Kur mendoni për Parisin, për kryeqytetin francez të dashurisë, dritave dhe artit, tingulli i ëmbël i fizarmonikës nga filmi ‘Amelie’ mund të fillojë të luhet njëkohësisht në mendjen tuaj. Por kur mendoni se rreth 30 milionë turistë e vizitojnë në vit këtë qytet me 2,2 milionë banorë, shumica prej jush mund të stepen.
Këto nëntë qytete franceze janë konkurrentë të denjë me Parisin, ndërsa janë gjithashtu më të lirë, me më pak turistë dhe më të lehtë për t’u eksploruar.
- Strasburgu
Vetëm disa kilometra nga kufiri gjerman, Strasburgu është një destinacion shumë i njohur ndërkombëtar, aty ku ndodhen disa institucione politike europiane dhe një nga tregjet më të mëdha të Krishtlindjeve. Katedralja madhështore është më e vizituara në Francë, pas Notre-Dame de Paris. Konsiderohet si simboli i vërtetë i qytetit, e ndërtuar në vitin 1220 dhe mbetet një nga shembujt më të mirë të arkitekturës gotike. Ajo ndodhet në qendrën historike të Strasburgut, Grande-île. Pasi të keni shëtitur nëpër rrugët e tij të ngushta, provoni shijen e lakrës turshi (lakër dhe salçiçe) dhe pini një birrë Alsatiane për një përvojë tipike në zemër të rajonit të Alsasit.
- Arles
Afër detit Mesdhe, Arles është shtëpia e një prej festivaleve më të famshëm të fotografisë në botë. Është qyteti me më shumë monumente romake… pas Romës. Nuk është çudi që Vincent Van Gogh u dashurua me peizazhet mbreslënëse të plazheve me rërë dhe pellgjeve të kripës në Parkun Kombëtar Camargue.
- Annecy
Kufizohet nga një liqen në rrëzë të maleve Semnoz, Annecy gëzon një pozicion të jashtëzakonshëm gjeografik. Një kartolinë e vërtetë, qyteti është një varg i shtëpive të hijshme gjysmë druri dhe pamjeve të ‘masiveve’ (maleve) të Bauges dhe Aravis që e rrethojnë. Në verë, rekomandohen zhytjet në liqen, ndërsa, në dimër, shëtitjet e gjata përgjatë ujit do t’ju japin një ndjesi tipike të qetësisë karakterizuese të këtij qytetit. Nëse vini me gjysmën tuaj tjetër, mos harroni ta puthni atë mbi “Pont des Amours” (Urën e të Dashuruarve) – gojëdhënat thonë se ju do të jeni të bashkuar për jetë.
- Krahina Baske
I rrethuar nga Oqeani Atlantik dhe valët e tij të fuqishme, Krahina Baske shtrihet midis Francës dhe Spanjës. Këtu, nuk do të gjeni një fshat pa një mur për ‘pelota’ (një sport i ngjashëm me tenisin), as një kodër pa shtigje shëtitjeje ose fushë golfi. Adhuruesit e detit gjithashtu do të jenë të kënaqur me kilometra të tëre vijë bregdetare ku mund të praktikojnë edhe sporte të tillë si surfi dhe zhytja.
- Brittany
Një destinacion mjaft i frekuentuar pushimesh për francezët, Brittany është një vend kontrastesh që ofron një mozaik të vërtetë vendesh për t’u zbuluar. Ka porte dhe ferma peshkimi, vende turistike dhe vende misterioze, pyje, histori dhe legjenda, muze dhe parqe për kohën e lirë. Ju mund ta eksploroni me lehtësi rajonin në këmbë përmes një prej shumë shtigjeve për shëtitje, të tilla si GR 34 që kalon përgjatë bregdetit për gati 2,000 km. Por mbi të gjitha, Brittany është vendi i duhur për t’u vizituar nëse jeni një shijues i ushqimit. Midhjet, mushti, krepat, krahas vallëzimit popullor janë sigurisht elementet kryesore që e bëjnë një udhëtim të paharrueshëm.
- Korsika
Ideale për një pushim të qetë në një kulturë të përzier italo-franceze, Korsika është një ishull që mund të ndahet në dysh. Bastia në veri dhe Ajaccio në jug. Pseudonimi i tij modest është Ishulli i Bukurisë, i cili ju jep një ndjesi krenarie vendasve. Në varësi të llojit të pushimeve që dëshironi, ose mund të shtriheni në rrezet e diellit në plazhet e tij me rërë me ujë kristal nën këmbët tuaja. Ose shëtisni dhe ngjituni në majat spektakolare të ngjashme me gjilpërat si col de Bavella.
- Nantes
Kryeqyteti i Gjelbër Europian 2013, Nantes shquhet për angazhimin në mbrojtjen e mjedisit. Ju mund të shijoni me biçikletë rrugët e mbrojtura dhe të gjelbra në brigjet e lumit Loire dhe pastaj të vizitoni kështjellën mesjetare të Dukes së Brittany. Mos hezitoni të merrni tragetin për në fshatin e vjetër të peshkimit në Trentemoult, ku rrugët e ndërthurura gjallërohen nga fasadat shumëngjyrëshe të shtëpive, duke hapur rrugën drejt lumit ku ka një atmosferë ‘guinguette’ (taverne).
- Marseja
Marseja ka aq shumë për të ofruar dhe lë gjurmë te çdo vizitor. Një qytet port me një të kaluar të pasur, njëkohësisht edhe qyteti më i vjetër në Francë. Nga Les Goudes në L’Estaque, ajo ka përballe detin Mesdhe, duke shkëlqyer nën rrezet e diellit. Por kujdes nga era e kësaj zone, e cila mund të fryjë deri në 100 kilometra në orë. U vlerësua Kryeqyteti Europian i Kulturës në 2013, dhe ofron një larmi të gjerë të teatrove, sallave të koncerteve dhe muzeve, ku mund të përmendim MuCEM. Ju gjithashtu mund të bëni një shëtitje në Parkun Kombëtar Calanques, por mos harroni të merrni me vete kremin kundër diellit dhe një shishe me ujë për të pirë, pasi temperaturat mund të arrijnë 35 gradë Celsius në verë.
- Lioni
Qyteti kryesor deri në vitin 297 kur Parisi mori titullin, kryeqyteti antik ka ruajtur një trashëgimi të jashtëzakonshme arkitektonike. Nuk është çudi që rajonet e Vieux Lyon, kodra Fourvière, Presqu’île dhe shpatet e Croix-Rousse renditen si Trashëgimi Botërore. Ju mund të merrni tramvajin për të kaluar mbi lumin Rhône, i cili u jep një atmosferë lundrimi udhëtimeve tuaja, por duhet t’i ngjitni në këmbë 567 shkallët deri në katedralen Notre-Dame-de-Fourvière. Këtu do të shijoni një panoramë të plotë të qytetit, që shtrihet nga parku Tête d’Or në zonë moderne të Confluences. / Euronews