Drejtoresha e tatimeve, Delina Ibrahimi ka bërë sot një përmbledhje të rezultateve të aksionit anti-informalitet, të nisur nga fillimi i korrikut.
Për periudhën nga 4 korriku janë realizuar 6206 kontrolle, tha ajo.
Është rishikuar këstit i tatimfitimjt për më shumë se 8 mijë biznese, që këtë vit kanë deklaruar më shumë fitime.
Drejtoresha e tatimeve shtoi se të gjitha pompat e karburanteve tashmë funksionojnë me kasa automatike dhe jo manuale. Pas vizitave fiskale në karburante deklarimi është rritur me 5 për qind.
Tatimet u japin bizneseve 10 ditë kohë që të korrigjohen.
Ndërtimi ka qenë një tjetër sektor që është karakterizuar me risk të lartë për evazion. “Në ndërtim për 159 subjektet që janë konsideruar me risk, kemi kryer 114 vizita fiskale. Kompanitë kanë autokorrigjuar deklarimin e tyre”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi tha se po diskutohet që të forcohen masat shtrënguese për moslëshimin e kuponit tatimore. “Për kapje për mosdhënie kuponi për herë të dytë, propozimi është që biznesit t’i bllokohet aktiviteti deri në pagesën e penalitetit. Subjekti s’ka ne nevoje te shkoje ne gjykate por mjaft të paguajë penalitetin”. Ajo paralajmëroi një përshkallëzim të penaliteteve.
Pas daljes së listës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për subjektet që kanë më shumë borxhe ndaj tatimeve, Ibrahimi tha se për këto subjekte do të merren masa ndëshkuese.
Nga 892 tatimpagues debitorë, për 282 subjekte, që kanë xhiron më të lartë, sektori i administratës do të shkojë për konfisikimin e 50 për qind të xhiros. Janë 51 subjekte që kanë vlerë më të lartë detyrimi që nuk kanë paguar asnjëherë TVSH. Këtyre subjekte do t’u shkojë sektori i hetimit për të kryer verifikimet se pse kanë bërë deklarim dhe pse nuk kanë paguar dhe situata e tyre reale.
Janë 2419 tatimpagues të cilësuar me risk te larte dhe që do të kontrollohen, paralajmëroi Ibrahimaj.
Në fokus të aksionit janë dhe subjektet që kanë informalitet të punonjësve, ose deklarojnë paga më të ulëta se reale. “Janë 7209 subjekte që paguajnë paga nën mesataren”, tha Ibrahimaj. “Do dërgojmë letra ndaj këtyre punëdhënësve”.
Ndërkohë 13400 individë do marrin letra me qëllim përmbushjen e deklarimit te pagave dhe pagesës së kontributeve.
“Këto janë masat që do të ndërmerren deri në fund të vitit 2019”, tha Ibrahimaj në fund të konferencës për mediat.
DEKLARATA E PLOTE
Jemi takuar disa herë bashkë që kur nisëm Planin Operacional kundër Informalitetit për të përcjellë për publikun rezultatet e tij.
Gjatë periudhës 4 Korrik-30 Shtator 2019, janë kryer 6,206 kontrolle dhe janë konstatuar 2,412 shkelje të legjislacionit tatimor, të fokusuar në sektorin e turizmit për vetë specifikat e tij. Strukturat e Monitorimit në Terren, vazhdojnë verifikimet në të gjithë territorin e vendit, të mbështetur në listat e riskut dhe denoncimet qe vijnë nga qytetarët përmes aplikacionit StopInformalitetit.
Vetëm në dy javët e para të këtij muaji janë kryer 1,334 kontrolle, ndërsa janë konstatuar 239 shkelje të legjislacionit tatimor. (specifikimet opsionale )
- 13 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore;
- 33 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 2 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
- 29tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 20 subjekte janë të pergjegjësisë tatimore “biznes i vogël” dhe 9 subjekte jane të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh”.
- 14tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 16 tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.
- 60 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.
Në bashkëpunim me DPM, përmbyllëm në kohë rekord ( gusht- shtator), kontrollin dhe certifikimin e rregjimit automatik në të 1117 subjektet dhe 2176 instrumentave matës, që tregtojnë hidrokarbure dhe gaz të lëngshëm në të gjithë Shqipërinë. Krahas bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Inspektoriatin e Punës dhe institucione të tjera të linjës, Administrata Tatimore ka punuar fort për të ndërtuar dhe zbatuar një plan veprimi të mirëstrukturuar.
Janë përcaktuar në nivel DRT-je, zonat kryesore ku ka më shumë veprimtari dhe ku vlerësohet që informaliteti të jetë më i madh dhe sektorët me risk potencial të shtuar varësisht specifikave të tyre. Janë 2419 tatimpagues të ndarë sipas sektorëve, të identifikuar për verifikim.
Do të realizojmë vlerësime tatimore për 3 muajt e fundit, për tatimpagues të regjistruar në përgjegjësinë tatimore të tvsh-së, të penalizuar për moslëshim kuponi.
Ndryshim i përgjegjësisë tatimore – janë 426 tatimpagues që kanë kaluar pragun e regjistrimit, të cilët i nxisim të bëjnë ndryshimet e përgjegjësisë, ndërsa do të verifikohen të gjitha ato subjektë që evidentohen me mall pa faturë nga strukturat e monitorimit në terren.
Vizitat fiskale
Për tatimpaguesit e identifikuar me rënie në qarkullim janë realizuar vizita fiskale me një program pune të detajuar për të identifikuar, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal.
Nga 159 subjekte të identifikuara me risk në fushën e ndërtimit, kanë përfunduar 114 vizita fiskale në këto subjekte. Në fushën e hidrokarbureve u identifikuan 153 tatimpagues me risk. Në 112 prej tyre kanë përfunduar vizitat fiskale.
Njoftimi i këtyre vizitave fiskale ka ndërgjegjësuar ndjeshëm tatimpaguesit duke vetëkorigjuar situatën e tyre dhe duke rritur vetëdeklarimet.
Në fushën e ndërtimit qarkullimi i tatimpaguesve që janë njoftuar për vizita fiskale është rritur me 5 %, detyrimi për TVSh me rreth 36% dhe pagesa e TVSh me rreth 49% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Ndësa për tatimpaguesit në fushën e hidrokarbureve kemi një rritje qarkullimi me rreth 5% dhe detyrimi për pagesë TVSH me rreth 49%.
Në proces nga Drejtoritë Rajonale janë 28 tatimpagues të fushën së ndërtimit dhe 23 të fushës së karburanteve. Këto vizita janë parashikuar të përfundojnë në muajin Tetor.
Janë evidentuar 97 tatimpaguesit me blerjet më të mëdha të karburanateve, që i përkasin aktiviteteve të ndryshme si tregti, ndërtim, prodhim, ku krahas kreditimit më shumë të TVSH, do të verifikohet dhe nëse këto sasi i kanë shërbyer aktivitetit.
Që në muajin korrik ju siguruam se ky Plan nuk është i përkohshëm dhe i lidhur ngushtësisht me sezonin turistik. Do të vazhdojë me një qasje të mbështetur në analizën e riskut, i shtrirë në disa sektorë dhe i koordinuar në të gjitha drejtoritë rajonale me qëllim respektimin e ligjit njësoj nga të gjithë.
Monitorimi i tatimpaguesve dhe konfiskimi i qarkullimit të 50% të xhiros ditore – Rezultojnë 892 tatimpagues me detyrime të papaguara, të cilët realizojnë xhiro të përditshme në kasë. Janë identifikuar 282 tp me xhiron më të lartë dhe detyrimin me të madh, me të cilët do të fillojë konfiskimi i 50% të xhiros ditore.
Rezultojnë 785 tatimpagues të cilët kanë deklaruar shitje dhe TVSH gjatë periudhës janar- gusht 2019, dhe nuk kanë paguar asnjëherë gjatë kësaj periudhe Plani i muajit Tetor do fillojë me 51 tatimpaguesit e parë me vlerë më të lartë dhe do të vazhdojmë gjithmonë nga tatimpaguesit me detyrimin më të madh, duke i nxitur të përmbushin detyrimet.
Rishikimi i kësteve të tatim fitimit për muajin nëntor dhe dhjetor 2019 – DPT ka nxjerrë listën e tatimpaguesve (8229) të cilët kanë rritur qarkullimin për periudhën Janar – Shtator 2019 me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Secila DRT në bazë të legjislacionit do të rishikojë këstet nga ato TP me rritjen më të madhe, duke marrë parasysh dhe kërkesa të bëra vetë nga Tatimpaguesi.
Verifikimi për punonjës të paregjistruar specifikisht në sektorin e ndërtimit, call center dhe të fasonerisë, mbështëtur në modulin e përcaktuar të riskut.
– Rezultojnë 292 tatimpagues të regjistruar si Call Center, ku ndër të tjera 61 tatimpagues nuk kane asnjë të punësuar dhe 130 të tjerë kanë të punësuar 1 deri në 10 punonjës.
– Rezultojnë 669 tatimpagues të regjistruar në fushën e Fasonerisë ku 21 tatimpagues nuk kane asnjë të punësuar; 32 tatimpagues kanë vetëm 1 të punësuar; 103 tatimpagues kanë të punësuar 2 deri në 10 punonjës, e kështu me rradhë në një situatë që orienton verifikimin për punonjës të paregjistruar.
– Rezultojne 4866 tatimpagues në fushën e Ndërtimit, në të njejtën situatë, ku 1484 subjekte rezultojnë me vetëm një punonjës. Secili do të verifikohet!
Do të fokusohemi gjithashtu tek Analiza dhe ndjekja e nivelit të pagave për profesione të ndryshme. Nga analiza e riskut mbi nivelin e pagave, janë identifikuar 7200 punëdhënës që nëndeklarojnë pagat e punonjësve të disa profesioneve të mirëpaguara dhe 13400 individë që ndikohen nga kjo, edhe për të ardhmen e tyre (vlera e pensionit).
DPT do t’i drejtohet me një letër të personalizuar sensibilizuese Tatimpaguesve punëdhënës dhe vetë individëve të nënpaguar.
Plani kundër Informalitetit synon së pari ndërgjegjësimin e të gjithëve se respektimi i ligjit është detyrim i njejtë për të gjithë dhe në të mirën e përbashkët.
Administrata Tatimore, në nivel DRT ka evidentuar tatimpaguesit që kontribojnë në 70% të realizimit të planit, me të cilët do të organizohen takime sensibilizuese për rritje të vetëdeklarimit dhe përmirësim të treguesve fiskalë.
Administrata Taimore fton të gjithë tatimpaguesit të vetëdeklarojnë në mënyrë korrekte e në respektim të ligjit, duke ju siguruar se Lufta kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurencën e ndershme në treg.
Ne do të vijojmë të informojmë të gjitha subjektet dhe qytetarin shqiptar me informacionin e nevojshëm orientues për deklarimin korrekt tatimor, dhe do të vijojmë të bëjmë punën tonë për ta garantuar këtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.