Çmimet Best Of Travel 2022 nga TravelAwaits, të prezantuara nga Medjet, paraqesin destinacionet dhe hotelet e preferuara të njerëzve.
Nominimet u bënë në fillim të muajit mars dhe votimi për finalistët përfundoi në fillim të majit.
Nëse jeni tipi i personit që ju pëlqejnë udhëtimet kryesisht për çlodhje, asgjë më shumë se të kaloni një javë në një resort të bukur all-inclusive (me gjithçka të përfshirë) nuk do ta plotësonte më mirë këtë dëshirë.
Hotelet dhe resortet all-inclusive ju japin mundësinë që të konsumoni ushqime dhe pije deri sa të kënaqeni, të shijoni aktivitetet dhe shfaqjet e pafundme që organizohen aty, si dhe të gjeni komunitetin tuaj të vogël të miqve të pushimeve – të gjitha këto pa qenë nevoja që të keni portofolin me vete.
Këtu janë tetë resortet më të mira all-inclusive në botë për vitin 2022.
1. Jade Mountain Resort (Fituesi)
Saint Lucia
Jade Mountain Resort në Saint Lucia kryeson listën për vitin 2022. Ky resort ka pamje nga bregdeti i magjepsës jugperëndimor i Karaibeve dhe nga resorti simotër i tij, Anse Chastanet, i vendosur në një hapësirë prej 600 hektarë buzë detit.
Një nga aspektet më unike të kësaj mrekullie arkitekturore është fakti se të 29-të suitat e hotelit kanë vetëm tre mure, me anën e mbetur që të jep mundësinë të lahesh në një pishinë private të madhe, duke shijuar pamjen panoramike të oqeanit.
Ambienti nuk është e vetmja gjë që do të adhuroni nga ky resort. Kuzhinieri i resortit, fitues i çmimit James Beard, përgatit gatime të cilësisë më të lartë për turistët që zgjedhin të qëndrojnë në këtë resort.
2. Secrets Royal Beach Punta Cana
Republika Dominikane
Shumë çifte dynden këtu çdo vit për të festuar muajin e mjaltit, përvjetorët apo ditëlindjet.
Ky resort është i vendosur në 700 hektarë rërë të bardhë vezulluese në Karaibe, duke ofruar mjedisin e përkryer për ata që duan të shijojnë romancën dhe relaksin. Secrets sigurohet që të gjithë turistët të marrin akomodimin dhe shërbimin e cilësisë më të lartë. Ky resort ka 18 restorante dhe bare, si dhe 24 orë shërbim në dhomë.
3. The Caves Hotel
Xhamajkë
The Caves në Negril, Xhamajkë, dallohet për ndërthurjen e një ndjesie tradicionale xhamajkane me aspektet moderne, metropolitane.
Kuzhina e The Caves përfshin gatimet më të preferuara xhamajkane. Turistët mund të shijojnë çdo gjë, që nga një barbekju me pulë e stilit xhamajkan, e deri te një darkë private me pesë pjata dhe me qirinj, brenda njërës prej shpellave.
4. Sandals Montego Bay
Xhamajkë
Ky resort luksoz me 5 yje në Montego Bay, Xhamajkë, ndodhet në disa nga ujërat më të qeta dhe plazhet me rërë të bardhë që ofron ky ishull. Resorti dallohet për luksin romantik për të gjithë ata që duan të shijojnë disa pushime në ҫift.
Festat në këtë resort vazhdojnë gjatë çdo dite dhe nate të vitit. Resorti zgjeroi opsionet e ushqimeve dhe të koktejeve, duke shtuar edhe dy restorante të reja përveҫ 10 restoranteve ekzistuese. Një nga baret e reja më interesante është Latitudes Over Water Bar.
5. Live Aqua Beach Resort Kankun
Meksikë
Live Aqua Beach Resort është një nga resortet më luksoze all-inclusive të Kankunit.
Resorti dallohet për ofrimin e eksperiencave të shumta. Në të gjithë resortin, ka pesë aroma unike që zgjojnë shqisat e turistëve; disa janë krijuar për t’u qetësuar, për shembull në spa, dhe disa të tjera për të dhënë energji, si për shembull në holl.
Live Aqua ruan të njëjtin nivel të vëmendjes ndaj detajeve luksoze në çdo aspekt të këtij resorti. Për turistët epikurianë, resorti ka mbi 10 restorante, secili i specializuar në një lloj kuzhine të caktuar.
6. Sandos Caracol Eco Resort
Meksikë
Sandos Caracol Eco Resort në Playa del Carmen, Meksikë, fokusohet në ofrimin e një “Përvoje të Natyrës” për turistët që e vizitojnë. Resorti inkurajon vizitorët që të eksplorojnë mjediset e tij të bukura që ndodhen në xhungël, përmes një sërë aktivitetesh të përditshme, duke përfshirë snorkeling në cenotën natyrore që ndodhet aty dhe shëtitje me varkë për të parë majmunët merimangë aty pranë.
Ky resort është i eko-certifikuar dhe bën pjesë në Aleancën Rainforest, falë përkushtimit të tij ndaj mjedisit. Në këtë resort ndodhet një spa mbresëlënëse, shumë pishina të bukura, si dhe një park ujor emocionues. Kuzhina ndërkombëtare ofron ushqime të shijshme në të gjithë 10 restorantet e saj, edhe nëpërmjet shërbimit 24 orë në dhomë.
7. Hotel Riu Palace Tropical Bay
Xhamajkë
Hotel Riu Palace është resorti i dytë që arriti të hynte në listë nga Negril, Xhamajkë. Ky resort ndodhet në plazhet e bukura të bardha të Negril, me pamje nga uji blu i oqeanit. Secila nga 400 dhomat e hotelit ka një ballkon ose tarracë, në mënyrë që turistët të mund të shijojnë këto pamje.
Hotel Riu Palace ka tre pishina relaksuese dhe ofron akses të drejtpërdrejtë në plazh. Turistët mund të përdorin gjithashtu spa-në Renova të resortit, e cila ofron një gamë të plotë shërbimesh duke përfshirë masazhet dhe trajtimet tradicionale të bukurisë.
8. Barceló Bávaro Beach
Republika Dominikane
Lista e resorteve më të mira all-inclusive mbyllet me një resort tjetër në Punta Cana, Republika Dominikane – resorti luksoz Barceló Bávaro Beach.
Bávaro Beach është një nga 10 plazhet më të mira në botë dhe resorti ndodhet vetëm pak më mbrapa këtij plazhi, që do të thotë se turistët mund shijojnë hapësira të mëdha për të pushuar në rërën e këtij plazhi, buzë oqeanit. / Travel Awaits