Shpenzimet e bankave për fondin rezervë të kredive me probleme janë rritur ndjeshëm këtë vit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të 9-mujorit shpenzimet për provigjione të sektorit bankar kishin vlerën e 5.06 miliardë lekëve, në rritje me 73% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shpenzimet për provigjione këtë vit janë në nivelet më të larta të periudhës pas pandemisë dhe reflektojnë tendencën në rritje të raportit të kredive me probleme.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në fund të muajit shtator në nivelin 5.24%, me një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ndodhej në nivelin e 5.06%.
Megjithëse deri tani rritja e raportit të kredive me probleme ka qenë e kufizuar, rritja e vlerës së provigjioneve sinjalizon një kujdes të shtuara përballë një mjedisi me rreziqe më të larta. Ekonomia shqiptare këtë viti po rritet me ritme më të ulëta krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që edhe kreditimi i ekonomisë është ngadalësuar.
Gjithashtu, treguesit plotësues të cilësisë së kredisë që përdoren nga Banka e Shqipërisë deri në fund të 6-mujorit 2023 tregojnë se sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme, të cilat pritet të pasqyrohen në dobësim të treguesve të cilësisë së kredisë në vazhdim.
Fluksi i kredive të reja me probleme ishte sa 2.2% e kredive të rregullta, nga 2.1% që kishte qenë një gjashtëmujor më parë dhe 1.8% që kishte qenë një vit më parë. Ky tregues mat fluksin e ri të kredive me probleme ndaj tepricës së kredive të rregullta në fund të periudhës.
Nga ana tjetër, norma e dështimit që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë, rezultoi 1.2% duke u rritur ndaj fundit të gjashtëmujorit të kaluar dhe ndaj një viti më parë.
Ky tregues mat fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë, me përjashtim të kredive të humbura. Rritja e normës së dështimit gjatë 12 muajve të fundit sinjalizon një ekspozim më të lartë ndaj rrezikut të kredisë.
Norma e rikuperimit të kredive me probleme shënoi rënie në 10% nga 16% një vit më parë. Ky tregues mat fluksin e ri të kredive me probleme që kanë kaluar në klasat performuese ndaj tepricës së kredive me probleme në fund të periudhës.
Rënia e këtij treguesi tregon ngadalësim të aftësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme. Përkeqësimi i treguesve plotësues të cilësisë së kredisë përputhet me rritjen e shpenzimeve të bankave për provigjione.
Për momentin, rritja e provigjioneve nuk e ka frenuar tendencën në rritje të fitimeve të sektorit bankar. Statistikat tregojnë se fitimi neto i sektorit për 9-mujorin është rritur me 77% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht si rezultat i rritjes së normave të interesit./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.