Varianti i koronavirusit B.1.1.7, i cili u identifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar është zbuluar në nëntë nga 10 rastet e reja të regjistruara në Gjermani, sipas një raporti nga autoriteti i shëndetit publik “Robert Koch Institute”.
Raporti i RKI tregon se varianti britanik përbën 88 për qind të infeksioneve të reja të koronavirusit për testet e kryera midis datave 22 dhe 28 Mars.
“Kjo është shqetësuese sepse B.1.1.7 është më transmetues se sa variantet e tjera, sipas studimeve të mëparshme”.
Instituti tha se për shkak të gjetjes në nivel të lartë të B.1.1.7, rritja e përgjithshme “nuk pritet të ngadalësohet” dhe shtrimet në spital do të vazhdojnë të rriten.
Të enjten, Gjermania regjistroi 24,300 infeksione të reja. Vdekjet koronavirusit shkuan në 201 brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 76,543. Të dhënat e fundit nga RKI tregojnë se numri i rasteve të reja për 100 mijë banorë është rritur në 134, më shumë se dyfishi në vetëm katër javë.
Izolohet një pjesë e Austrisë deri më 10 prill
Një pjesë e Austrisë duke filluar nga sot do të futet në izolim deri më 10 prill, kohë e cila përkon me festën e Pashkëve, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe ndaluar mbingarkesën e sistemit të kujdesit shëndetësor.
Bllokimi do të aplikohet për rreth 4 milionë njerëz që jetojnë në Vienë, Burgenland dhe Austrinë e Ulët, ku marketet, përfshirë edhe dyqanet ushqimore dhe farmacitë, muzetë dhe kopshtet zoologjike do të mbyllen.
Sipas rregullave të vendosura, ora policore do të zbatohet, dhe njerëzit do të largohen nga shtëpia vetëm për të bërë pazare, për të shëtitur kafshët e tyre shtëpiake ose për të bërë ushtrime fizike në natyrë.
Megjithatë shërbimet fetare do të lejohen gjatë Pashkëve, por do t’iu nënshtrohen rregullave shumë të rrepta të higjienës.
Sipas autoriteteve shëndetësore austriake 2,323 persona po marrin trajtim spitalor, nga të cilët 540 në kujdesin intensiv. Në total mbi 9 mijë vdekje janë regjistruar në vend që nga fillimi i pandemisë./CNN