Flet Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë së Durrësit
Të paktën 90% e familjeve me dëme të kategotizuara të lehta dhe të mesme, mes DS1 dhe DS3 në Bashkinë e Durrësit, kanë marrë fondin e riparimit. Kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, tha se përveç këtij granti, do të ndërhyhet në ambientet e jashtme si në shkallë, në muret e ashensorëve, tarraca e riparime në katet e larta me një fond më vete.
Kryerja e këtyre ndërhyrjeve individuale nga banorët që kanë marrë grantet pritet sipas kryebashkiakes që të kthejë në banesa brenda këtij viti 6700 familje. Një pjesë tjetër do të vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje deri në marrjen e banesës nga rindërtimi, një proces që udhëhiqet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Të gjitha familjet, të cilat janë jashtë apo kanë pasur objekte të pabanueshme janë mbështetur nga Bashkia e Durrësit me një bonus qiraje, e cila ka filluar të lëvrohet që në muajin dhjetor të 2019.
Ne kemi mbuluar me këtë program 4800 familje dhe vlera për vitin 2020 ka arritur në 1 miliard lekë. Nga këto familje, personat që janë paguar me grantin e rikonstruksionit dhe kanë bërë riparime të dëmeve, janë zbritur nga skema dhe po i kthehen një jete normale.
Piku i këtij programi ka qenë në muajt dhjetor, janar, shkurt kur ne kemi trajtuar 4800 familje me bonus. Aktualisht kemi 4200 familje dhe vazhdojmë zbritjen e tyre deri në normalizimin e situatës.
Do të vijojnë të mbështeten nga qeveria shqiptare me bonusin e qirasë familjet që janë praktikisht në objekte të shembura deri në dorëzimin e çelësave të apartamentit apo banesës së re.
Një vit nga tërmeti, cfarë po ndodh në Durrës?
Sako: Pandemia ka ngadalësuar procesin
U bë një vit nga tërmeti i 26 nëntorit. Procesi i rindërtimit ka nisur në të gjithë programet dhe aspektet e tij. Aktualisht kemi dhënë ndihma për 9400 familje, nga 10 700 në total. Këto kanë marrë një fond prej 3.4 miliardë lekësh të reja, pra rreth 34 milionë dollarë. Nga këto familje, 1900 kanë marrë cash 1 milion lekë, 3800 familje kanë marrë nga 2.5 milionë lekë dhe 4200 familje shifrën prej 5 milionë lekësh e lidhur kjo me kategorinë e dëmit.
Kjo pjesë granti është dhënë për riparimin e dëmeve në pallate ose banesa me dëme të lehta apo të mesme në strukturë. Sa i takon procesit të rindërtimit nga e para, ne kemi filluar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit është njësia që punon për qytetin e Durrësit. Ka lidhur kontratat me firmat fituese dhe janë rreth 537 banesa për të cilat ka nisur puna. Në total kemi 1024 banesa të cilat do të ndërtohen nga e para dhe sigurisht brenda këtij numri, do të ketë nga ata që do të transferohen për arsye se nuk do të jetë mundësia e rindërtimit në të njëjtin vend.
Në qytetin e Durrësit ka filluar dhe rindërtimi nga e para për dy pallatet e parë të cilët do të strehojnë familjet ekzistuese që kanë qenë në objekt, si dhe do të ketë disa apartamente shtesë që mund të përdoren për programet e strehimit. Durrësi është qyteti me dëmin më të madh nga ky tërmet dhe procesi i rindërtimit është sfidues e kompleks. Kjo do të thotë se brenda këtij viti, ne do të dorëzojmë banesat e para që kanë nisur zbatimin. Numri është mjaft i lartë dhe kjo do të vijojë deri vitin tjetër.
Po sa u takon ndërhyrjeve në objekte të tjera si ndërtesa publike, shkolla, infrastrukturë si ka qenë ecuria?
Një program që presim në një pjesë të tij të përfundojë brenda këtij viti janë shkollat. Kemi rreth 12 objekte që do të përfundojnë brenda muajit dhjetor nga 31 që ka në total Bashkia e Durrësit në këtë proces. Rindërtimi në vetvete shtrihet në 4-5 programe, të cilat i përmenda dhe kur themi fondi i rindërtimit, sigursht që është shuma e gjithë këtyre programeve.
Përveç granteve të dhëna nga bashkia, nëpërmjet mbështetjes nga qeveria ne kemi marrë një fond prej 10 milionë dollarësh për riparimin e ambienteve të përbashkëta. Është një kontratë që po zbatohet dhe do ta përfundojmë brenda muajit dhjetor, fillimi i janarit. Në këtë funksion do të konsiderohet riparimi i shkallëve, muret e ashensorëve që janë të dëmtuar, do të riparohen fasadat në katet e larta deri aty ku ka dëme, si dhe dëme në tarraca nëse janë shkaktuar nga tërmeti.
Në këtë program kemi rreth 458 objekte në 7 lote, ndërkohë që ka nisur procedura për 650 objekte të tjerë, që do të preken me këtë fond. Me përfundimin e punimeve të këtij procesi, si dhe grantin që banorët e kanë marrë cash në dorë, do të sigurojmë kthimin në banesa për 6700 familje, që do të thotë t’i kthehen një jete normale brenda këtij viti.
A e ka vuajtur Bashkia e Durrësit vonesën në këtë proces për shkak të situatës së pandemisë, sikurse ka ndodhur në çdo hallkë të ekonomisë?
Ky proces pati vonesë në Durrës, i cili kishte volumin më të madh të punës, gjatë mbylljes nga pandemia ku ne nuk kishim mundësi të shkonim në banesa dhe të reflektonim edhe dëmet. Edhe institucionet ishte e vështirë të komunikonin mes tyre sa i takon plotësimit të dokumenteve. Në 6-mujorin e fundit kemi bërë një punë të mirë dhe ky proces ka marrë udhë.
Dëmet e vogla të familjeve janë thuajse në 90% të likuiduar, ambientet e përbashkëta do mbarojnë, shkollat janë të gjitha në kantiere. Pjesa tjetër pastaj e rindërtimit që e kanë Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Europian është në proces hartimi marrëveshjeje, sepse ata kanë procedura burokratike pak më të gjata. Ne jemi edhe në fazën që po hartojmë projektet për objekte që kanë pasur dëme të mëdha. Pallatet me dëme DS4 jemi duke i shqyrtuar, një për një lidhur me dokumentacionin, dhe po hartojmë projektet përkatëse në mënyrë që brenda vitit apo në fillim të vitit tjetër të nisë financimi edhe për këto objekte.
Pas kësaj mund të themi që ky program i rindërtimit është prekur në 360 gradë. Procesi i rindërtimit nuk ka qenë i thjeshtë dhe mbi këtë proces janë hartuar ligje specifike që nuk i kishim hasur më parë. Pandemia në këtë fazë që jemi nuk e ndikon procesin e rindërtimit, pasi ky proces tashmë është në terren që do të thotë që edhe firmat që punojnë ruajnë ato kushtet përkatëse dhe protokollin e sigurisë.
Sa është fondi i alokuar për këtë proces pra për ndërtimin e banesave të reja?
Nuk mund të flasim për një shifër. Ajo që mund të jap është shifra e përfituesve, që do të thotë se do të ndërtojmë 1 mijë banesa. Së pari do të bëhet procedura për 534 banesat e para, pastaj ajo për grupin e banesave të dyta. Nuk ka një faturë. Vitin tjetër, buxheti i shtetit do të jetë shtyllë kryesore për të vazhduar procesin e rindërtimit. Ndaj përveç granteve që kemi marrë për familjet e prekura, kemi marrë mbështetje dhe për projekte apo financim për heqjen e inerteve nga territoret ku bëhen shembje.
Kemi marrë mbështetje financiare për rehabilitimin e objekteve publike. Përveç shkollave kemi dhe hidrovore dhe qendra shëndetësore. Me fondet që kemi marrë dhe u kemi alokuar qytetarëve kemi një shifër prej 4.86 miliardë lekësh, e cila po mbështet këtë proces në vazhdimin e tij. Këto fonde sigurisht do të shtohen. Nuk është vetëm qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave që e mbështet këtë program por edhe Komisioni Europian dhe donatorë të tjerë si KfW dhe UNDP. Tashmë ka avancuar pjesa e grantit të qeverisë që ua ka dhënë paratë në dorë qytetarëve.
Është një total prej 4.8 miliardë lekësh, nga të cilat 3.4 miliardë ua kemi dhënë cash qytetarëve të Durrësit, si një ndihmë për të bërë vetë riparimet e brendshme që kanë pasur në apartamentet tyre, e kategorizuar në dëme DS1-DS2 dhe DS3. Kjo ka rolin më të madh sepse janë 9700 familje që e kanë marrë atë.
Intervistoi: Megi Fagu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.