Të 31 vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (ANE) kanë rënë dakord të nxjerrin në treg 60 milionë fuçi naftë nga rezervat e tyre strategjike “për të dërguar një mesazh të fortë te tregjet e naftës” se nuk do të ketë “asnjë mungesë të furnizimeve” për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tha agjencia të martën.
Bordi i ANE e mori këtë vendim në një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë, të kryesuar nga Sekretarja e Energjisë e SHBA-së, Jennifer Granholm. Përveç Shteteve të Bashkuara, anëtarë të tjerë të organizatës janë edhe Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kanadaja.
Anëtarët e ANE kanë rezerva emergjence të cilat arrijnë deri në 1.5 miliardë fuçi nafte. Sasia që do të shpërndahet përbën 4% të rezervave, ose afërsisht 2 milionë fuçi në ditë për një periudhë 30 ditore.
“Situata në tregjet e energjisë është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen tonë maksimale,” tha drejtori ekzekutiv i ANE, Fatih Birol.
“Siguria energjetike globale është e kërcënuar, duke vënë në rrezik ekonominë botërore ndërkohë që jemi akoma në fazën e brishtë të rimëkëmbjes.”
Rusia luan një rol të rëndësishëm në tregjet globale të energjisë, si prodhuesi i tretë më i madh i naftës. Eksportet e saj ditore prej 5 milionë fuçi naftë bruto përbëjnë rreth 12% të tregtisë globale të naftës. Rreth 60% e këtyre eksporteve shkon drejt Europës dhe 20% drejt Kinës.
Deri më tani, sanksionet e SHBA-së dhe të Europës nuk kanë përfshirë eksportet e naftës ose të gazit, madja ka pasur përjashtime nga sanksionet për transaksionet që lidhen me pagesat për naftën dhe gazin. Udhëheqësit perëndimorë hezitojnë të vendosin kufizime ndaj eksporteve ruse të naftës, në një kohë kur tregjet globale të energjisë kanë mungesa dhe çmimet e larta po nxisin inflacionin në ekonomitë e zhvilluara.
Pavarësisht kësaj, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka tronditur tregjet globale. Të martën, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, pasi nafta standarde e papërpunuar në Amerikë tejkaloi ҫmimin 100 dollarë për fuçi – më i larti që nga viti 2014.
Është vetëm hera e katërt në histori që ANE merr një masë të tillë të koordinuar, që kur këto rezerva u krijuan pas embargos të naftës arabe në vitin 1974.
Nga këndvështrimi i SHBA-së, çmimi i naftës së papërpunuar përcakton një pjesë të madhe të asaj që shoferët paguajnë për të furnizuar makinat e tyre me benzinë. Mesatarja kombëtare për një gallon (3.785 litra) gaz është 3.61 dollarë, 26 cent më shumë se një muaj më parë dhe 90 cent më shumë krahasuar me ҫmimin para një viti, sipas federatës AAA të klubeve motorike.
Në nëntor, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi nxjerrjen në treg të 50 milionë fuçive naftë në koordinim me vendet e tjera importuese të energjisë, por kjo masë pati thjesht një ndikim kalimtar te çmimet e naftës, të cilat kanë vazhduar të rriten./ Associated Press