77 raste të reja dhe dy humbje jete është bilanci i 24 orëve të fundit në lidhje me situatën e koronavirusit në vend.
“Situata epidemiologjike në vend po vijon në javën e 16 të epidemisë, por në 3 javët e fundit kemi një intensitet të lartë të hasjes së rasteve pozitive me Covid19. Kemi gjithashtu dhe një numër të lartë të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor dhe terapi intensive.
Gjatë 24 orëve të fundit, për fat të keq dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, pavarësisht asistencës së madhe të mjekëve dhe trajtimit mjekësor.
Dy humbjet e jetës kanë qenë të papritura. Një 76 vjeçar nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pasi ishte përmirësuar pas 15 ditësh trajtim, ka pësuar tromboemboli pulmorare. Dhe një 54 vjeçar në gjendje të rëndë, me insuficencë renale, ka ndërruar jetë në urgjencën e spitalit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”.
Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 87 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 1298 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.
Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Kanë vazhduar testimet serologjike në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT. Janë kryer 3380 testime në personel shëndetësor me një pozitivitet të përgjithshëm 6%.
Për statistikat më të fundit klikoni këtu: Coronavirus në Shqipëri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.