E urreni vapën e këtyre ditëve të nxehta?
Europianët zakonisht zgjedhin të shkojnë drejt plazheve gjatë verës, por aeroportet kaotike dhe valët përvëluese të të nxehtit na kanë bërë që të lutemi për ditë më të freskëta.
Me ndryshimet klimatike që po nxisin këto temperatura rekord të larta, fluturimet nuk janë zgjidhja më e mirë.
Këtu janë shtatë destinacione në Europë ku mund të shkoni me tren – të gjitha ato ofrojnë temperatura nën 20 gradë.
Amsterdam, Holandë
Gjithnjë i qetë, kryeqyteti i Holandës ka arritur të ketë një verë të butë, edhe pse vendet fqinje po përvëlohen nga i nxehti. Kjo do të thotë që ju mund të endeni përgjatë kanaleve, pranë rreshtave të ndërtesave shumëngjyrëshe, pa u djersitur fare.
Kur koha është me re, ju keni justifikimin e përsosur për të vizituar Muzeun Van Gogh ose Pallatin Mbretëror të shekullit të 17-të.
Trenat me linja direkte shkojnë në Amsterdam nga Brukseli për dy orë, nga Parisi për 3.5 orë dhe nga Londra për katër orë. Nga Berlini, udhëtimi zgjat 6.5 orë, ndërsa nga Milano, 11.5 orë.
Berchtesgaden, Gjermani
Si vendi ku ndodhet Funtensee, një liqen piktoresk karstik në një zonë të njohur për temperaturat e ulëta, nuk ka vend më të mirë për t’u freskuar në këto ditë të nxehta sesa ky qytet alpin i Bavarisë, Berchtesgaden.
Harrojini ditët e nxehta, teksa visheni mirë për të përballuar të ftohtin 8°C dhe zgjoheni duke u zhytur në ujin e ftohtë të gropës së rrethuar nga malet e gjelbra. Në këtë vend do t’ju duhet të merrni me vete xhupat.
Në Berchtesgaden mund të shkohet me tren për 12 orë nga Londra, për 10.5 orë nga Milano, për 10 orë nga Brukseli dhe për 9 orë nga Parisi
Chamonix-Mont-Blanc, Francë
Temperaturat nën 20 gradë në Chamonix arrijnë nën zero në majën e Mont Blanc. Mali më i lartë i Alpeve mund të ngjitet për rreth tre ditë, megjithëse ata më aventurierët mund të hipin në ashensorin ajror, i cili ju çon nga qyteti Chamonix deri në Aiguille du Midi, një majë 3,842 metra e lartë në masivin Mont Blanc, për të shijuar klimën e freskët.
Qyteti Chamonix është 9,5 orë larg nga Londra me tren, 6,5 orë nga Parisi dhe 5 orë nga Milano.
Kopenhagën, Danimarkë

Lëreni diellin e butë t’ju ngrohë teksa lundroni nëpër kanalet e Kopenhagës dhe më pas shuani etjen në baret që ofrojnë birra. Nëse bie ndopak shi vere, mund të vizitoni Designmuseum Danmark për t’u frymëzuar, ose të shëtisni nëpër gjurmët e mbretërve të shekullit të 17-të në Kalanë Rosenborg.
Dhe, nëse ju mungon nxehtësia, shijoni një zhytje në një vaskë të nxehtë lundruese. Me temperaturat e ulëta deri në 20 gradë, kryeqyteti i Danimarkës ofron shpëtimin perfekt nga ditët e nxehta të kësaj vere.
Kopenhagës është 15 orë me tren nga Londra dhe 14.5 orë nga Parisi nëpërmjet Brukselit, Këlnit dhe Hamburgut, 7.5 orë nga Berlini dhe 4.5 orë nga Hamburgu.
Edinburg, Mbretëria e Bashkuar

Përrallat dhe labirinti i rrugëve me kalldrëm janë vetëm një pjesë e hijeshisë së kryeqytetit të Skocisë. Mos u shqetësoni nga vendasit që veshin pantallonat e shkurtra dhe jelekët e tyre tradicionalë – me temperaturat mesatare të dimrit që ulen deri në 1°C, temperaturat aktuale prej 15-18°C duken shumë të larta për ta.
Ngjitni kodrën mbresëlënëse të Pamjes së Arturit, nga ku mund të shikoni të gjithë qytetin. Edinburgu është 4.5 orë larg nga Londra me tren, 7 orë nga Brukseli dhe Parisi, dhe 16 orë nga Milano dhe Berlini.
Liverpool, Mbretëria e Bashkuar
Me temperaturat që lëvizin në rreth 20 gradë dhe shirat freskues të Britanisë që bien pothuajse ҫdo ditë, Liverpool është vendi ideal për disa pushime të freskëta. Ai është gjithashtu i famshëm për kulturën e tij.
Kaloni një ditë, duke fotografuar në Penny Lane dhe duke u endur në muzeun gjithëpërfshirës të Historisë së Beatles, nisuni në një lundrim në tragetin Mersey dhe mrekullohuni nga katedralja gotike e Liverpoolit nën ҫadrën tuaj.
Liverpool është pak më shumë se 2 orë larg nga Londra me tren, 5 orë nga Parisi dhe 13 orë nga Barcelona.
Oslo, Norvegji
Merrni parasysh temperaturat nën 20 gradë nëse zgjidhni të shkoni në kryeqytetin e Norvegjisë. Shfrytëzojini sa më shumë arratisjen tuaj nga nxehtësia, teksa notoni dhe bëni piknik midis pyjeve, plazheve dhe rrënojave të manastireve përgjatë Fjordit të Oslos.
Nëse flladi bëhet shumë i ftohtë, kërkoni strehë në një sauna urbane, në Shtëpinë e Operës në Oslo ose në Muzeun e Anijeve Vikinge.
Oslo është 14 orë larg nga Hamburgu me tren, 21 orë nga Brukseli dhe 23.5 orë nga Parisi nëpërmjet Brukselit, Këlnit, Hamburgut, Kopenhagës dhe Gotenburgut. / Euronews