7 qyteza romantike në Europë

21/06/2021 5:12 PM 0 komente

Për shumë, Europa ka qenë dhe është kontinenti që ka frymëzuar gjithmonë romancën.

Dashuria aty ndihet në ajër, në art, është në rrugë, tregjet e qyteteve më të mëdha dhe qytezave dhe fshatrave piktoreske.

Ja se cilat konsiderohen si shtatë nga qytetet më romantike të Europës.

 

Manarola, Itali

Manarola është pjesë e fshatrave të famshëm Cinque Terre. Ajo është e ndërtuar në një shkëmb, më shumë se 200 metra mbi Detin Mesdhe. Ajo përbëhet nga shtëpi dhe ndërtesa shumëngjyrëshe, të cilat e bëjnë atë një nga fshatrat më piktoreskë në Itali. Poshtë portit të vogël, ndodhet një shesh me dyqane të vogla dhe restorante me prodhime deti.

 

Colmar, Francë

Qytetet që kanë kanale konsiderohen si ndër më romantikët. Colmar, pranë kufijve të Gjermanisë dhe Zvicrës, është një vend i tillë. Ndërtesat mesjetare shumëngjyrëshe buzë ujërave përgjatë kanaleve me lule ishin edhe frymëzimi për filmin e Disney-it “E bukura dhe Bisha”. Ju do të ndiheni sikur jeni në një përrallë romantike ndërsa endeni në rrugët me kalldrëm. Gjeni një butik ose kafene të bukur që shet çokollata ose verë dhe thjesht shijoni atmosferën që qyteti të ofron.

 

Bibury, Angli

Ky fshat piktoresk anglez të largon nga realiteti e të fut menjëherë në botën e përrallave. I famshëm për “shtëpitë prej guri me ngjyrë mjalti” që përshkojnë fshatin Cotswold, Bibury ndodhet në Gloucestershire, rreth 129 km në perëndim të Londrës. Poeti William Morris dikur e përshkroi Bibury si “fshati më i bukur në Angli” dhe ishte pikërisht vendi ku u xhiruan filmat “Ditari i Bridget Jones” (2001) dhe “Stardust” (2007). Fshati përshkohet nga lumi Coln, i cili ia shton më shumë hijeshinë.

 

Goreme, Turqi

Pjesë e një nga rajoneve më të njohura të Turqisë për turizmin, Goreme është një qytet i vogël i përgjumur, por që mund të zgjojë romancën për këdo. Mënyra më e mirë për të arritur në Goreme është fluturimi. Ju mund të zgjidhni fluturimet nga Stambolli në qytetet fqinje të Kayseri dhe Nevsehir.

 

Giethoorn, Holandë

Nuk ka asgjë më romantike sesa një lundrim i ngadaltë dhe i qetë nëpër një kanal të çuditshëm në një nga qytetet më romantike në Holandë. I njohur si “Venecia e Holandës”, Giethoorn ndodhet në provincën Overijssel, me popullsi 3,000 banorë. Ndërsa shëtitja me varkë është mënyra më romantike për të parë Giethoorn, ai është gjithashtu një qytet i mrekullueshëm për ta vizituar në këmbë ose biçikletë, kështu ju do të gjeni dyqane shumë të veçanta, restorante, kafene dhe do të takoni artistë vendas.

 

Portree, Skoci

Fshati Portee ndodhet në anën lindore të Ishullit Skye, i cili njihet si “vendi më romantik për të cilin ndoshta nuk keni dëgjuar deri më tani. Fshati i shekullit të 2-të është një nga 20 fshatrat e vegjël në ishull. Portree është kthyer gjithashtu në një prej vendeve më të preferuara për të propozuar për martesë!

 

Cochem, Gjermani

I vendosur në zemër të luginës romantike të Moselës, ky fshat magjepsës është i njohur për peizazhet e tij, verën dhe festat e ndryshme. Romanca gjendet në spektaklin e mrekullueshëm që të ofron kështjella mesjetare e Reichsburgut, e cila ngrihet mbi Cochem. Këtu do të gjeni shtëpi si në përralla, dyqane të veçanta dhe lokale ku shërbehet vera e zonës. / Travel Awaits

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of