Gjatë pesë javëve, 602 kompani të huaja sinjalizuan se kishin ndër mend të bënin investime në Bullgari, tha ministri i Ekonomisë, Kiril Petkov, në një konferencë të martën, gjatë të cilës, ai raportoi mbi rezultatet e një konkursi të mbajtur për këtë qëllim midis këshilltarëve ekonomikë të shërbimeve bullgare për tregti dhe çështjet ekonomike jashtë vendit.
Petkov tha se nuk bëhet fjalë për deklarata të thjeshta “por synime të mirëfillta për investime”. Dokumentet e aplikimit për investime u morën në të gjitha shërbimet ekonomike dhe tregtare që Bullgaria ka jashtë vendit. Nga 602 aplikime, 129 janë për qëllime të drejtpërdrejta për investime dhe eksport, 218 për interes për investime dhe 255 për bashkëpunim.
Petkov tha se përpjekjet e ardhshme do të përqendrohen në realizimin e këtyre synimeve. Ministri i Ekonomisë tha se shpreson që një investim i tillë i drejtpërdrejtë të shpallet më 10 korrik. Petkov tha se këtu përfshihet edhe një kompani europiane nga sektori i automjeteve elektrike të gjeneratës së re, që synon të investojë rreth 140 milionë euro në Bullgari.
“Shpresoj që nëse nënshkruajmë këtë memorandum, mund të kemi dy prej këtyre veturave të parkuara para ndërtesës së ministrisë”, tha Petkov. Stamen Yanev, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Bullgare të Investimeve, tha se ambicia është që të realizohen synimet në këto 602 aplikime, sa më shpejt të jetë e mundur.