Flet Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group
Turistët e shohin më me leverdi pagesën e një pakete të plotë që në fillim, e cila u garanton atyre nga fjetja te vaktet dhe pijet. Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group, thotë se të paktën 90% e atyre të cilët rezervojnë në strukturat e tij zgjedhin paketën “all inclusive”. Aktualisht po punohet me 80% të kapacitetit në dy hotelet e mëdhenj dhe turistët që po i frekuentojnë nga polakët, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë. Në gusht pritet edhe një rritje e numrit të turistëve vendas.
Si ka qenë ecuria në korrik për strukturat tuaja akomoduese, duke qenë se pati një lloj lëvizje dhe me çfarë paketash po operoni?
Nga katër strukturat me të cilat operon Fafa Hotels & Resort, ne kemi hapur vetëm dy të mëdhatë, pra Fafa Premium dhe Grand Blue Fafa, ndërsa dy më të voglat Mel Holiday dhe Hotel dhe Fafa Beach Hotel i kemi mbajtur mbyllur. Aktualisht po punojmë me 80% të kapacitetit.
Të paktën 90% e turistëve që kemi kërkojnë ‘all inclusive’, pasi shohin se funksionon më mirë. Pra ti e paguan paketën që në fillim dhe aty i ke të garantuara ushqime e pije. Për shkak të situatës së përgjithshme, që është e vështirë për të gjithë, edhe për klientët jo vetëm për bizneset ‘all inclusive’, shihet si një formë kursimi, pasi nuk duan të shpenzojnë shumë.
Cilët janë grupet e turistëve që vizitojnë këto kohë strukturat tuaja?
Ka turistë nga Kosova, Maqedonia të cilët bëjnë rezervime edhe me Booking dhe mund të them se ka një ecuri të mirë rezervimi nga kjo platformë. Në gusht presim që të rritet numri i pushuesve vendas. Kemi pasur edhe më herët, por mendojmë që gushti do të ketë dhe më shumë.
Po kështu ka pasur polakë. Të parët mbërritën më 14 korrik dhe u larguan pas një jave, tani kemi grupin e dytë. Kemi marrë vlerësime shumë të mira nga ky grup turistësh. Situata e shitjeve të paketës së Shqipërisë nga agjencitë polake është vështirësuar pak pasi ka një lloj hezitimi, për shkak të numrave të rritje të infektimeve me COVID-19 në vendin tonë. Sa i takon grupit të nordikëve që kanë qenë një grup i rëndësishëm vitet e shkuara, kemi shpresë se ndoshta do të vijnë pas datës 25 gusht.
Ata ende nuk janë tërhequr nga Shqipëria si destinacion për këtë vit, por presin se ndoshta situata do të ndryshojë. Grupin e turistëve gjermanë nuk e presim që të vijnë këtë vit, pasi nga kontaktet me agjencitë partnere na është thënë se detyrimi për karantinim 14-ditor pas kthimit shihet si penalizues dhe askush nuk dëshiron t’i nënshtrohet.
Ju po ofroni shërbimin ‘all inclusive’ prej disa vitesh. Si janë kostot e këtij shërbimi këtë vit?
Kostot për këtë lloj shërbimi janë rritur, pasi për shkak të respektimit të protokollit të sigurisë dhe masave anti-COVID, ushqimi shërbehet nga kamerieri. Për këtë arsye, ne kemi rritur numrin e punonjësve të paktën tek restoranti, që automatikisht përkthehet në kosto. Në secilin nga hotelet ne kemi më shumë se 100 punonjës, ndërkohë që situata e vështirë na bëri të reduktojmë disa pozicione, pasi hotelet punojnë nën kapacitet.
Si janë çmimet e paketave që ofroni në raport me një vit më parë. Po shpenzimet jashtë paketës?
Në raport me një vit më parë, ne kemi ulur çmimet e paketave 20-30%. Për të gjithë ofrojmë “all inclusive”, por ata që duan që të konsumojnë diçka më të veçantë kemi në dispozicion restorantin “A la carte”. Xhiro te restoranti dhe bari, që nuk përfshihen tek paketa, është ulur me 30%.
Si ka funksionuar zinxhiri i furnizimit nga industritë e tjera mbështetëse?
Realisht ushqimet ne i marrim nga magazina dhe kemi marrëdhënie afatgjata dhe të ndërtuara prej disa vitesh me furnitorët dhe çdo gjë ka funksionuar mirë edhe këtë vit. Nuk vërej që të ketë ndonjë rritje çmimi për lëndët e para.
Si e gjykoni mbështetjen e qeverisë për situatën e pandemisë ndaj biznesit dhe sa e ndihmoi kjo industrinë e turizmit, duke qenë se ju jeni edhe përfaqësues i Unionit Turistik Shqiptar për zonën ë Durrësit?
Ne e kemi kërkuar si Union, edhe unë personalisht, që industria e turizmit të trajtohet me politika më specifike. Një ndër to ishte ai propozimi për një bonus te paketa turistike, i cili pritet përmes agjencisë nga ana e pushuesve vendas dhe subvencionohet nga shteti.
Kjo është një politikë që e kanë ndjekur edhe vende të tjera si Maqedonia apo Italia, ku shteti paguan në paketat të cilat priten nëpërmjet agjencive për pushimet brenda vendit një përqindje të caktuar. Pra nëse paketa është, le të themi 300 euro, shteti paguan 100 euro. Ky është një model që funksionon pasi përfitojnë të gjitha hallkat sepse është konsum. I jep dorë industrisë së turizmit, funksionon zinxhiri te bujqësia dhe agropërpunimi që janë mbështetëse, ndërkohë kthimi i këtij lloj “investimi” është në kohë të shkurtër.
Po sa i takon pushtetit vendor, si kanë funksionuar gjërat? A i është përgjigjur në kohë biznesit me shërbime?
Ne prisnim nga pushteti vendor që, të paktën për bizneset e zonës së Golemit, të cilat u goditën nga tërmeti të bëhej një lehtësim për taksat. Të shihej një mundësi për ulje 30-50% të paktën për taksën e ndërtesës. Por kjo nuk ndodhi. I kemi paguar këto taksa. Pjesa e pastrimit dhe ndarjes së plazheve ka funksionuar mirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.