Flet Julian Paparusi, administrator i Charlie Energy
Interesi për të investuar në projekte impiantesh fotovoltaikë ka mbetur i madh për tregun në tërësi, por pjesa më e madhe që duan t’i zbatojnë ato, qoftë individë, qoftë biznese, janë në pritje. Julian Paparusi nga Charlie Energy sh.p.k., nënvizon se të paktën 98% e klientëve potencialë kanë pezulluar planet e tyre dhe duan një zgjidhje të ngërçit. Për ata që kanë bërë tashmë një investim, koha e kthimit do të zgjatet.
Paparusi thekson se Shqipëria ka kushtet ideale për të zhvilluar energjinë diellore, pasi ditët me diell janë të shumta, duke e bërë atë të renditet ndër vendet me kthim më të shpejtë të investimit, në një pjesë të mirë të Europës, por edhe në raport me fqinjët.
Gjithsesi, ai e vë theksin gjithmonë te teknologjia që përzgjidhet, nga e cila varen edhe elemente të tjera të rëndësishme.
Si një kompani, me aktivitet të shtrirë përtej Shqipërisë në disa vende në Europë por edhe në SHBA, a mund të na jepni një përmbledhje të shkurtër mbi potencialin që shihni në Shqipëri për energjinë diellore?
Potenciali është jashtëzakonisht shumë i madh. Ditët me diell që kemi në Shqipëri janë më optimalet krahasuar edhe me rajonin, por edhe më gjerë me Europën. Në Danimarkë apo Gjermani, kthimi i investimit është minimumi për 10 vjet, kurse në Shqipëri është nga 4-6 vjet. Kjo është për efekt të pozicionit gjeografik dhe një nga avantazhet më të mëdha që kemi. Por në këtë rast, në dizavantazh, kemi aspektin ligjor që është udhëzimi sikurse jeni në dijeni që është një ngërç, jo vetëm për ne kompanitë që bëjnë instalime të sistemeve të tilla, por edhe për klientin.
Sa i ka penguar mungesa e udhëzimit investimet potenciale dhe a keni një përllogaritje të dëmit që ju është shkaktuar? Si ka qenë interesi për investime dhe a janë frenuar?
Interes ka pasur shumë, por sigurisht nga situata me mungesën e udhëzimit janë frenuar. Ky është problem shumë i madh. Interesi gjithsesi është i madh. Frenimi që kemi vënë re shkon te 98% e klientëve që janë të interesuar, por janë në pritje. Ne kemi nënshkruar kontratë me shumë klientë, thjesht presim udhëzimin. Kemi bërë instalime, të cilat nuk i përgjigjen 100% kapacitetit, pasi nuk duhet të ketë teprica. Pra punojnë me kufizime. Në rastet më të këqija, kur kjo tepricë futet në rrjet, i kthehet vetes pas sahatit dhe paguan si konsum.
Ka një lloj hezitimi që lidhet me pjesën e rrjetit dhe që argumentohet nga OSHEE ashtu siç është edhe ajo për matësit?
E nisim nga matësit. S’ka nevojë për një smart grid dhe për asnjë investim tjetër. Energjia, ashtu siç shkon te konsumatori, ashtu kthehet. Kjo gjë mund të bëhet fare mirë me matësit aktualë dhe me rrjetin ekzistues. OSHEE sot është vetëm duke humbur klientët e vet potencialë dhe që mund të kontribuonin në përmirësimin e bilancit energjetik, sepse sot ajo vetë po importon nga jashtë për plotësimin e nevojës në vend.
A e keni parë draftin e parë të udhëzimit, si ju është dukur?
Po e kemi parë draftin dhe ka shumë hapësirë për interpretim. Edhe grupi i interesit po sheh draftin dhe ka bërë komente mbi të. Besoj që deri në maj të arrihet në një draft të rënë dakord. Shumë pika nga OSHEE nuk janë bërë sa i përket aspektit teknik. Po kështu, është vendosur një kufi 500 kw që ndoshta duhet parë.
Në rastin e një familje mesatare shqiptare që paguan diku tek 12 mijë lekë të reja konsum energjie sa fizibël është që të të instalojë një impiant dhe për sa kthehet ky investim?
Kjo varet nga shumë atribute. Atributi i parë është pozicioni i lidhjes apo paneleve nëse bëhet fjalë për një shtëpi private apo për një hyrje pallati. Nëse unë ta përkthej koston e një instalimi në shtëpi private, del shumë më lirë sesa në një pallat.
A mund të kemi një shembull mbi një impiant që keni instaluar dhe si është prodhimi dhe koha e kthimit të investimit?
Po marrim shembullin e një sistemi të instaluar në një godinë 235 kw. Ky impiant nis prodhimin tani në prill, nga ora 05:30 deri në 18:00. Sistemi është instaluar të japë 99% të potencialit, ndërsa 1% e merr nga rrjeti. Sistemi mund të prodhojë edhe më shumë, por ne e kemi vendosur për prodhim vetëm të konsumit, jo për gjithë potencialin që ka. Nëse do të ishte adoptuar udhëzimi, për 4.5 vite do të ishte shlyer i gjithë investimi.
Sa është kostoja mesatare e instalimit të një kwh?
Kjo varet nga lloji i sistemit, sa më i madh sistemi, aq më e lirë kostoja. Për një sistem 200 kw ulet shumë, diku 750 euro. Kurse për 1 kw për familjarët, për një sistem 5 kw familjar shkon 800-1000 euro/kwh. Nëse integrohet bateria, kostoja rritet. Investimi në bateri e përkeqëson koston dhe zgjat afatin e kthimit të investimit dhe konsumatorit i duhen inverterë hibridë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.