67 raste pozitive me koronavirus janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit nga 347 testime të kryera në Laboratorin e Virologjisë në ISHP.
Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste,16 të prekur janë në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë.
Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.
Një humbje jete ka ndodhur mëngjesin e sotëm, duke e çuar numrin në total të viktimave në 47.
“Një 34 vjeçare nga Librazhdi e cila vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë”.
Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë janë aktualisht 850 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë subjekteve të respektojnë protokollin e sigurisë. Ndërmarrjeve, institucioneve, subjekteve me shumë punonjës:
Kryeni çdo ditë vlerësimin temperaturës si dhe vlerësoni prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn apo del në ambientet e punës. Personat me temperaturë apo me simptoma duhet të rikthehen në shtëpi dhe të kryhet komunikimi me strukturat shëndetësore. Siguroni vazhdimisht elementet higjenizues e pastrues si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Mbani maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Siguroni ajrosjen e mirë dhe dezinfektimin e ambjenteve si dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes së tij.
Për statistikat më të fundit klikoni këtu: Coronavirus në Shqipëri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.