Me heqjen zyrtare të kufizimeve të udhëtimit për në Portugali, turistët po vërshojnë në masë në kërkim të plazheve dhe diellit.
Njihuni më poshtë me 9 destinacione portugeze që janë më të qeta se Algarve, por po aq tërheqëse:
9. Azoret – një eko-parajsë
Ishujt Azore janë një grup prej nëntë ishujsh portugezë në veri të Oqeanit Atlantik. Të ndarë në tre grupe, ishujt janë habitati i një biodiversiteti të pasur dhe e kratereve të shumta vullkanike. Ata janë quajtur një parajsë “ekoturizmi” dhe janë vendi i ndërtesave të shumta historike, përfshirë kishat e shekullit XV dhe banesat feudale.
Ishulli më i lehtë për të udhëtuar me avion është Sao Miguel, por ishulli më i mirë për sa i përket arratisjes nga zhurma e jetës turistike është Corvo, i cili ka aeroportin e tij të brendshëm që ka lidhje midis tre ishujve të tjerë. Një mënyrë tjetër alternative për të shkuar në Corvo është nëpërmjet tragetit nga Sao Miguel.
8. Sintra – Sintra – vendlindja e një historie të jashtëzakonshme
Më pak se një orë larg nga kryeqyteti i Portugalisë, Lisbona, ndodhet qyteti i vogël portugez i Sintra.
Ky qytet, në kodrat e Serra de Sintra, është i njohur për vilat dhe rrënojat e kalasë. Shumë e vizitojnë vetëm një ditë, por rekomandohet që të qëndroni për disa ditë pasi ka shumë për të zbuluar. E famshme për klimën pak më të freskët, Sintra është qyteti ideal për t’i shpëtuar nxehtësisë portugeze. Kjo është ajo që fisnikëria, artistët dhe elita portugeze bënë në shekullin e XIX, pasi rezidencat e tyre verore u vendosën këtu.
7. Coimbra – atmosferë studentore
Nga viti 1139 deri në 1260, Coimbra ishte kryeqyteti i Portugalisë dhe tani njihet si “Qyteti i Studentëve”. Pavarësisht se është qendra e katërt më e madhe urbane në Portugali, popullsia e saj është vetëm 106,582 banorë, sa një e pesta e popullsisë së Lisbonës. Qyteti është ende mesjetar në pamjen e tij, me shumë nga ndërtesat që datojnë që nga Perandoria Romake. Ndërtesat e universitetit njihen gjithashtu si Trashëgimi Botërore e UNESCO. Ky qytet i integruar universitar është një shembull se si studentët mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike me vendasit.
6. Aveiro – Aveiro – Venecia e Portugalisë
Aveiro, në brigjet e Oqeanit Atlantik, është një nga portet më të rëndësishme të Portugalisë. Shpesh i referohen si “Venecia Portugeze”, rajoni është i populluar nga anijet dhe pronarët e tyre dhe krenohet me një rrjet të gjerë kanalesh. Aveiro ka gjithashtu një numër qytetesh simotra, duke përfshirë vende në Tunizi, Japoni dhe Mozambik, dhe është i njohur për prodhimin e kripës dhe qeramikës.
5. Cascais – parajsa e sërfistëve
I njohur si “zemra e Rivierës Portugeze”, Cascais është vendi ideal nëse juve ju pëlqejnë plazhet e Algarve. Cascais është destinacioni i përsosur për familjet. Më parë një qytet peshkimi, tani është një vend i njohur për sportet ujore dhe shëtitjet në këmbë. Nëse jeni një entuziast i sportit të sërfit, ose thjesht dëshironi ta provoni, shkoni në Cascais. Numri i vizitorëve që janë adhurues të sërfit është në rritje, por konsiderohet ende i pazbuluar në këtë drejtim, prandaj rrini të qetë sepse nuk do t’ju duhet të luftoni për të kapur dallgën më të mirë”!
4. Braga – e përsosur për të eksploruar kisha dhe një katedrale
Braga është qyteti i tretë më i madh i Portugalisë dhe është i lidhur fort me rrënjët historike dhe shpirtërore që ende ekzistojnë në vend. Ngjarja kryesore e kalendarit të Bragës zhvillohet gjatë Javës së Shenjtë, në prill. Atmosfera që krijohen është mesjetare dhe u kujton turistëve dhe vendasve se Braga është ende qendra klerikale e Portugalisë.
3. Lugina Douro – e përkryer për adhuruesit e verës
Shtëpia e të gjitha verërave, Lugina Douro është pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2001. Luginat janë të qeta gjatë gjithë sezonit, me përjashtim të rasteve kur bëhet vjelja e të korrave, atëherë bëhen të zhurmshme nga pronarët e vreshtave dhe entuziastët e verës. Nëse doni të kaloni verën tuaj duke provuar verë, ndërsa shijoni peizazhin e bukur të hektarëve me vreshta, Douro është zgjedhja më e mirë.
2. Reserva Natural das Berlengas – një perlë ekskluzive
Vetëm 10 km nga Peniche, Reserva Natural das Berlengas ose Arkipelagu Berlengas është një pjesë kryesisht e paprekur e Portugalisë. I përbërë nga tre ishuj, Berlengas është shtëpia e zogjve të shumtë, duke përfshirë speciet e rrezikuara. Rajoni është mjaft i njohur për jetën detare. Berlenga është ai vend, ku lejohen vetëm 350 njerëz në ishull në çdo kohë. Vizita këtu është e mundur vetëm me traget i cili bën dy udhëtime në ditë midis muajve maj dhe shtator.
1. Peniche – xhevahiri i kurorës së Portugalisë
Dikur një ishull, gjeografia e ka bërë Peniche-n shumë më të arritshëm për banorët e Portugalisë dhe turistët. Vetëm një orë me makinë nga Lisbona, qyteti bregdetar i Peniche është i famshëm për portin historik dhe muret e vjetra. Pjesa më e mirë e Peniche mbetet në qytetin e vjetër ku fortesa që daton që nga shekulli XV, e përdorur nga ushtria deri në vitet 1970, ka qenë shtëpia e emigrantëve nga kolonitë e pavarura të Afrikës. Sot në fortesë ndodhet një muze, i cili përmban objekte që datojnë që kur fortesa u përdor si burg nga ish-diktatori Salazar. / Euronews