Emri. Përvojat e punës. Arsimimi. Të gjitha këto i keni përfshirë. Kjo është gjithçka që nevojitet për një CV, apo jo?
Përgjigjja është jo, nëse synoni të konkurroni me fluksin e kandidatëve që po rifuten në tregun e punës pas fenomenit të Dorëheqjes së Madhe.
Aktualisht ka një mori punësimesh dhe një numër shumë të madh kandidatësh të kualifikuar që po aplikojnë për të njëjtat pozicione. Për këtë arsye, CV-ja juaj duhet të dallojë nga të tjerat, sidomos nëse përvojat e punës mund të jenë shumë të ngjashme me ato të kandidatëve të tjerë.
Dhe një mënyrë për ta bërë këtë është duke përfshirë eksperienca, fakte dhe veçori të pazakonta, të cilat do të tërhiqin vëmendjen e një rekrutuesi punësimi.
Për më tepër, në këtë mënyrë do t’i jepni personit në anën tjetër të LinkedIn një arsye për t’ju parë në disa dimensione njerëzore, jo thjesht nëpërmjet një PDF-je dy faqe me pikat kryesore për ju.
Megjithatë, pjesa më e rëndësishme është balancimi i këtyre fakteve të pazakonta me të gjitha pjesët e nevojshme të një CV-je. Krijoni me kujdes një CV të mirë, më pas zgjidhni një ose dy nga këto tetë elemente që ekspertët këshillojnë se duhet t’i përfshini në CV-në.
Një thënie që t’ju përfaqësojë
LaShanda Houston, një eksperte e CV-ve në New Heights Career Services, thotë se mund të përfshini “një thënie që t’ju përfaqësojë, me përvojën ose pozicionin tuaj”.
Ajo duhet të jetë e shkurtër dhe duhet të mbani gjithmonë parasysh personin që do ta lexojë. Ky element mund të funksionojë për një pozicion më krijues, ndërkohë që në një sektor më tradicional nuk rekomandohet përfshirja e një thënieje të tillë.
Një lavdërim nga puna juaj e mëparshme
“Ndonëse nuk është tipike, mund të përfshini një fragment nga një letër falënderimi ose nga vlerësimi i performancës që tregon aftësitë tuaja të padiskutueshme për të kryer shumë mirë punën”, thotë Houston.
Sigurohuni që kjo të mos jetë thjesht një lavdërim standard. Një thënie e cila tregon gjërat specifike që keni arritur në punën tuaj të mëparshme dhe mënyrën se si ato ndikuan tek ekipi ose te kompania juaj do të ishte akoma më e preferueshme.
Studimet jashtë vendit dhe udhëtimet
Daniel Lorenzo nga “Let’s Eat, Grandma”, thotë, se“përvojat edukative si studimet jashtë vendit mund të jenë shumë të vlefshme për pjesën e CV-së që lidhet me arsimimin tuaj, ose në disa raste, nëse nuk keni shumë vite punë në karrierën tuaj, ato mund të shërbejnë edhe si një eksperiencë profesionale.”
Ai shton se përfshirja e semestrit tuaj jashtë vendit në CV do të kishte më pak ndikim nëse ka mbi 10 vite që e keni përfunduar arsimimin tuaj.
Për ata që kanë avancuar më shumë në karrierë, ekspertët rekomandojnë përfshirjen e udhëtimeve jashtë vendit, nëse ato ndihmojnë në mbulimin e boshllëqeve në CV-në tuaj. Nëse keni bërë gjashtë muaj pushim pasi keni lënë një punë dhe e keni përdorur këtë kohë për të udhëtuar, përfshijeni atë në CV siç do të përfshinit ҫdo eksperiencë tjetër.
Mediat sociale
Megjithëse faqja juaj e Instagram-it plot me selfie dhe foto nga pushimet në plazh duhet të vazhdojë të jetë private, një llogari në mediat sociale që shfaq një kurim kreativ dhe që përdoret si një strategji marketingu, mund të përfshihet në CV-në tuaj.
Andrew Fennell, ish-rekrutues dhe drejtor në StandOut CV, shpjegon, “Të tregosh krijimtarinë tënde përmes rritjes së një faqeje në Instagram ose TikTok mund t’ju bëjë një kandidat të shkëlqyer për një pozicion në fushën e marketingut apo të mediave sociale.”
Hobet
Fennell thotë se një hobi mund të jetë shumë i dobishëm nëse po filloni punën tuaj të parë ose nëse po ndryshoni drejtimin tuaj në karrierë. Në këto raste, hobet ju ndihmojnë në ofrimin e përvojës që nuk e keni fituar ende në vendin e punës.
Arritjet personale
Megjithëse këto nuk duhet të zgjaten me paragrafë të tërë, një arritje personale mbresëlënëse mund të tërheqë vëmendjen e një rekrutuesi.
CEO-ja e Meseekna, Akhila Satish, rekomandon që punëkërkuesit duhet ta përdorin këtë si një mundësi për të treguar motivimet e tyre ose aftësitë e punës në ekip, në mënyra nga më të pazakontat.
Për shembull, vendimi për të ngjitur një numër të caktuar malesh dhe realizimi i këtij qëllimi tregon motivim dhe vazhdimësi.
“Jo vetëm që këto eksperienca ju ndihmojnë që të dalloheni nga kandidatët e tjerë për vetë natyrën e tyre unike, por ato gjithashtu tregojnë vendosmërinë për të përmbushur qëllimet që i vendosni vetes, si dhe etikën tuaj të punës,” thotë Satish.
Lidershipi qytetar
Shumica e punëkërkuesve e dinë se përvojat e punës vullnetare mund të përfshihen në CV, por Satish i këshillon kandidatët që të përfshijnë edhe angazhimet e tyre në lidershipin qytetar, pasi shpeshherë këto përvoja lidhen edhe me aftësitë profesionale.
“Mendoni për aktivitetet qytetare ku keni marrë pjesë, të cilat tregojnë aftësitë tuaja të punës në ekip,” thotë ajo.
Pikat kryesore të punës në grup
Shumica e kompanive dëshirojnë të punësojnë njerëz që dinë të bashkëpunojnë mirë në ekip, por a e keni theksuar sa duhet këtë aftësi në CV-në tuaj? Paola Accettola, CEO-ja e True North HR, jep këtë këshillë:
“Identifikimi i punëve specifike në grup që keni realizuar me sukses mund t’ju japë gjithashtu një avantazh në procesin e punësimit, pasi shumë kompani funksionojnë si një ekip.
Përfshirja e rasteve konkrete të punës në grup në CV-në tuaj do t’u tregonte punëdhënësve se si punoni ju në një skuadër.” / Apartment Therapy