Carlo de Benedettit gjithmonë i ka pëlqyer të jetë në qendër të vëmendjes. Kur ai dha dorëheqjen pas vetëm tre muajsh si Drejtor Ekzekutiv i Fiat-it në 1976, u përhapën thashetheme se ai ishte duke projektuar një ofertë për këtë prodhues makinash në vështirësi në atë kohë, i ndihmuar edhe nga financues të tjerë zviceranë, shkruan The Economist. Z. De Benedetti i mohoi të gjitha këto akuza dhe u shpreh se kurrë nuk ka pasur qëllime të tilla.
Në të gjithë vorbullën e thashethemeve, ai dukej se e shijonte shumë faktin e të qenët në qendër të vëmendjes.
Z. De Benedetti, i cili festoi 85-vjetorin e lindjes më 14 nëntor, është përsëri në qendër të vëmendjes së biznesit italian, në sajë të ofertës së tij të re. Muajin e kaluar, ai i ofroi 38 milionë euro (42 milionë dollarë amerikanë) për të blerë 29.9% të aksioneve të GEDI Gruppo Editoriale, botuesit të gazetave përfshirë “La Stampa” dhe “La Repubblica”, si pjesë e një plani për të “ringjallur biznesin”, i cili aktualisht drejtohet nga djemtë e tij, Marco dhe Rodolfo.
Pasardhësit e tij në biznes nuk kanë pasur as “aftësitë dhe as pasionin e duhur për të qenë botues”, u shpreh ai në një intervistë dhënë për një prej gazetave rivale, “Corriere della Sera”. Sipas patriarkut, GEDI prej shumë kohësh është një anije pa kapiten, e lënë në mëshirë të dallgëve të larta. Më 28 tetor, ai dha dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Nderit të GEDI-it.
Kthimi i z. De Benedetti në skenën e biznesit ka qenë kryesisht “teatral”, por përveç tij ka pasur edhe italianë të tjerë, të cilët janë vënë në qendër të vëmendjes. Stefano Pessina, miliarderi 78-vjeçar i cili është edhe CEO dhe aksioneri më i madh i Walgreens Boots Alliance, është një prej tyre. Më 11 nëntor, KKR, gjiganti amerikan me kapital privat që u bashkua me z. Pessina në 2007 për të blerë Alliance Boots, bëri një ofertë zyrtare për të blerë edhe Walgreens. Blerja prej 70 miliardë dollarësh amerikanë do të ishte edhe një prej më të mëdhave në histori.
Disa ditë më parë, sipas të dhënave të Consob, një rregullatori italian të letrave me vlerë, u zbulua se Leonardo Del Vecchio, themeluesi i Luxottica, prodhuesi i syzeve (përfshirë syzet e diellit Ray-Ban dhe Oakley), i cili sot është 84 vjeç, sapo ka rritur në gati 10%, aksionet e tij në Mediobanca, një bankë investimesh më shumë ndikim. Pritet që aksionet e z. Del Vecchio të rriten në ditët e ardhshme. Njeriu i dytë më i pasur i Italisë është duke e sfiduar Mediobanca që të ndërtojë biznesin e tij për të investuar në banka dhe të mbështetet më pak në të ardhurat nga aksionet e tij në Generali, siguruesin më të madh të Italisë.
Një tjetër 84-vjeçar, Luciano Benetton, është duke u përfshirë sërish në biznesin e veshjeve, biznes nga i cili u bë i njohur emri i kësaj familjeje. Ringjallja e biznesit të modës mund ta ndihmojë atë, duke devijuar vëmendjen nga biznesi i infrastrukturës së këtij klani, imazhi i të cilit u dëmtua shumë nga shembja tragjike e vitit të kaluar e një ure në Xhenova të menaxhuar nga Autostrade, një operator rrugësh në pronësi të një kompanie të kontrolluar nga Benettons.
Patriarkët e moshuar, të cilët nuk kanë dëshirë të largohen nga skena e biznesit, të paktën për aq sa natyra do t’i lejojë ata të mbeten pjesë e tij, janë një prej tipareve kryesore të kapitalizmit italian. Giorgio Armani po drejton perandorinë e tij të modës në moshën 85-vjeçare. Silvio Berlusconi, ish-kryeministri 83-vjeçar i Italisë, mbetet fuqia që fshihet pas Mediaset, transmetuesit më të madh komercial të Italisë (i cili tani drejtohet nga djali i tij, Pier Silvio). Kur Bernardo Caprotti vdiq tre vjet më parë në moshën 90-vjeçare ai ishte duke administruar Esselunga, një zinxhir supermarketesh të cilin ai e themeloi vetë.
Sipas Franceso Giavazzi nga Universiteti Bocconi në Milano, gjatë dhjetë viteve të fundit, lidershipi i kompanive është rinovuar. Por, siç thekson Raffaella Sadun nga Shkolla e Biznesit të Harvardit, kjo është bërë e mundur sepse ish-themeluesit e disa prej kompanive më të njohura, tërhiqen nga postet drejtuese, por duke vendosur sërish në krye, anëtarë të familjeve të tyre, një formë për të pasur sërish në dorë kontrollin. Znj. Sadun thotë më tej se kjo nuk është forma e duhur e lidershipit, sepse trashëgimtarët e disa prej mbiemrave më të njohur të biznesit në Itali, ndoshta nuk janë personat e duhur për të vazhduar drejtimin e atij biznesi.
Ndërkohë që ka një numër të madh menaxherësh të talentuar, të cilët kanë dëshirë të bëhen pjesë e këtyre firmave, njëkohësisht edhe një prej mënyrave më të mira që karriera e tyre mund të avancojë në të ardhmen. Kompanitë e mesme në Gjermani janë një model shumë i mirë, te të cilat bizneset italiane mund të referohen sa i takon delegimit të lidershipit.