BE, 90 mln € Shqipërisë për të nxitur reformat e anëtarësimit

24/12/2016 9:19 AM 0 komente
Bashkimi Europian ka miratuar një ndihmë financiare prej 90 milionë euro për Shqipërinë, me qëllim mbështetjen e vendit në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së.

Komisioni Europian i ka dhënë “Ok”-in “Programit 2016” për Shqipërinë. Programi ndjek politikën e zgjerimit “në fillim parimet” duke u fokusuar në fushat e shtetit ligjor, të drejtave themelore, qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës.

Ai mbështetet në programet 2014 dhe 2015 në kuadrin e Instrumentit për Asistencën Para-Anëtarësim (IPA II), që arrin në një total prej 649.4 milionë Euro për Shqipërinë gjatë periudhës 2014-2020.

Programi mbështet në mënyrë specifike zbatimin e strategjisë së Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit, duke vazhduar programin e tij të asistencës teknike EURALIUS.

Programi mbështet gjithashtu sektorin e transportit, me fokus te mirëmbajtja e rrugëve për të siguruar efikasitetin në planifikimin dhe shpenzimin e burimeve publike.

Gjithashtu, do të sigurohet mbështetje për sektorin e mjedisit me fokus te zbatimi i strategjisë për furnizimin me ujë dhe ujërat e zeza, si dhe te bujqësia dhe zhvillimi rural, veçanërisht për zhvillimin e një kadastre të truallit dhe përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe standardeve veterinare dhe fitosanitare, duke pasur parasysh forcimin e eksporteve agro-ushqimore, si dhe sektorin e peshkimit. Kjo do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar më shumë vende pune dhe prosperitet për gjithë  qytetarët e saj.

Veç kësaj, do të sigurohet asistencë financiare për shoqërinë civile dhe për mbështetjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet dhe agjencitë e Bashkimit Evropian, si “Erasmus+”, “Horizon 2020” dhe “Creative Europe”, në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë.

Shqipëria përfiton gjithashtu nga asistenca e BE-së në kuadrin e programit shumëvendësh IPA II, që siguron mbështetje financiare në shkallë rajonale.

/Shqiptarja.com

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of