Megjithëse e pati debutimin e tij më shumë se pesë vite më parë, libri Grit: The Power of Passion and Perseverance nga Angela Duckworth mbetet një bestseller i New York Times.
Dhe kjo e ka një arsye: në të, Duckworth shpjegon se për këdo që përpiqet të ketë sukses, sekreti i arritjeve të jashtëzakonshme nuk është talenti, por një aftësi soft e përbërë nga një përzierje unike e pasionit dhe këmbënguljes që ajo e quan “grintë” (forca e karakterit).
Grinta është aftësia për të mbajtur një fokus afatgjatë në një qëllim shumë të rëndësishëm. Ka të bëjë me zotërimin e qëndrueshmërisë dhe pasionit për të vazhduar, edhe kur je i frustruar ose ndihesh i sfiduar.
Duke pasur parasysh pasigurinë e tejzgjatur dhe sfidat e të qenët në një pandemi, ky koncept është veçanërisht i rëndësishëm dhe futurist. Por edhe në kohët pa COVID, është e lehtë të shpërqendrohesh nga qëllimet e tua, të ngecesh në një rrugë të keqe ose të paralizohesh nga frika. Ata që kanë grintë e konsiderojnë veten nxënës të përjetshëm dhe mirëpresin mundësitë për të përmirësuar veten e tyre. Për t’ju ndihmuar të zhvilloni grintën në karrierën tuaj, përgjigjuni këtyre shtatë pyetjeve:
- Çfarë është ajo që dua?
Për të mbajtur një fokus të palëkundur në qëllimet tuaja, së pari duhet të jeni në gjendje t’i shqiptoni ato. Dhe në ҫastin që do të jeni të qartë për atë që dëshironi, mund t’ua shpjegoni atë edhe të tjerëve për të kërkuar ndihmën e tyre.
- Si mund ta rris ekspozimin tim ndaj ideve, përvojave dhe mundësive të reja?
Për të rritur grintën tuaj, duhet të jeni kureshtar. Ata që kanë një mentalitet të rritjes së vazhdueshme janë të hapur dhe kërkojnë të panjohurën për të zgjeruar në mënyrë krijuese horizontet e tyre.
- Si mund t’i ndihmoj të tjerët?
Personat që kanë grintë e kuptojnë se nuk ka të bëjë gjithmonë vetëm me ta. Përkundrazi, ata i riformulojnë situatat për të gjetur mënyra për t’i ndihmuar të tjerët, sepse duke e bërë këtë, ata gjithashtu do të zhvillohen me plot energji.
- Cilat janë frikërat e mia?
Frika është një emocion i fuqishëm. Shpesh maskohet si zvarritje e punëve dhe siklet, duke ju penguar të përparoni dhe duke ju kërcënuar se do t’ju shmangë nga rrugëtimi tuaj drejt grintës. Për ta përballuar këtë, duhet të merrni guximin për të pranuar dhe për t’u përballur me frikërat tuaja të fshehura.
- Cili është qëllimi im dhe a është ai në përputhje me vëmendjen time?
Ju mund të zhvilloni grintën vetëm kur të krijoni një vendosmëri të palëkundur për të përmbushur atë që dëshironi, pra qëllimin juaj. Dhe kur e bashkoni këtë me vëmendjen e përqendruar të kohës dhe energjisë suaj, do të rrisni faktorin tuaj të grintës.
- Cilat veprime dhe sjellje më shërbejnë për mirë dhe cilat jo?
Rritja e grintës suaj kërkon një nivel të vetëdijes që ju bën të kuptoni se gjithçka është e lidhur: veprimet, sjelljet dhe rezultatet tuaja. Duke pasur parasysh këtë do të thotë të shmangni ose të mbani qëllimisht ato gjëra që mbështesin më mirë qëllimet tuaja.
- Cilat pjesë të mjedisit tim duhet të ndryshoj, të mbaj ose të heq?
Për të arritur grintën, mjedisi që ju rrethon ka rëndësi. Sigurohuni që të rrethoheni me njerëz dhe elemente që mbështesin fatin tuaj, jo vetëm historinë tuaj. Nëse diçka ose dikush nuk ju duhet më, largojini ato për t’u lënë vend atyre që i shërbejnë qëllimit tuaj.
Përkushtimi ndaj diçkaje në afatgjatë është jashtëzakonisht i vështirë. Çelësat për të zhvilluar grintën tuaj janë praktika, ruajtja e qëndrueshmërisë dhe e optimizmit për t’u rikthyer nga dështimet, si dhe adoptimi i një mendësie rritjeje ku besoni se mund t’ia dilni – dhe për rrjedhojë, do të bëheni “me më shumë grintë” me kalimin e kohës. / Forbes