Kompanitë e sigurimit të jo-jetës e mbyllën 9-mujorin 2020 me një fitim neto në vlerën e 1.04 miliardë lekëve ose 8.4 milionë eurove.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, fitimi i siguruesve është në një nivel lehtësisht më të ulët krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, me rreth 5.5%.
Të dhënat e detajuara tregojnë se në fakt rezultati teknik ose ai që lidhet direkt me aktivitetin sigurues këtë vit është rritur ndjeshëm në 1.13 miliardë lekë, 20.6% më shumë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Megjithëse këtë vit siguruesit kanë pësuar një rënie të të ardhurave, kryesisht si rezultat i tkurrjes së primeve të shkruara bruto, rezultati teknik është përmirësuar falë uljes së shpenzimeve neto për dëme të paguara.
Kjo lidhet kryesisht me faktin se këtë vit është rritur ndjeshëm pjesa e dëmeve të paguara nga risiguruesit dhe jo direkt nga kompanitë e sigurimeve. Një zhvillim i tillë është i lidhur kryesisht me tërmetin e nëntorit 2019, ku përgjegjësitë ishin në pjesën më të madhe të risiguruara, sicc ndodh zakonisht në rastin e katastrofave natyrore.
Megjithë përmirësimin e rezultatit teknik, fitimi neto ka rënë nga ulja e fitimit nga investimet. Për nëntë muajt e këtij viti, siguruesit e jo-jetës fituan vetëm 27 milionë lekë nga investimet, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë fitimi kishte arritur vlerën e 374 milionë lekëve. Përcaktuese në uljen e rezultatit në këtë zë ka qenë shitja me humbje e investimeve, kryesisht aksione dhe pasuri të paluajtshme të kompanive të sigurimit.
Në fund të muajit shtator, totali i aktiveve të kompanive të sigurimit të jo-jetës kishte vlerën e 38.6 miliardë lekëve ose rreth 311 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, totali i aktiveve të tregut ka pësuar një rënie të lehtë me 0.5%.
Kriza ekonomike dhe tkurrja e aktiviteteve të lidhura me lëvizjen e shtetasve ka dhënë një ndikim në uljen e volumit të sigurimeve gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga AMF, për 10 mujorin 2020, primet e shkruara bruto pësuan një rënie me 5.4% krahasuar me një vit më parë. Ndër produktet me peshë domethënëse, rënia më e theksuar ka ardhur tek sigurimet që mbulojnë qarkullimin ndërkufitar të automjeteve dhe te sigurimi i aksidenteve në udhëtim. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.