Komisioni Kombëtar Rregullator i Entit Rregullator të Ujit pritet që të marrë një vendim për çmimin e ujit në Tiranë në muajin nëntor. Burime pranë këtij komisioni pohuan për Monitor se tashmë janë kaluar të gjitha hallkat që shoqërojnë një procedurë standard. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, mendimin nga palët e interesit si dhe dokumentacionin voluminoz të paraqitur, duket se çështja është shtyrë përtej shtatorit që ishte afati i parë i vendimmarrjes që u deklarua nga ERRU në një deklaratë për mediat.
Të njëjtat burime konfirmuan se janë zhvilluar edhe seancat dëgjimore sikurse parashikohet në kuadrin ligjor dhe dosja e plotë bashkë me vlerësimet teknike dhe ekonomike i ka kaluar tashmë Komisionit Kombëtar i cili ka edhe tagrin për të dhënë vendimin.
Ky komision ka pasur një periudhë intensive gjatë këtyre muajve duke dhënë miratimin për rilicenicmin e disa ujësjellësve në vend që ju ka përfunduar afati i licencave të para, ndërkohe që ka emëruar edhe drejtues të rinj teknikë në krye të ujësjellësve si në Maliq, Elbasan apo Malësi e Madhe.
Kërkesa e UKT për çmimin
Në mes të këtij viti Ujësjellës Kanalizime Tiranë aplikoi pranë Entit Rregullator të Ujit për një rritje të çmimit të ujit duke e argumentuar këtë me paratë që do t’i duheshin për të zbatuar një plan ambicioz investimesh.
Në korrik kjo kërkesë kaloi edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës i cili miratoi rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet me 20 lekë për m3 duke e çuar nga 45 lekë në 65 lekë/m3 për familjet dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.
Kjo rritje sipas Bashkisë së Tiranës e cila ka edhe kompetenca të plota mbi ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime, bëhet për të kryer investime në rrjet që në 5 vitet e ardhshme do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit.
UKT nga ana tjetër ka regjistruar një ecuri pozitive tek bilanci financiar i vitit 2016 kur regjistroi një fitim 5 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Enti rregullator me kot perpelitet pasi eshte mese e qarte qe do miratoje tarifat e propozuara nga UKT. Thjeshte po presin momentin me te pershtatshem qe kjo te mos shkaktoje reagime te valezuara. E njejta gje si me tarifat e Durresit qe u miratuan ne heshtje te plote dhe ne nje moment hutimi kolektiv..
Per te qene transparent eshte organizuar vetem nje degjese publike me daten 27 korrik te ketij viti. Relacioni permbledhes I degjeses nuk eshte bere publik sic eshte percaktuar ne aktet ligjore perkatese.