Budapesti është një qytet që duhet të jetë patjetër në listën tuaj të udhëtimeve.
Ai është një qytet i kontrasteve. Kultura dhe moderniteti ndërthuren së bashku.
Danubi i bukur rrjedh qetë mes për mes qytetit, i cili është i pasur me arkitekturë klasike, ndërsa vetëm disa blloqe larg ndodhen ndërtesa të vjetra që kanë nevojë për restaurim.
Informacioni i mëposhtëm do t’ju ndihmojë të planifikoni udhëtimin tuaj për të shijuar sa më shumë qytetin e Budapestit.
- Qyteti përbëhet nga dy pjesë të veçanta
Deri në vitin 1873, Buda dhe Pesti ishin dy qytete të ndara nga lumi Danub. Gjatë pjesës më të madhe të historisë, Budapesti ka qenë i ndarë në dy pjesë.
Ju mund ta planifikoni vizitën tuaj duke parë në fillim një anë të qytetit, pastaj tjetrën. Kaloni një ditë në anën e Budës, pastaj ditën tjetër në anën e Pestit. Ana e Budës, me Rrethin e Kalasë, është kodrinore dhe e gjelbër. Ajo ka hapësira të mëdha natyrore dhe toka pyjore. Zona e Pestit është një qendër urbane e zhurmshme. Të dyja ofrojnë pamje të veçanta.
Ura legjendare Chain Bridge (Ura Zinxhir) duhet përfshirë në udhëtimin tuaj. Ajo mbrohet si Trashëgimi Botërore e UNESCO -s.
- Transporti është i thjeshtë dhe argëtues
Budapesti ka një sistem metroje dhe tramvaje mjaft efikas. Blini biletat në një nga makineritë shitëse BKK. Ju mund të blini një biletë të vetme udhëtimi ose karta për 24 orë, 72 orë ose një javë. Shikoni opsionet në faqen e internetit para udhëtimit tuaj.
Për një udhëtim argëtues përgjatë Danubit, udhëtoni me tramvajin nr. 2. Linja përfundon në ndërtesën gjigante të Parlamentit. Më pas mund të zbrisni dhe të ktheheni përsëri për të parë anën tjetër.
- Planifikoni një ditë në Rrethin e Kalasë
Rrethi i Kalasë mbulon një pjesë të madhe në anën Buda të Budapestit.
Rrugët dredha-dredha me kalldrëm dhe shëtitoret të çojnë pranë shtëpive barok, monumenteve të Habsburgëve dhe kafeneve. Këtu do të gjeni Kalanë e Budës, një pallat i rrafshuar dhe i rindërtuar gjashtë herë përgjatë shekujve. Kalaja aktuale, e ndërtuar në vitin 1769, është shtëpia e Galerisë Kombëtare Hungareze dhe Muzeut të Kalasë.
Pallati Sandor, rezidenca e presidentit të republikës, ndodhet përballë kalasë, me roje që vishen sipas stilit të Pallatit Buckingham. Nga jashtë mund të shihni ceremoninë e ndryshimit të rojës.
- Lahuni në banjat e famshme
Budapesti është i njohur për burimet natyrore të ujit mineral. Hungaria ka më shumë se 1.000 burime natyrore, dhe disa prej tyre ndodhen në Budapest. Ju duhet të bëni një vizitë në të paktën një nga banjat, si pjesë e përvojës tuaj në Budapest. Sigurohuni që të merrni me vete rrobabanjo!
Më e njohura është Banja Széchenyi në Pest, një nga banjat kurative më të mëdha në Europë. Bileta e hyrjes ju jep qasje në 21 pishina të brendshme. Ju mund të lëvizni nga pishina në pishinë, dhe të provoni temperaturat e ndryshme të ujit.
Nga ana e Budës, Banja Gellért është një zgjedhje e shkëlqyer. Banjot e Budapestit u hapën për vetitë e tyre shëruese. Mendohet se ujërat natyrore janë terapeutike për artritin dhe problemet e tjera me kyçet.
- Vizitoni këpucët në Memorialin e Danubit
Ky është një memorial unik në anën Pest të lumit Danub. Ai përfaqëson 60 palë këpucë të ndryshkura, prej hekuri, në stilin e viteve 1940. Këpucët simbolizojnë hebrenjtë e Budapestit që u vranë aty gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato kanë madhësi dhe stile të ndryshme sepse nuk u kursye asnjë hebre, pavarësisht nga mosha, profesioni ose statusi. Këpucët e fëmijëve janë veçanërisht prekëse. Aty njerëzit lënë lule, shirita, gurë përkujtimorë dhe qirinj.
- Vizitoni spitalin e pazakontë në shkëmb
Është gjithmonë magjepsëse të kërkosh vende unike që pasqyrojnë historinë e një qyteti. I tillë është spitali i çuditshëm në shkëmb në Budapest.
Ky spital i ngritur në shkëmb dhe është një sistem i jashtëzakonshëm tunelesh që u përdorën për t’u kujdesur për pacientët kur qyteti ishte nën rrethim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërtesa nëntokësore strehoi deri në 700 pacientë. Familjet dhe miqtë e të sëmurëve dhe të plagosurve qëndruan gjithashtu këtu për të qenë të sigurt nga sulmet.
- Shijoni një Rose Gelato
Porositni një akullore në formën e një trëndafili nga Gelarto Rosa. Themeluesja e këtij dyqani thotë se misioni i saj është “të kënaqë njerëzit nga e gjithë bota me akullore të bukura dhe të shijshme”.
- Merrni para vendase me vete
Hungaria nuk përdor euro. Monedha e saj është forinta. Për shumicën e shpenzimeve, si ngrënia, mund të përdorni një kartë krediti.
- Bëni një shëtitje me anije në Danub
Nëse doni të shijoni një pamje të mrekullueshme të brigjeve të dy anëve të Budapestit, rezervoni një udhëtim me anije në mbrëmje përgjatë Danubit. Pamja e ndërtesës së parlamentit të ndriçuar natën është vërtet madhështore. / Travel Awaits