Me urdhër të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka verifikuar gjendjen e pagesave të garancive të rehabilitimit nga ana e subjekteve që kanë licenca minerare.
Pas këtij procesi verifikimi sipas derdhjeve në thesarin e Shtetit është konstatuar se për vitin 2011 janë 393 subjekte që nuk kanë likujduar në shtet garancinë e rehabilitimit, një dëm në buxhet i llogaritur në shumën 122,817,925 lekë.
Për vitin 2012 rezultojnë gjithashtu 276 subjekte që i janë shmangur detyrimit ligjor për të depozituar garancinë e rehabilitimit duke shkaktuar një tjetër dëm në buxhet në shumën 82,897,106 lekë.
Në total janë 669 subjekte që me mos përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, i kanë shkaktuar humbje shtetit në shumën 205,715,031 lekë.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë ka urdhëruar njoftimin e këtyre subjekteve për të kryer këto pagesa brenda një afati 10 ditor. Në rast të kundërt, në zbatim të ligjit “Për sektorin minerar në Republikës e Shqipërisë”, vendimi për miratimin e lejes minerare për këto subjekte vlerësohetautomatikisht i revokuar nga institucioni i QKL-së.
Sipas përcaktimeve ligjore, “Garanci financiare për rehabilitimin e mjedisit” është vlera monetare që depozitohet çdo vit nga subjekti i licencuar, në formën e një garancie bankare në favor të shtetit, që përdoret për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit, sipas përcaktimeve të këtij ligji
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.