Leku pësoi një nënçmim të përkohshëm, që u stabilizua pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Por, momentet më të shpeshta të luhatjes së kursit në vitet e fundit e kanë bërë më të prekshëm rrezikun dhe disa prej bankave kanë shtrënguar shumë dhënien e kredisë së pambrojtur ndaj rrezikut të kursit.

Strategjia e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë gjithashtu synonte të nxiste rritjen e likuiditetit në lekë, duke e ulur normën e rezervës së detyrueshme në monedhën vendase, për t’iu lënë bankave më shumë burime për kredidhënien.

Zhvendosja e kreditimit drejt lekut është një proces që po vijon gradualisht prej disa vitesh dhe huaja në lekë tashmë përbën më shumë se 52% të totalit. Krahasuar me pesë vjet më parë, kredia në lekë e ka rritur peshën e vet kundrejt portofolit me rreth shtatë pikë përqindje.

Huadhënia në lekë është rritur sidomos te individët, që përbëjnë edhe kategorinë më të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit, duke qenë se zakonisht i përfitojnë të ardhurat në lekë. Huaja në valutë vazhdon të ketë një epërsi të lehtë në kreditimin e biznesit, sidomos kur bëhet fjalë për biznesin e madh. Megjithatë, në këtë segment një pjesë e mirë e huamarrësve sigurojnë edhe të ardhurat në valutë dhe nuk janë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit në mesin e vitit 2020 kishte vlerën e rreth 1 miliardë eurove. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo kredi ra me 5% gjatë gjysmës së parë të vitit 2020./ E. Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of