Dashamirësit e operës, poezisë dhe aktrimit adhurojnë të shkojnë në teatër. Teatri përcjell histori, emocione, tregon ngjarje dhe vuajtje, por dhuron edhe të qeshura dhe momente gëzimi. Por cilët janë teatrot më antikë në Europë?
Fjala teatër vjen nga greqishtja dhe do të thotë “shoh spektaklin”. Është një tërësi disiplinash të ndryshme, që ndërthuren dhe konkretizojnë vënien në skenë të një ngjarje spektakolare “live”.
Në histori, Teatri ka përfaqësuar gjithnjë një pikë takimi. Teatri ka qenë gjithnjë djepi ku kanë lindur artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Por a e keni pyetur veten se cilët janë teatrot më antikë në Europë?
Ndër teatrot më të vjetër, si në Europë dhe në botë, është Teatri San Carlo në Napoli. San Carlo është teatri më i vjetër në botë, në të cilin ende sot vihen në skenë shfaqje. Ai u përurua në vitin 1737 dhe ka 1386 vende. Salla është e gjatë 28,6 metra dhe e gjerë 22,5 metra. Teatro San Carlo është zgjedhur edhe teatri më i bukur në botë.
I dyti, ndër teatrot më të vjetër në Europë është Manoel Theatre, në Valleta (Maltë). Edhe Manoel Theatre, ashtu si San Carlo, është ende aktiv sot. U ndërtua në vitin 1732 dhe ka 632 vende.
Fenice di Venezia, e ndërtuar në vitin 1792, bën pjesë ndër teatrot më të vjetër në botë, ku ende sot vihen në skenë shfaqje. Në këtë teatër janë vënë në skenë premiera të shumta, si për shembull veprat e Rossini-t, Bellini-t, Doninzetti-t dhe Verdi-t. Kapaciteti është rreth 1000 vende dhe ka një akustikë të përkryer, e cila është përmirësuar në rikonstruktimin e kohëve të fundit pas zjarrit të vitit 1996.
Ndër teatrot më të bukur dhe të vjetër në botë është edhe Margravial Opera House në Gjermani. Ky teatër është përfshirë në Listën e Trashëgimisë së UNESCO-s në vitin 2012 dhe është përdorur shpesh nga kompozitori Richard Wagner për veprat e tij. Një kuriozitet: sipari origjinal u vodh nga trupat e Napoleonit ndërsa kalonin nëpër qytetin e Bayreuth.
Në Pragë ndodhet Stavovské Divadlo (Teatri shtetëror). Ai mburret me disa premiera të Mozartit dhe në vitin 1796 aty luajti edhe Beethoven. Teatri u ndërtua gjatë viteve 1781-1783.
Në listën e teatrove më të vjetër në botë është edhe Royal Opera House. Ai krenohet me vënien në skenë të veprave të shumta të kompozitorit George Frideric Handel. Teatri është selia e Royal Opera dhe Royal Ballet.
Në Vjenë është Teatri i Operës, në të cilin edhe sot vihen në skenë shfaqje. Ai u ndërtua pas gjysmës së dytë të shekullit XIX. U përurua nga operën “Don Giovanni” të Mozartit. Pasi u shkatërrua plotësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore u rihap në vitin 1955.
Në vitin 1861 nisën punimet për ndërtimin e Opéra Garnier në Paris. Ai është shpallur monument historik në Francë, për stilin tipik të Perandorisë së Dytë.
Nuk mund të mungonte në këtë listë Scala në Milano, e përuruar në vitin 1778.
Teatri është një vend magjik ku mund të përjetoni emocione të forta, të papërsëritshme. Këto janë teatrot më të vjetër në Europë, ku janë vënë në skenë veprat e artistëve më të mëdhenj në botë. Ata kanë krijuar vepra unike, të cilat vlerësohen ende sot dhe adhurohen nga të gjitha brezat.