Në ditën e tretë të Panairit të Librit “Tirana 2013”, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka organizuar konferencën, “Pirateria dhe ilegaliteti po e vrasin librin në Shqipëri”. Ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, përfaqësues të Zyrës Shqiptare të të Drejtës së Autorit, Drejtoresha e Zyrës së të Drejtës së Autorit në Kosovë, Zjarrta Osmani, botues nga Shqipëria e Kosova, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë etj.
Në fjalën e hapjes kreu i Shoqatës së Boutesve, Petrit Ymeri ngriti edhe një herë shqetësimin, gjithnjë e më të dukshëm të botuesve për fenomenin e piraterisë së librit në Shqipëri. “Pashë një vëllim të botuar së fundmi, “Shenjat e pikësimit në gjuhën shqipe”, tha ndër të tjera ai. “Dikush nga ne mund të mendojë se sa mirë që drejtëshkrimi i gjuhës shqipe qenka i botuar. Padyshim, është shumë mirë, por atë ka të drejtë ta botojë vetëm autoriteti që e ka përgatitur që është Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë. Nuk mund ta botojë asnjë shtëpi botuese pa të drejtë. Po kështu edhe Shenjat e Pikësimit, duhet t’i botojë vetëm instituti i Gjuhësisë apo një botues i autorizuar prej tij. E solla këtë shembull sepse pashë një akt shumë pozitiv në stendën e Librarisë Albania. Kutinë me vëllimin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” e kishin vënë menjanë me shënimin “nuk duhet të shitet, është i piratuar. Sepse, për fat të keq, në libraritë tona ekspozohen libra të piratuar, që nga këta tituj që pëmenda e deri tek autorë shumë të njohur, të cilët janë bërë publikë, por që përsëri janë nëpër librari. Pavarësisht se u fol e u shkrua, nga “Meinf Kamf” i Hitlerit e deri te “Arqipelagu Gulag” e shumë e shumë libra të tjerë të autorëve të njohur vazhdojnë të shiten. Libraritë në asnjë mënyrë nuk mund të punojnë më në këto forma. Të gjitha bashkë duhet të bashkëpunojmë, botuesit, me botuesit, botuesit me distributorët, botuesit me librarët. Në qoftë se në do të jemi të gjithë në një front të përbashkët atëherë do ta arrijmë këtë qëllim”. Në emër të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Ymeri ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve, botuesve e institucioneve shtetërore për t’u përballur siç duhet me këtë problem.
Prej vitesh e angazhuar në këtë fushë, një panoramë të plotë mbi piraterinë në Shqipëri ka bërë edhe specialistja e së drejtës së autorit, në ZSHDA, Mirlinda Çollaku. Ajo e ka ndarë situatën e të drejtës së autorit në Shqipëri në dy etapa: 1992-2005- krijimi i një tregu informal, sipas mundësisë; 2005-2013- standartizimi i tregut të librit, standartizim, i cili për fat të keq nuk ka ndodhur plotësisht.
“Si në shumë fusha dhe veprimtari që zhvillohen në Shqipëri edhe në fushën e të drejtës së autorit fajin nuk e ka mungesa e Ligjit, por moszbatimi i tij”, tha ajo. Si shkeljet më të shpeshta me të cilët janë ndeshur Çollaku ka veçuar disa. E para, rastet kur autorë, ndryshojnë, gjatë kohës së kontratës, shtëpi botuese, duke prodhuar një situatë, ku dy shtëpi botuese, hedhin të njëjtën vepër në qarkullim, pa dakordësinë e palëve në kontratë ose pa u zgjidhur kontrata, sipas ligjit. “Këtu duhet patur parasysh se njëri nga elementet e kontratës se botimit është forma ekskluzive ose jo ekskluzive e kalimit të të drejtës nga autori tek shtëpia botuese. Në rastin e një kontrate ekskluzive autori nuk mund ta kalojë të drejtën e botimit të veprës tek një shtëpi tjetër botuese. Kurse në rastin e kontrates jo ekskluzive ai është i lirë ta bëjë këtë gjë”.
Rast tjetër i ndeshur shpesh , sipas Çollakut, është kur një shtëpi botuese, e cila, pasi analizon dhe bindet për zhanrin artistik, i cili i prodhon të ardhura një shtëpie tjetër botuese, futet në treg, pa marrë asnjë autorizim nga autori, kryesisht i huaj, duke qenë të bindur në mosfunksionimin e shtetit. “Në të tilla raste, mundësia e marrjes se Barcode, ISBN, Rregjistrim Kontrate, etj, nuk ekzistojnë”, tha ajo. “Pa përmendur asnjë emër, por kemi dëgjuar dhe publikisht të shprehen shtëpi botuese, që kanë botuar vepra “dhe nuk e kanë ditur se kush është mbajtesi i të drejtës se autorit. Ç`ka do të thote botim “pa autorizim nga autori”
Gjithashtu raste të tjera të ndeshura shpesh e të veçuara nga Çollaku ishte edhe kur një shtëpi botuese, riprodhon, vepra artistike të shtëpive botuese të falimentuara, duke bërë lidhje të shkurtër me shtypshkronjat përkatëse. “Shtypshkronja, të cilat furnizojnë tregun e librit, me kopje libri, më shumë se tirazhi, i kërkuar nga shtëpia botuese. Ky fenomon ka çuar, që shumë shtëpi botuese, të zotërojnë vetë edhe shtypshkronja. Por ka raste edhe kur shtëpitë botuese botojnë apo ribotojnë veprën e autorit dhe deklarojnë më pak kopje të shitura apo të botuara duke i munguar kështu një pjesë të të ardhurave autorit”.
Shkelje të tjera që tregu shqiptar i librit njeh sipas Çollakut është edhe përkthimi dhe shtypshkrimi i veprave artistike, të blera jashtë Shqipërisë, për qëllime personale, të cilat në Shqipëri, shndërrohen në vepra artistike për tregtim. “Shkolla dhe universitete, të cilat shesin produkte librare, pa asnjë të drejtë, bile në formë fotokopje të veprave artistike nga më të mirat, në botë. Mjafton të bësh një shëtitje rreth ambjenteve universitare dhe shiten mijëra kopje librash të fotokopjuar”. Por, sipas Çollakut, njësoj problem mbeten edhe përkthimi dhe botimi i veprave artistike të marra nga interneti, sipas programeve kompiuterike Bit Torrent ose Common Creative. “Por për fat të keq dhe të mirë pirateria e librit në Shqipëri, deri më sot, ndeshet kryesisht në formën më primitive te saj”, tha ajo. “Them për fat të keq, pasi është e turpshme që institucionet shqiptare nuk kanë mundur të eliminojnë as këtë formë elementare piraterie. Them për fat të mirë, pasi sot në botë problem madhor me piraterinë është i lidhur me zhvillimet teknologjike dhe me botën e re virtuale të internetit”.
Për situatën e piraterisë ndër botime ka folur në Konferencë edhe shefja e zyrës së të Drejtës së Autorit në Kosovë, Zjarrta Osmani. “Ndikimi i piraterisë shihet gjithandej, si në industrinë e muzikës, të filmit, në hapsirën ekonomike ashtu edhe tek libri. Çështja e luftimit të piraterisë është një sfidë botërore dhe jo vetëm e jona”, tha ajo duke shtuar se ndërkohë në Kosovë ka nisur puna dhe janë bllokuar dhjetra tituj të piratuar e po punohet fort që situata të vihen në kontroll e të mundësohet zbatimi i ligjit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.