Shpenzimet buxhetore u rritën me 9% në 9-mujorin 2021, të mbështetura nga rritja e arkëtimeve buxhetore më shumë se plani. Gjatë janar – shtator 2021, Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave bëri pagesa në vlerën e 403 miliardë lekëve, nga 367 miliardë lekë të shpenzuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e shpenzimeve në raport me 2020-n u udhëhoq nga shtimi i fondeve për financimin e rindërtimit, shpenzimet koherente, pagesat ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, sigurimeve shëndetësore dhe interesave të borxhit, ndërsa ulja më e madhe u vërejt në fondet që lidhen me mbështetjen direkte ndaj shtresave në nevojë të tilla si ndihma ekonomike.
Për muajt e mbetur, Qeveria ka ende të pashpenzuar një fond prej 84,6 miliardë lekësh (700 mln euro) nga deficiti buxhetor, si rrjedhojë e mosrealizimit sipas parashikimeve të investimeve publike. Qeveria ka ende të pashpenzuar 70% të hapësirës së deficitit buxhetor, një pjesë e të cilave pritet të rialokohen ndaj kompanive publike të energjisë për të përballuar krizën energjetike.
Zëri më i madh, shpenzimet koherente arritën një vlerë prej 331 miliardë lekësh, me rritje vjetore 8.2%, kryesisht prej rritjes së shpenzimeve të personelit me 9%, shpenzimet e interesave të borxhit me 15.5%. Në 9-mujorin 2021, për interesat e borxhit u shpenzuan 28,3 miliardë lekë, 3.8 miliardë më shumë se viti i kaluar. Rritja e shpenzimeve për interesa erdhi kryesisht për pagesat e borxhit të jashtëm. Rritja e borxhit publik me gati 15 pikë përqindje të PBB-së në dy vitet pandemike po ushtron presion në shpenzimet për shërbimin e borxhit.
Zëri i dytë më i madh i shpenzimeve buxhetore, ai për fondet sociale, ku përfshihen shpenzimet për skemën e pensioneve, sigurimeve shëndetësore dhe kompensimi i ish-pronarëve shënoi rritje 13.5%, duke arritur në 145 miliardë lekë nga 128,3 që ishte vitin e kaluar në 9-mujor. Rritja në këtë zë u udhëhoq nga pagesat për institutin e sigurimeve shoqërore me rreth 90 milionë euro më shumë se viti i kaluar ose 12 %. Plakja e popullsisë dhe dalja në pension e brezit të bumit të lindjeve në vitet ‘50 po rrit me shpejtësi shpenzimet për arkën e pensioneve.
Në të kundërt, shpenzimet për pushtetin vendor u ulën me 11% në raport me vitin e kaluar si rrjedhojë e përfundimit të efekteve të paketës së ndihmës që u dha vitin e kaluar. Për të njëjtat arsye u ulën edhe shpenzimet për ndihmën ekonomike me 3%.
Shpenzimet kapitale patën ecuri të mbarë në raport me vitin e kaluar me një vlerë rreth 51 miliardë lekë, me rritje 4.7%, por ato vijojnë të jenë shumë të ulëta në raport me planin e këtij viti. Deri në shtator ishin shpenzuar vetëm 53% e fondit vjetor prej 108 miliardë lekësh (1 mld USD) fondi më i lartë i historik.
Lexo edhe Çmimet e larta “shpëtojnë” buxhetin, të ardhurat rriten 6.8% me 2019-n, nuk rimëkëmben fitimet
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.