Kryeqyteti është përfituesi kryesor i shërbimeve bankare, për shkak të rritjes së numrit të popullsisë dhe përqendrimit më të lartë të ofrueseve te të mirave dhe shërbimeve. Shpërndarja gjeografike e portofolit të kredisë për individë tregon se kreditimi i tyre ka qenë i përqendruar në rrethin e Tiranës.
Të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 , kredia në total e individëve është përqendruar në rrethin e Tiranës (60.2% e totalit), e ndikuar gjerësisht nga rritja e mbizotërimit të kredisë për banesa.
Kështu, kredia për banesa në rrethin e Tiranës përbën 67.2% të totalit të portofolit, dhe në dy vitet e fundit, kjo peshë është rritur me rreth 2.4 pikë përqindje .
Ngadalësimi i rritjes së kredisë konsumatorë ka reflektuar si një kërkesë në rënie për financim nga individët ashtu edhe kushtet lehtësisht më të shtrënguara.
Kredia konsumatorë u tkurr në tremujorin e parë, duke ngadalësuar normën e rritjes vjetore në 4.8%, ose 5 pp më pak se mesatarja e vitit të kaluar.
Tkurrja e kredisë konsumatorë është balancuar nga rritja me 1.3 miliardë lekë e kredisë për banesa, e cila është rritur me ritme të qëndrueshme në harkun kohor të një viti. Norma vjetore e zgjerimit të këtij portofoli shënoi 6.5% në muajin mars, njësoj sa edhe norma mesatare e vitit 2018.Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e portofolit të kredisë konsumatorë tregon se kohët e fundit, bankat kanë filluar të jenë më aktive edhe nëpër rrethe.
Krahasuar me tre vite më parë, pesha e kredisë konsumatorë në rrethet bregdetare ndaj totalit është rritur me rreth 1.5 pikë përqindje, e lidhur edhe me përmirësimin e aktivitetit ekonomik në këto rrethe.
Kredia për individë është rritur me ritme më të ngadalta gjatë tremujorit të parë të vitit 2019. Norma vjetore e këtij portofoli u reduktua me 0.3 pikë % në fund të muajit mars.
Ngadalësimi i rritjes së kredisë konsumatorë duket të ketë reflektuar si një kërkesë në rënie për financim nga individët ashtu edhe kushtet lehtësisht më të shtrënguara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.