Europa është lider në mbarë botën për turizmin, pasi më shumë se 500 milionë udhëtarë zgjedhin të vizitojnë këtë kontinent çdo vit.
Nga aktivitetet dimërore në Alpe e deri te sportet ujore në bregun e kaltër, Europa ofron një larmi të gjerë përvojash për të gjithë.
Vizitorët mund të shijojnë vendet më piktoreske përgjatë gjithë vitit dhe të zgjedhin destinacionet që u interesojnë më shumë.
Duke kërkuar për pushime të paharrueshme dhe aventura të jashtëzakonshme, do t’ju duhej shumë kohë për të eksploruar të gjitha mrekullitë që Europa mund të ofrojë. Ja cilat janë 7 përvojat më të mira që ofron Europa për vitin 2022.
- Një tur me anije gjatë natës përgjatë lumit Sena
Parisi është gjithmonë një zgjedhje e shkëlqyer. Një nga mënyrat më të bukura për të përjetuar bukurinë e Parisit është duke bërë një lundrim romantik gjatë natës me të dashurit tuaj përgjatë lumit Sena.
Varka do të kalojë pranë monumenteve më të njohura, të tilla si Muzeu i Luvrit, Kulla Eifel dhe Ile de la Cité. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shijuar këto pamje magjike sesa nga dhomat e kësaj anijeje, duke shijuar një vakt me 3 pjata të kuzhinës franceze, të shoqëruar me verë dhe argëtim me muzikë live.
- Udhëtim njëditor në Sintra dhe Cascais nga Lisbona, Portugali
Kryeqyteti i Portugalisë jo vetëm që ofron eksperienca të paharrueshme për adhuruesit e festave, por gjithashtu përmbush pritshmëritë e të gjithë atyre që preferojnë ta nisin ditën herët. Ia vlen të bëni një udhëtim njëditor nga Lisbona për të vizituar qytetet historike dhe të famshme të Sintra dhe Cascais, për të shijuar natyrën magjike që rrethon këto zona.
Aktivitetet përfshijnë shëtitjen në Cascais, një zonë bregdetare e mbushur me pallate historike, kopshte dhe parqe, si dhe zbulimin e plazheve piktoreske të zonës. Turistët gjithashtu mund të shijojnë vizitën në qytetit përrallor të Sintra, ku ata mund të shkojnë në shpellat e Pena Park, në Parkun Natyror të Sintra dhe në Kepin Roca.
- Udhëtim njëditor nga Vjena në Spitz
Me liqenet e saj natyrore të ruajtura aq mirë, Vjena ofron mjedisin e përsosur për t’u çlodhur dhe për t’u larguar nga jeta juaj e përditshme. Mënyra ideale për të zbuluar kulturën e pasur të Vjenës është duke bërë një udhëtim me varkë nga Vjena deri në Luginën Wachau.
Gjatë rrugës për në Spitz, vizitorët mund të përjetojnë pamjen e vreshtave dhe të pyjeve që rrethojnë lumin Danub, si dhe të vizitojnë kështjellën ku u burgos Rikard Zemërluani. Ia vlen ta përfundoni ditën tuaj me pamjet piktoreske të Melk, duke shijuar peizazhin e kishave barok përtej luginës.
- Tur njëditor nga Firence për të zbuluar rajonet më të mira të Toskanës
E njohur për kodrat e bukura, kantinat më të mira të verës, ushqimin e shijshëm dhe motin e shkëlqyer, eksperienca në Toskanë mund të shijohet më së miri përmes një turi njëditor nga Firence.
Ndalesa e parë do të jetë në Siena për të admiruar katedralen e saj të famshme të stilit gotik, e ndjekur nga një drekë e shijshme organike në Toskanë, në kodrat Chianti. Së fundi, ia vlen të ecni nëpër rrugët e San Gimignano përpara se të niseni për të parë kullën e famshme të Pizës.
- Zbuloni dy kështjella përrallore në një tur njëditor nga Mynihu i Gjermanisë
Përveç Oktoberfest, Mynihu ka shumë përvoja të tjera për të ofruar. Jo shumë larg qytetit ndodhen kështjellat përrallore të Mbretit Ludwig II: Neuschwanstein dhe Linderhof, të cilat mund të shihen përmes një turi njëditor nga Mynihu.
Gjatë rrugës për në destinacion, mund të shijoni peizazhin e mrekullueshëm të Bavarisë. Turistët kanë mundësinë të vizitojnë pjesën e brendshme të kështjellës së Neuschwanstein, e cila njihet se ka frymëzuar kështjellën e Hirushes së Disney, si dhe të shijoni drekën në fshatin Hohenschwangau aty pranë.
- Ekskursion njëditor në Malësitë e Skocisë nga Edinburgu
Malësitë e Skocisë janë destinacioni ideal për t’u vizituar për një eksperiencë të paharrueshme në Skoci. Nga Harry Potter e deri te filmat James Bond, njerëzit e shijojnë më mirë filmin pasi kanë vizituar malësitë e Skocisë, për të mos harruar vendet e tjera të njohura të qytetit Glencoe dhe Loch Ness.
Rekomandohet të lundroni me varkë përgjatë Loch Ness dhe të bëni një fotografi të përbindëshit “Nessie” përpara se të shkoni në luginën e mrekullueshme Glencoe, e cila u bë e famshme pas publikimit të filmit Braveheart.
- Shijoni Jungfraujoch dhe Bernese Oberland në Alpet Zvicerane
Grindelwald, një fshat i bukur në Zvicër, shijohet më së miri duke bërë një udhëtim me një autobus luksoz nga rajoni Bernese Oberland. Njerëzit do të kenë mundësinë të shohin qafën malore Jungfraujoch, të listuar si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
E gjithë kjo mund të eksplorohet duke bërë një ndalesë në qytetin piktoresk të Interlaken, për të bërë një tur të paharrueshëm në Jungfraujoch dhe Bernese Oberland nëpër Alpet Zvicerane nga Cyrihu.